1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nik Xhelilaj merr çmimin Shooting Star

15 Shkurt 2011

Në Berlinale marrin pjesë si kurrë me parë shqiptarë. Në fundjave u shfaq premiera e filmit “Amnistia” e Bujar Alimanit. Të martën në mbrëmje në pallatin e Berlinales Nik Xhelilajt iu dha çmimi “Shooting Stars 2011”.

Nik XhelilajFotografi: Markus Nass

Ato dhe ata shkëlqenin tek shkelnin tapetin e kuq. Katër aktorët me kostume, gjashtë aktoret me dekolte dhe fustane vezullues. Dhjetë “yje
të këputur” ose siç quhen në Berlinale “Shooting Stars” morën të martën në mbrëmje “Maria”-n. Miniskulptura është gdhendur sipas personazhit të
filmit Metropolis të regjisorit të famshëm gjerman “Fritz Lang”.

Dhe për herë të parë në historinë e kinematografisë shqiptare, njëri prej këtyre yjeve është një shqiptar. 28-vjeçari Nik Xhelilaj, i cili, siç do të
argumentonte në emër të jurisë aktorja gjermane Heike Makatsch, tek portreti i Benit në filmin “Shqiptari” i sjell të dyja, si intensitetin ashtu edhe butësinë, duke i dhënë kështu rolit një kompleksitet befasues.

SHOOTING STARSFotografi: Markus Nass

Ishte Ralph Fiennes, i njohur sidomos për rolin kryesor në filmin “Pacienti anglez” ai që do t'u dorëzonte dhjetë talenteve të reja skulpturën e sponsorizuar nga Studioja e Babelsbergut, duke u bërë kështu mentori i tyre për një natë. Aktori britanik ka ardhur në Berlinale me debutimin e tij të parë si regjisor. Filmi i tij “Coriolanus” që konkurron në programin kryesor konsiderohet si njëri nga pretendentët për Ariun e Artë, çmimin kryesor të Berlinales. Këshilla e tij për talentet e reja ishte një shprehje e aktores Patti Smith, e cila gjithashtu gjendej në sallë: “Bëj punën!”
Shans promovimi

Nga 32 vende kishin konkurruar talentet këtë vit për programin Shooting Stars 2011. Ndër dhjetë fituesit janë edhe disa që janë të njohur përtej
kufijve të vendeve të tyre, si për shembull irlandezi Domhnall Glaesson, i cili ka luajtur qysh tek Harry Potter e që në Berlinale merrte pjesë me filmin e hapjes “True Grit”.

Programi “Shooting Stars” financohet nga Agjencia për Promovimin e Filmave Evropianë dhe u ofron fituesve mundësi të shumta promovimi, si takime me agjencitë audicionale në Berlinale si dhe vizita nëpër festivale të ndryshme në Evropë si dhe në Hollivud.

Der Albaner - ShqiptariFotografi: Max-Ophüls-Preis


Për Nik Xhelilajn, i cili mbas përfundimit të Akademisë së Arteve në Tiranë ka pasur rastin të luante deri tani vetëm në tre filma me metrazh
të gjatë, ky do të jetë një shans i mirë për angazhime në role të tjera ndërkombëtare. “Shqiptari” i regjisorit gjerman Johannes Naber i hapi
Xhelilajt portën për karrierën ndërkombëtare duke i dhuruar disa çmime: "Georgun e Argjendtë" në festivalin e 32-të filmit në Moskë, çmimin për
aktorin më të mirë në edicionin e dytë të Prifilm-it në Prishtinë, si dhe çmimin e Festivalit të 47-të Filmit në Antalia.

Publiku i Berlinales do të ketë rastin ta shohë Nik Xhelilajn ditën e diel, 20.2.2011, në kuadër të serisë "Perspektiva e Filmit Gjerman", ku do të shfaqet edhe filmi "Shqiptari". Në fillim të vitit ky film u shpall fitues i çmimit Max Ophuels.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama