1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nikolas Bërns - bisedime jo aq të lehta në Greqi

12 Qershor 2007

Çështja e Kosovës dhe konflikti për emrin e Maqedonisë kanë qenë në krye të bisedimeve që ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Bërns zhvilloi me ministren e jashtme greke, Bakojani

Nikolas Burns
Nikolas BurnsFotografi: AP

Që nga dita e shtunë ndodhet në Greqi dhe po zhvillon takime me udhëheqjen më të lartë politike të vendit ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Nikolas Berns. Vizita e Bernsit konsiderohet e një rëndësie të veçantë si për axhendën po kështu edhe për zhvillimin e saj pothuajse paralel me turneun e presidentit Bush të dielën dhe të henën në Tiranë edhe Sofie.

Kosova dhe çështja e Maqedonisë, konflikti për emrin, ishin në krye të bisedimeve që Bërns zhvilloi me ministren e jashtme Bakojani, ministrin e Mbrojtjes Meimaraqis dhe për 1 orë e gjysëm edhe me vetë kryeministrin Karamanlis.

Për çështjen e Kosovës, sipas burimeve nga kryeministria greke, në linjën e deklaratave të presidentit Bush në Tiranë, numri tre i diplomacisë amerikane i përcolli Karamanlisit vendosmerinë e Uashingtonit për dhënien e menjëhershme dhe pa vonesë të pavarësisë dhe se periudhë tjetër negociatash mund të pranohet nga ana e tij vetëm me kushtin paraprak që finalizimi i tyre të jetë pavarësia.

Konflikti për emrin e Maqedonisë


Për çështjen e "Maqedonisë", Bërns në deklaratat e tij të kursyera publike eviton të pozicionohet se me ç emër do të integrohet "Maqedonia" në NATO. Ai propozoi bile Karamanlisit arritjen e një kompromisi direkt Athinë-Shkup, gjë që do të thotë se mund të mos ketë propozim tjetër të ndërmjetësit ndërkombërat Mathew Nimiç pas atij të tetorit 2005 "Republika Macedonije-Skopjie", që ishte hedhur poshtë nga Athina.

"NATO nuk ka vendosur akoma për integrimin në Aleancë të cilitdo vendi, integrim që do të bëhet në mars ose prill të vitit 2008. Ka kohë për një vendim të tillë" deklaroi Berns duke lehtësuar kështu, me fleksibilitetin e Uashingtonit, kryeministrin grek i cili mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në fund të shtatorit ose fillim të tetorit, pa "pataten e nxehtë" të një çështjeje kombëtare që thuhet se do të kthejë në forcë parlamentare për herë të parë partinë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor.

Për Shkupin dhe Tiranën, theksoi zëdhenësi i ministrisë së jashtme Kumuçakos, duke u mëshuar dhe deklaratave të presidentit Xhorxh Bush për nevojen e reformave të mëtejshme ekonomike dhe ushtarake të këtyre dy vendeve, "lypset shumë rrugë akoma". Greqia kërkon patjetër një kompromis, sigurisht jo maksimalist që emërtimi mos të përmbajë as termin "Maqedoni" kur vendi fqinj është njohur nga 100 vende me emrin kushtetues, 3 anëtarë të Këshillit të Sigurimit, dhe kur një rezolutë e fundit e komisionit të jashtëm të Parlamentit Evropian u aprovua pothuajse unanimisht për hyrjen e Maqedonisë pa ndryshuar emerin e saj.

Në planin e brendshëm presioni ndaj qeverisë është i madh. "Shteti grek nuk do të shkelë lëvorën e bananes dhe të pranojë të hyjë Shkupi në NATO me emrin FYROM" deklaroi Stelios Papathemelis, kryetari i partisë nacionaliste Rilindja Demokratike, kur këtë ofertë të disa ditëve më parë të presidentit Cervenkovski ("është lëshimi i fundit", i tha gazetës greke "Kathimerini") ministria e jashtme greke e kishte cilësuar "një taktikë të padobishme". Ndërkohë, 82.3% e qytetarëve sipas një anketimi të fundit kërkojnë veto dhe në këtë rast. Por Athina nuk dëshiron veton ashtu siç nuk dëshiron përplasjen me Uashingtonin, nga i cili kërkon të influencojë mbi Shkupin për të pranuar një kompromis.

Së fundi një çështje tjetër për të cilën Berns takohet sot dhe me ministrin grek të Zhvillimit, Dhimitris Shufas, është insistimi i amerikanëve për mosvartësi të Athinës vetëm nga burimet ruse të energjisë, që kësaj radhe, siç theksojnë analistët, u artikulua me forcë dhe në nivelin më të lartë.