1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nis ristrukturimi i rrugës Kukës - Dibër

Leka Plani17 Shtator 2008

Rehabilitimi i plotë i rrugës Kukës - Dibër do të fillojë që nga fshati Domen, e deri tek Ura e Lapave. Investimin e bën Banka Botërore me vlerën prej 4 milionë dollarëve, për asfaltimin e më shumë se 11 km rrugë.

Kukës
KukësFotografi: AP Photo

Një prej akseve rrugore në veri të Shqipëri, që prej shumë vitesh ka qënë jashtë funksionimit, do t`i nënshtrohet rindërtimit të tij. Rreth 11 km që lidh Kukësin me Dibrën, do të asfaltohen, falë një investimi prej 4 milion dollarësh të Bankës Botërore.

Sipas Kryetarit të Qarkut Kukës Shefqet Bruka, “Segmenti rrugor nga fshati Domën deri në Urën e Lapave, ka marrë lejen e KKRT-së së Qarkut dhe tashmë pritet vetëm fillimi i punimeve." Bruka thotë se segmenti Dibër-Kukës, është një rrugë me impakte të mëdha në zhvillimin rajonal, sepse në këtë zonë ka prodhime të konsiderueshme bujqësore e blegtorale që duhet të dalin në treg, të bimëve medicinale që akoma nuk e kanë njohur tregun, por ajo që është më e rëndësishmja thotë Bruka është se "kjo rrugë do të ketë një ndikim të madh në ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në këtë zonë”.

Projekti i rrugës parashikon asfaltimin në një gjërësi prej 4 metrash dhe pritet të nxjerrë nga izolimi 4 komuna të këtij Qarku. Përveç kësaj rruge, në qytetin e Kukësit kanë nisur punimet për hapjen e trasesë të aksit rrugor Kukës-Morinë, në periferi të qytetit. Me ndryshimin e projektit, janë shpëtuar nga prishja shumë shtëpi banimi, karburante dhe njësi private. Ndërkaq këto ditë pritet nisë asfaltimi segmentit të parë të koridorit Durrës-Kukës-Morinë, nga dalja e tynelit në drejtim të qytetit të Kukësit.

Ndërkohë Banka Botërore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka miratuar projektin për rikonstruksionin e një tjetër aksi rrugor, atë që lidh Vaun e Dejës, me fshatin Nënshat të rrethit të Shkodrës. Burime nga krerët e njësive vendore, bëjnë të ditur se segmenti rrugor që do të rehabilitohet, është rreth 12 kilometër i gjatë dhe brënda të gjitha standarteve të kërkuara. Rruga e rikonstruktuar do të jetë mbi atë të vjetrën, ndaj dhe nuk do të ketë probleme me pronësinë.

Pak muaj më parë, në skajin më verior të Shqipërisë, në Tropojë ka filluar ndërtimi i një tjetër rruge, që i shërben mjaft lidhjes së kësaj Zone me malin e Zi dhe Rrafshin e Dukagjinit-Kosovë. Një rrugë kjo me gjatësi prej 32 km nga Bajram Curri në kufi me malin e Zi, shkurton distancën me fqinjët verior me rreth 164 km. Komuna e Margegajt në rrethin e Tropojës, është një nyje lidhëse mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Zhvillimet e reja kërkojnë edhe një infrastrukturë të re rrugore, që lidh këtë komunë me Plavën dhe Gucinë. Kjo është një arterie e re lidhëse, jo vetëm për rrethin e Akukësit, Hasit, Tropojës, Pukës e mbarë rrefshit verior të vëndit, por edhe për Kosovën përëndimore si me prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin, Malishevën, Klinën etj. 1.2 milion banorë lidhen me malin e Zi në këtë linjë rrugore. Kjo rrugë, është një portë e gjërë që bie në mes dy shteteve në shumë dimensione dhe rruga e parë që realizon lidhjen e alpeve nën adminiostrimin e Shqipëri-Kosovë-Mal i Zi. Ky aks i rëndësishëm rrugor në Veri të Shqipërisë, parashikohet të përfundojë brënda vitit 2008.