1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një Berlinale triumfuese për shqiptarët

20 Shkurt 2011

Si kurrë më parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin merrnin pjesë shqiptarët. Dhe ata të gjithë u larguan nga kjo ngjarje me nga një çmim.

Joshua Marston dhe Andamion MuratajFotografi: AP

Çmimin më të madh e morën kineasti amerikan Joshua Marston dhe ai shqiptar Andamion Murataj të shtunën (19.2.) në galën përfundimtare me Ariun e Argjendtë të Berlinales së 61-të për skenarin e filmit “Falja e Gjakut. “Fakti që këtë çmim po e ndaj me Andamionin më gëzon veçanërisht. Sepse ai pasqyron më së miri bashkëpunimin e mrekullueshëm mes nesh. Për mua ky i dedikohet Shqipërisë, ndërsa Andamioni ua dedikon shkodranëve, pa të cilët ky skenar nuk do të ishte realizuar”, tha regjisori amerikan Joshua Marston.

Filmi, për prodhimin e të cilit, përveç ShBA-së dhe Shqipërisë, kanë dhënë ndihmesën edhe Danimarka dhe Italia, trajton pasojat komplekse të gjakmarrjes në Shqipërinë e sotme. Skenari i filmit është ndërtuar në bazë të intervistave të shumta që dy skenaristët zhvilluan gjatë një udhëtimi njëmujor në Shkodër e rrethinë.

Alimani merr çmimin e C.I.C.A.E

Por edhe debutimi i Bujar Alimanit në metrazhin e gjatë, Amnistia, që u shfaq në serinë e filmave autorialë "Forum" nuk mbeti pa gjë. Ai jo vetëm që u lavdërua nga gazetarët e akredituar, por fitoi edhe çmimin e pavarur të Confédération Internationale des Cinémas D´Art et Essai (C.I.C.A.E.), Juria e përbërë nga Holger Lüsch, Davide Borghini dhe Sonata Zalneraviciute e justifikoi dhënien e çmimit sidomos për skenarin origjinal, montazhin, kamerës, ngjyrat, lojën e aktorëve dhe intensitetin me të cilin ishin krijuar portretet e tyre. "Amnistia" është një prodhim shqiptaro-greko-francez që tregon copëza nga jeta e njerëzve të periferisë në Shqipërinë e sotme. Fillin e kuq të filmit e ruan historia e dashurisë ndërmjet një gruaje dhe një burri që shkojnë të vizitojnë bashkëshortët e tyre në burg.

Shooting Star Nik Xhelilaj

Një triumf tjetër për kinematografinë shqiptare ishte prezantimi Nik Xhelilajt në programin Shooting Stars 2011. Programi i Agjencisë për Promovimin e Filmit Evropian (EFP) zgjedh dhjetë aktorët më shpresëdhënës të kinematografisë evropiane dhe organizon një program promovues në mbarë botën. Xheililaj e fiitoi këtë çmim për lojën e tij në prodhimin gjermano-shqiptar "Shqiptari".

QKK-ja për herë të parë në EFM

Ky film u shfaq në Tregun e Filmit Evropian, i cili zhvillohet gjithmonë në kuadër të Berlinales dhe ku për herë të parë merrte pjesë zyrtarisht Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë. Pjesëmarrj e parë e Shqipërisë në Berlinale u shndërrua kështu në një sukses të vërtetë.

Autore: Anila Shuka

Redator: Bahri Cani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë