1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frauen-WM

18 Korrik 2011

Kampionati Botëror i Futbollit për femra në Gjermani, për futbollistet gjermane nuk përfundoi siç shpresonin. Por të tjerë patën mundësi të gëzohen. Në përgjithësi kampionati ishte një sukses.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Nga këndvështrimi gjerman Kampionati Botëror i Futbollit për femra nuk ishte ëndërr vere, sepse princesha humbi para kohe. Por, i gjithë turneu mund të vlerësohet pa dyshim si i suksesshëm. Stadiumet ishin të mbushura mirë. Shikuesit e festuan Kampionatin Botëror si festë. Futbolli i meshkujve ka se çfarë të mësojë prej kësaj. Në një pjesë të mirë të turneut ekipet nuk ofruan vetëm zbavitje nga më e mira, po edhe sport të madh në nivel teknik, atletik dhe taktik.

Dallimet janë bërë më të vogla

Gjatë kampionatit ra në sy fakti, që performancat në futbollin e femrave po afrohen njëra me tjetrën. Qoftë Guineja Ekuatoriale, Kolumbia apo Zelanda e Re, edhe vende gjoja të vogla, që pas raundit të parë u detyruan të bënin gati valixhet, u paraqitën mjaft mirë. Kjo i shërbeu turneut. Prej ekipeve të favorizuara disa u eliminuan më herët sesa pritej. Çerekfinalja ishte stacioni i fundit për Anglinë, për Brazilin dhe për Gjermaninë. Edhe në futbollin e grave nuk mjaftojnë më performancat mesatare për të mbërritur në fazat e fundit të Kampionatit Botëror.

Lehtësia mungonte

Duket se ekipi gjerman dështoi para së gjithash prej pritjeve të mëdha. Si vetëkuptueshëm opinioni publik llogariste me fitoren e titullit të tretë me radhë Kampion Bote prej skuadrës së trajneres Silvia Neids. Por lehtësia humbi kur ndeshjet u bënë serioze. Potencialin e vet të vërtetë skuadra e tregoi vetëm në ndeshjen në grup kundër Francës. Trajneres Neid, iu desh me të drejtë të dëgjonte kritikë. Vendimi i saj i diskutueshëm për ta lënë Birgit Prinz në stolin e rezervave, ishte i drejtë. Tri herë futbollistja më e mirë e botës dhe lojtarja rekordmene e ndeshjeve për kombëtaren luajti plotësisht nën formë.

Balsam për shpirtin

Një ngushëllim i vogël: Gjermania u eliminua prej kampionit të mëvonshëm të botës. Japonezet janë një titullar i denjë. Të forta në lojë, të disiplinuara taktikisht, një njësi si skuadër. Kësisoj në fund pati një ëndërr vere: për Japoninë, e cila pas katastrofës së cunamit dhe asaj bërthamore pranverën e kaluar kishte nevojë urgjente për balsam për shpirtin kombëtar të munduar.

Autor: Stefan Nestler/ Elert Ajazaj
Redaktoi: E. Xhani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW