Ngritja e çmimeve thellon varfërinë në Kosovë
16 Mars 2011
Xhafer Koqeli, nga Stroci i Vushtrisë, shitës farash dhe Afrim Haliti, nga Kushevica e Podujevës, student, janë vetëm dy nga zërat e shumtë të popullit të Kosovës, të cilëve ngritja e vazhdueshme e çmimeve po ua bën jetën gjithnjë e më të vështirë. "Shume!Për s´tepërmi!Nuk po mundem t´i përballoj me një social 75 euro, se fëmijët po lypin. Dal e shes fara për dy-tri euro n´ditë, se ma shumë asnjë s´dalin. Jetë e vshtirë…”, thotë Xhaferi.
“Boll vshtirë, se ma s´pari s´ke t´ardhura kurrkah. Ushqimet gjithnjë e ma shtrejt. S´mundesh me i përballu”, shton Afrimi.
Rritje e vazhdueshme çmimesh
Sipas Entit të Statisitkave të Kosoves nga muaji janar 2010 deri në janar 2011 çmimet në Kosovë kanë pësuar rritje prej 7,4 per qind, ndërsa vetëm në muajin e parë të këtij viti çmimet janë rritur deri në 1,4 per qind. Duke pasur parasysh se shifra zyrtare e papunësisë në Kosove është 43 per qind, ndërsa mbi 12 per qind e popullsisë jeton në varfëri të skajshme, lufta për ekzistencë bëhet e papërballueshme. Për më tepër krizës globale i shtohet edhe gjendja e trashëguar nga e kaluara, thotë ministri për Punë dhe Mirëqënie Sociale në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.
“Kjo është edhe pasojë e problemeve të grumbulluara gjatë 20 viteve të kaluara dhe meqënëse rreth 70 per qind e popullatës sonë janë nën moshën 35 vjeçare, punësimet e pakta kane ndikuar në thellimin e varfërisë. Dhe, edhe pse mendoj se Kosova ka një të ardhme të mirë, sa për shkak të strukturës sociale po aq për shkak të mundësive të pamjaftueshme të punësimit, këto vite do të jenë të vështira për të gjithe ne. Se, sado që hapen mundësi punësimi, ekonomia jonë është shumë e dobët për të absorbuar rreth 40 mijë krahë të rinj pune, që dalin çdo vit. Ka disa tregues për zgjidhjen agfatgjate të problemit të papunësisë, mirëpo rruga do të jetë e gjatë dhe e mundimshme“, thotë ministri Rashiq.
Për shkak të krizës globale stagnojnë punësimet sezonale
Marrëveshjet me shtete të ndryshme për punësime sezonale ishin projekte, që mbillnin optimizëm për zbutjen e problemit të papunësisë në Kosovë, mirëpo kriza globale dhe shkurtimi i vendpunimeve nëpër shtetet përkatëse, pamundësoi realizimin e tyre. Kërkesa e këtyre ditëve nga Afganistani për dërgimin e 200-300 punëtorëve nga Kosova jep shpresë se kërkesa të tilla do të vinë edhe nga shtete te tjera. Mirepo krahas vështirësive ministri Rashiq është optimist se Kosova së shpejti do të jetë një shoqëri e vogël dhe e zhvilluar:“Pikërisht kjo fuqi e re punëtore më bën optimist. Sepse këto kapacitete, të cilat ndoshta tash shihen si barrë, një dite…nuk e di se kur, do ta kuptojmë se ky është një thesar, të cilit kur t´i vijë koha të shfrytëzohet dhe do të kemi nëvojë për fuqi punëtore, ne do të jemi një shoqëri shumë e pasur. E di se deri në atë moment ka një rrugë të gjatë dhe para nesh shtrihen periudha të vështira. Por ne do t´i tejkalojmë”, thotë ministri Rashiq.
Pagat e Kosovës - Çmimet e Evropës
Të dhënat e Entit të Statistikave tregojnë se paga mesatare në Kosovë në vitin 2010 ishte 272 euro, shumë kjo tejet e vogël për përmbushjen e nevojave elementare të jetës në familje, thonë punonjësit. "Pagat janë të ulëta. Marrim një pagë ditore të vendeve perëndimore, me të cilën duhet ekzistuar një muaj. A mund të mbijetojnë kosovarët me cçime evropiane? Vetëm artikulli kryesor, buka, prej 25 është ngritur në 50 cent. Unë mendoj se duhet përkujdesur për prodhime vendore, që artikujt t´i sigurojmë me çmime të ulëta", thotë Lulëzim Morina, nga Dragashi:"Njeriu nuk mund t´ia dalë mbanë me një pagë prej 256 eurosh as për nevojat elementare e jo për të mbajtur familjen. E për rritjen e çmimeve më mirë mos më pyetni, se as që guxoj të mendoj për këtë", thotë Edita Shacireviq nga komuna e Istogut.
Rritje pagash për punonjësit - Çka për të papunët?
Kuvendi i Kosoves tashmë ka miratuar buxhetin për vitin 2011 me rritje pagash për punonjësit e sektorit publik, ndërsa qeveria e Kosovës pohon për përafrim të qëndrimeve me Fondin Monetar Ndërkombtar, i cili ishte kundër një vendimi të tillë. Mirëpo çka për të papunët? “Ligji përkujdeset për të gjithë, përgjigjet ministri Rashic, sipas të cilit aktualisht janë 36 mijë familje me 173 mijë anëtarë, të cilët përfitojnë nga asistenca sociale. Edhe pse një ndihmë solide prej 45 deri ne 85 euro prej vitit 2009 ka rritje të vazhdueshme të kërkesave per asistencë sociale. Por, sipas mendimit tim, ky nuk është tregues real i varfërisë, duke qënë se ka edhe keqperdorime të shumta në përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kushtet e parapara”, thotë ministri Rashiq, sipas të cilit komunat duhet të shtojnë kujdesin në përzgjedhjen e përfituesve të asistences sociale, në mënyre që rritja e kërkesave të mos jetë më një problem kronik, ndërsa asistenca sociale të arrijë tek ata, që vërtet kanë nevojë. Sidoqoftë krahas papunësisë enorme dhe varfërisë së skajshme rritja e vazhdueshme e çmimeve të artikujve më elementarë për jetë për pjesën dërmuese të qytetarëve të Kosovës beteja për mbijetesë është më e egër se kurrë.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Angjelina Verbica