1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nisin bisedimet për një armëpushim në Ukrainë

14 Dhjetor 2025

Bisedimet për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë kanë nisur zyrtarisht. Kancelari Friedrich Merz mikpriti Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenski pas emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Zelenski takohet me Merz-in (foto arkivi), 28.05.2025
Zelenski takohet me Merz-in (foto arkivi)Fotografi: TOBIAS SCHWARZ/AFP/Getty Images

(i përditësuar)

Bisedimet për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë kanë nisur zyrtarisht. Sipas një gazetari të agjencisë gjermane të lajmeve dpa, Presidenti e Ukrainës Volodymyr Zelenski u prit ngrohtësisht në Kancelarinë Federale në Berlin nga kancelari Friedrich Merz (CDU). Më parë aty kishte mbërritur një delegacion amerikan që përfshinte dhëndrin e Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Sipas raportimeve të ngjashme të agjencive të lajmeve, emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner mbërritën këtë mëngjes në kryeqytetin gjerman Berlin. 

Diskutimet midis përfaqësuesve të Uashingtonit dhe Kievit për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë vazhdojnë sot me pjesëmarrjen e Evropës. Negocimet po zhvillohen fillimisht në nivel këshilltarësh dhe pas dyerve të mbyllura. Në takim marrin pjesë edhe përfaqësues gjermanë.

 

I dërguari i posaçëm i SHBA-së Steve Witkoff udhëton për në Berlin bashkë me dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner.Fotografi: Alexander Kazakov/Sputnik/Pool/REUTERS

Si do të vazhdohet me diplomacinë për Ukrainën

Bisedimet për fundin e luftës në Ukrainë po vazhdojnë me intensitet të lartë.Qëllimi i bisedimeve është të shqyrtohet arritja e një pozicioni të përbashkët për një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Një përfaqësues i presidencës franceze tha, se duhet të arrihet një ofertë bisedimesh ndaj Rusisë. Edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer do të jenë për bisedime me kancelarin gjerman Friedrich Merz si dhe me përfaqësues të nivelit të lartë të NATO-s në Berlin. Qeveria gjermane konfirmoi të premten (11.12.2025), se Merz do të presë presidentin ukrainas për bisedime ekonomike dhe "për shkëmbim mendimesh lidhur me stadin e bisedimeve për paqen në Ukrainë". Më vonë u konfirmua se në këto bisedime do të marrin pjesë edhe "disa kryetarë shtetesh dhe qeverish europiane si dhe drejtues të BE dhe NATO-s". Presidenti ukrainas Zelenski ndodhet gjithashtu në Berlin.

Plani i SHBA-së parashikon lëshime territoriale nga Ukraina

SHBA rreth tri javë më parë paraqitën një plan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në versionin fillestar plani parashikonte shkëputje territoresh nga Ukraina duke i bërë lëshime Rusisë. Me insistimin e Ukrainës dhe të aleatëve europianë dokumenti u përpunua. SHBA presin megjithatë ende nga Ukraina që të bëjë lëshime territoriale ndaj Rusisë. Moska deri tani nuk ka shprehur aspak gatishmëri që të tërhiqet nga objektivat e saj të luftës dhe të pranojë bisedime diplomatike për fundin e luftës.

ard/dlf/welt/dpa

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW