1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë të Kosovës

11 Shtator 2024

Autoritetet politike kosovare akuzojnë edhe Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit të armatosur. Beogradi e mohon të ketë lidhje me sulmin, ku u vra një rreshter i policisë së Kosovës.

Prishtina
Fotografi: picture alliance/dpa

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e armatosur në veri të Kosovës në Banjskë një vit më parë, ku u vra një rreshter i policisë së Kosovës. Nga përleshja e armatosur me policinë e Kosovës, këta të fundit vranë më pas tre sulmues.

Kjo ngjarje nga autoritetet kosovare u cilësua një nga ngjarjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke nxitur shqetësime edhe tek autoritetet ndërkombëtare për stabilitetin rajonal. Prokurori i rastit Naim Abazi, tha në një konferencë për medie se "ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Milan Radojçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”.

Grupi i armatosur ne Banjske, 24.09.2023Fotografi: Office of the Kosovo Government

Kërkesa të shumta për bashkëpunim ndërkombëtar

Sipas prokurorit Abazi, "të akuzuarit kanë luajtur role të ndryshme brenda grupit kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i veprimtarive terroriste deri te financimi dhe larja e parave”. Ai tha se "gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, makina të blinduara dhe mbi 1200 armë”. Prokuroria Speciale e Kosovës, bëri të ditur se në kuadër të hetimit janë bërë kërkesa të shumta për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, që përfshin shtetet e Bashkimit Evropian, SHBA por dhe shtetet e tjera, për të siguruar dëshmi të rëndësishme.

Aktakuza ndaj 45 personave të përfshirë në sulmin në Banjskë nuk u bë publike, sikundër që nuk u publikuan as emrat e të përfshirëve të tjerë, veç Milan Radojçiqit. Ky i fundit që ishte edhe nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Srpska, i cili tash strehohet në Serbi.

Hetime edhe në Beograd

Prokuroria e Lartë Publike në kryeqytetin e Serbisë në Beograd, po ashtu është duke kryer hetime për rastin në Banjskë: ajo e ngarkon Radojçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Gjykata e Lartë në Beograd në fund të vitit të shkuar e refuzoi një kërkesë të Prokurorisë së Serbisë për arrestimin e Radojçiqit, e la të lirë atë, por ia konfiskoi pasaportën, duke ia ndaluar shkuarjen në Kosovë.

Grupi i armatosur ne Banjske, 24.09.2023Fotografi: Office of the Kosovo Government

Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit ishte cilësuar sulm terrorist nga autoritetet kosovare, Bashkimi Evropian dhe diplomatët perëndimorë të cilët kanë kërkojnë që autorët të vihen para drejtësisë. Në fund të vitit të shkuar, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë INTERPOL lëshoi fletarrestim për Radojçiqin.

Autoritetet kosovare menjëherë pas sulmit në Banjskë dhe tash e një vit deri në ngritjen e aktakuzës, i akuzojnë autoritetet e larta në Serbi organizim dhe mbështetje të grupit në këtë sulm. Por udhëheqja shtetërore në Serbi dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq kanë e mohuar disa herë se kanë gisht në sulmin e armatosur në Banjskë në veri të Kosovës.