1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Niveli i lartë i informalitetit, asfiksues për ekonominë shqiptare

Arben Muka22 Korrik 2005

Raportet e fundit të institucioneve ndërkombëtare financiare, përllogarisin një nivel informaliteti në ekonominë shqiptare në rreth 40 përqind. Prof.dr. Halit Xhafa në Departamentin e Financave në Universitetin e Tiranës thote për DW, se ky informalitet është stimuluar në vite, nga mungesa e ligjit, mungesa e dëshirës së zbatimit të ligjeve, infrastrukturat shtetërore dhe fiskale të pakonsoliduara, duke vazhduar me keqpërdorimin e pushtetit, me etjen e madhe per t'u pasuruar, me fenomenin e kapjes se shtetit, që ndryshe njihet dhe si binjakëzimi politike -biznes, aktual në ekonominë shqiptare, ku situata monopoliste është tejet mbytëse

Pamje simbolike e korrupsionit dhe ryshfetit
Pamje simbolike e korrupsionit dhe ryshfetitFotografi: AP


Sot kemi një ushtri të tërë nëpunësish tatimorë, kontabilistësh të miratuar dhe ekspertësh kontabël që fatkeqësisht në kundërshtim me atë që duhet të bëjnë sipas ligjit, janë vënë në shërbim të hajdutërisë së tatimeve dhe taksave, duke legalizuar informalitetin, mendon Prof.Dr. Xhafa. Duke bërë pra, informalitet në emër të ligjit. Si një nga ekspertët më të njohur të kësaj fushe, Prof. Dr. Halit Xhafa shpreh nevojën e një reforme të thelle në këtë aspekt. Duhet ndryshuar mentaliteti në tërësi i opinionit për të dhënë sa më shumë kulturë fiskale tek çdo qytetar i këtij vendi. Pra, informaliteti nuk duhet te jetë problem vetëm i 10 apo 100 njerezve, apo i disa strukturave, por problem i mbarë opinionit publik.


DW:Profesor Xhafa, cilat janë shkaqet kryesore që kane çuar në këtë situatë me nje nivel shumë të lartë informaliteti në ekonomi?

Eshtë e qartë, se ekonomia informale në Shqipëri nuk u krijua në një ditë. Ajo është rrjedhojë e papërgjegjshmërisë ndër vite, aq sa tani informaliteti është në shifra asfiksuese për ekonominë. Stimulohet fillimisht nga mungesa e ligjit, mungesa e dëshirës së zbatimit të ligjeve, nga infrastrukturat shtetërore dhe fiskale të pakonsoliduara, duke vazhduar me keqpërdotimin e pushtetit, me etjen e madhe për t'u pasuruarar, me state capture ose kapjen e shtetit, që ndryshe njihet dhe si binjakëzimi politikë biznes, që është mëse aktual në ekonominë shqiptare, ku situata monopoliste është tejet mbytëse.

DW:Që ta bëjmë më të qartë, sa duhet të jetë niveli i pranueshëm i
informalitetit në ekonomi? Le t'i referohemi vendeve më të zhvilluara në botë.

Sigurisht që duhet bërë e qartë, se informaliteti në ekonomi nuk është, se duhet te jetë në nivelin zero. Kjo është naïve. Kjo nuk ndodh askund, as në vendet më të zhvilluara. Në këto shtete bëhen përpjekje, se si mund të menaxhohet informaliteti në nivele normale, që atje shkon të themi nga 5-7 perqind. Bëni tani krahasimin se çfarë ndodh në Shqipëri!


DW:Cilat janë treguesit e prezencës së informalitetit në ekonomi?

Janë mjaft të kapshme për çdo qytetar. P.sh të gjithë e shohim nivelin e lartë të veprimeve me para në dorë (ose ajo qe thirret "cash-izimi i ekonomisë"). E thënë më thjeshte, lëvizjet jashtë kanaleve bankare. Tjeter. Puna që bëjnë subjektet e biznesit me dy lloj bilancesh. Shlyerja e detyrimeve tatimore ne nje baze deklarimi aktivitet të dyshimtë. Mbajtje e kontabilitetit në dukje të saktë, por që në thelb eshte i fallsifikuar për të fshehur rezultatet faktike te aktivitetit etj. etj.
Shpesh këtu ecet me llogjikën, se po mashtrove është gjithmonë veshtirë të kapesh. Edhe nëse kapesh, drejtësia vjen me vonese. Kur vjen drejtesia me vonesë penaliteti është shume herë më i vogel, se sa perfitimi që ke patur nga mashtrimi.
Shteti për fat të keq vazhdon të demonstrojë pafuqishmeri. Perveç arsyeve politike nga ajo që permendëm më lart "state capture?", ka dhe arsye te karakterit infrastrukturor. Sepse në këtë aspekt kërkohet nje revolucion i thellë në fushën e dokumentacionit të vlerave monetare dhe materiale. Sot kemi nje ushtri te tere nëpunësish tatimore, kontabilistesh të miratuar, dhe eksperte kontabël që fatkeqesisht në kundërshtim me ate që duhet të bëjnë sipas ligjit ata jane vënë në shërbim të hajdutërisë së tatimeve dhe taksave, duke legalizuar informalitetin. Duke bërë pra, informalitet në emër t ligjit.

DW:Profesor Xhafa, cilat janë disa nga rrugët kryesore me të cilat luftohet informaliteti në ekonomi?

Dëshira dhe vullneti politik është parësor në këtë çështje, por jo i
mjaftueshëm. Në fushën e administrimit të taksave ky vullnet duhet të përçohet deri tek ai punonjësi më i fundit. Duhet një ndryshim rrënjësor në vlerësimin e bilanceve dhe dokumentacionit të çdo aktiviteti ekonomik, sepse mbi këtë bazë bëhet transparente çdo e ardhur dhe detyrim për bizneset. Ju jeni deshmitarë që sistemi i përdorimit të kasave është thjesht një utopi. Për fat të keq ato nuk përdoren duke i dhënë një efekt mjaft negativ mbledhjes së detyrimeve në formën e tatimeve dhe taksave. Kasat në çdo operator biznesi duhet të jenë pronë e Ministrisë së Financave, ashtu si jane p.sh aparatet matës të energjise elektrike pronë e
Korporates Elektroenergjitike Shqiptare. Edhe klasifikimi i bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha është bërë
deri me tani në të shumten e rasteve në mënyrë paradoksale. Për këtë duhet ndryshuar mentaliteti në tërësi i opinionit për të dhënë sa më shumë kulturë fiskale tek çdo qytetar i këtij vendi. Pra, informaliteti nuk duhet të jetë problem vetëm i 10 apo 100 njerëzve apo i disa strukturave, por problem i mbarë opinionit publik. Administrata fiksale duhet të ketë njerëz profesioniste dhe jo siç e kam thënë dhe herë tjetër injorantë me univesitet. Ajo nuk duhet të ketë një përbërje si deri më tani me mangësi profesionale, pse jo dhe morale.