1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ngrihet grupi parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestag-un gjerman

Intervistoi Ljiljana Renke8 Prill 2006

Shkëmbimi i përvojës dhe diskutimi i interesave të përbashkëta në kuadër të BE-së, prioritetet e punës së këtij grupi

Parlamenti gjerman
Parlamenti gjermanFotografi: AP

Dy ditë më parë u mbajt takimi i parë i grupit parlamentar për Evropën Juglindore. Socialdemokrati Detlef Dzembritzki, deputet në parlamentin gjerman dhe kryetar i grupit parlamentar për Evropën Juglindore, në mikrofonin e Deutsche Welles prezanton qëllimin e ngritjes së këtij grupi dhe prioritetet e punës së tij.

Z. Dzembritzki cili është qëllimi i punës së grupit parlamentar për Evropën Juglindore?

Bëhet fjalë për një grup parlamentar në Bundestagun gjerman i cili synon bashkëpunimin me parlamentarë nga vende të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Për ne shumë i rëndësishëm është shkëmbimi i përvojës, theksimi i interesave të përbashkëta që për ne ashtu si dhe për këto vende kanë të bëjnë kryesisht me Bashkimin Europian.
Perceptimi i bashkëpunimit parlamentar nga këto vende përputhet me idenë tonë. Një shembull për këtë është vizita pak ditë më parë e një delegacioni të vogël nga Shqipëria të kryesuar nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët shqiptarë shprehën dëshirën që kontaktet mes parlamenteve në rradhë të parë të vendosen por brenda mundësive edhe të zgjerohen. Në të kaluarën dhe tani ka qenë dhe është diçka shumë e zakonshme që kolegë parlamentarë nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi etj., të bëjnë vizita në Berlin dhe anasjelltas, kolegë nga Bundestagu të shkojnë në rajon.

A mund të ndihmojë ky bashkëpunim në anëtarësimin e këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në ç'mënyrë ?

I rëndësishëm është shkëmbimi i përvojës. Siç dihet proçesi i anëtarësimit nuk është i zhveshur nga problemet. Bashkimi Europian nuk është vetëm një bashkësi ekonomike por në rradhë të parë një bashkësi vlerash. Sistematika e bashkëpunimit dhe shkëmbimit që egziston sot me vendet tashmë anëtare të BE-se duhet të përvetësohet edhe nga vendet kandidate për anëtarësim. Kjo përbën një fushë shumë të gjerë detyrash që duhen kryer nga kolegët parlamentarë dhe administrata e këtyre vendeve. Në këtë aspekt mendoj se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm.

Cila është sipas mendimit tuaj zgjidha më e mirë për Kosovën?

Ne në Gjermani dimë nga përvoja se duhet shumë durim për të zgjidhur çështje të vështira statusi dhe standartesh. Më e rëndësishmja është që të gjithë ata në Kosovë dhe Serbi e Mal të Zi që kanë përgjegjësi duhet të respektojnë parimin themelor të diskutimit paqësor, kjo është më e rëndësishmja. Përmes ish presidentit finlandez Ahtisari në rolin e një moderatori apo katalizatori bashkësia ndërkombëtare përpiqet t'i qëndrojë pranë palëve dhe zhvillojë bisedime me të gjithë ata që në Kosovë janë të prekur nga vendimet që do të merren për të arritur në një zgjidhje të përbashkët. Detyra e Ahtisarit është sipas mendimit tim shumë e vështirë. E rëndësishme është që palët të tregojnë gadishmëri për kompromise dhe qëndrimet të mos përfaqësojnë pozicione maksimaliste apo fondamentaliste në mënyrë që të ketë lëvizje në proçes.