Nisin verifikimet e dëmeve të përmbytjeve në qarkun e Shkodrës
24 Janar 2011
Situata e përmbytjeve që zgjati për afro 30 ditë në veriperëndim të Shqipërisë, tashmë është zëvëndësuar me atë të pas-emergjencës. Kanë nisur nga puna komisionet e verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve që shkaktuan përmbytjet e fillim dhjetorit të vitit të kaluar në qarkun e Shkodrës. Në zonat që u përfshinë nga ujërat në këtë rreth, janë ngritur dhe do të operojnë 9 grupe, secili me nga 14 anëtarë, të gjithë specialistë të zgjedhur nga dikastere të ndryshme. Grupet e verifikimit i përkasin dy kategorive; ai i vlerësimit të dëmeve në banesa dhe orendive dhe tjetri, për pasojat që janë shkaktuar në bujqësi e blegtori.
Thirrje për ndershmëri e transparencë
Drejtori i përgjithshëm i emergjencave civile Alfred Olli, kërkoi nga të gjithë specialistët e përfshirë në proçesin e verifikimit dhe vlerësimit një angazhim maksimal, ndershmëri e transparencë në përmbushjen e këtij misioni human:
“Ne sot kalojmë në një fazë të re, në atë të postemergjencës, proçes ky shumë i vështirë dhe tepër delikat. Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave, do të kalojmë direkt në terren, për të bërë vlerësimin dhe evidentimin nga grupet e punës të ngritura për këtë qëllim, në të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet."
Olli bazohet në vendimin përkatës që ka miratuar qeveria shqiptare, i cili parashikon në mënyrë të hollësishme të gjitha fazat sesi do të operojnë në vazhdim. Ai përcakton edhe ministritë e angazhuara në këtë proces, institucionet e hallkat e nevojshme, deri sa shkohet në fazën finale, atë të dëmshpërblimit të banorëve të zonave të dëmtuara.
Komision i përpiktë - Zëra nga rajoni
Banorët në shtëpitë dhe pronat e të cilëve kanë mbërritur komisionet, shprehen të kënaqur me punën e bërë nga specialistët që po verifikojnë dëmet. Jo vetëm në banesa por edhe në bagëti, shpendë e toka bujqësore: Një banor i Komunës Berdicë falënderon komisionin dhe grupin e gatshëm të emergjencës për verifikimin dhe shpërblimin e dëmëve të shkaktuara nga përmbytjet. Ai shprehet me besim se do të marrë dëmshpërblimet pas dëmëve të shkaktuara.
Ndërsa një banor tjetër vlerëson përpikmërinë në punën e komisionit gjatë vlerësimit të dëmeve. "Unë dhe banorët e tjerë të kësaj komune, e vlerësojmë grupin e specialistëve, të cilët po verifikojnë tepër mirë dëmet e shkaktuara nga uji. Nëse do të vazhdojnë kështu, puna ka për të ecur mbarë “.
Sipas afatit të vendosur nga qeveria, proçesi i verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve që shkaktuan përmbytjet e këtij fund viti 2010 në zonat e nënshkodrës dhe disa lagje periferike të qytetit, do të përfundojë brënda një afati dyjavor dhe më pas, pritet të fillojë kompensimi në lekë i dëmeve dhe pasojave të shkaktuara.
Autor: Leka Pllani
Redaktoi: Lindita Arapi