Një boksier dëshiron të shpëtojë Ukrainën
28 Tetor 2012UDAR është shkurtesa për "Aleanca Ukrainase Demokratike për Reforma", por "udar" në ukrainisht do të thotë "goditje". Aluzioni është i qëllimshëm dhe synon të nxjerrë në pah karrierën e themeluesit të partisë si boksier profesionist. Zgjedhjet e së dielës mund ta ndryshojnë jetën e Klitschkos, sepse partia e tij "Udar" konsiderohet si një prej favoritëve.
Bota mes Kiev-it dhe Hamburgut
Ishte një rrugë e gjatë ajo që djalin e një oficeri të ushtrisë sovjetike dhe një mësueseje e solli në majë të sportit botëror. Vitali Klitschko ka lindur në vitin 1971 në republikën e Azisë Qendrore, Kirgizi, ku babai i tij ndodhej me shërbim. Në moshën 13 vjeçare Vitali veshi për herë të parë dorezat e boksit. Boksi u kthye pastaj në pasionin e tij. Fillimisht ai filloi si kikbokser amator, shkoi në SHBA, u bë kampion i shumëfishtë botëror. Pastaj ai filloi me karrierën e tij si bokiser profesionist.
Në vitin1996 Vitali me vëllain e tij më të vogël Vladimirin erdhën në Gjermani. Nga Hamburgu vllezërit Klitschko boksuan në radhët e boksierëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ëndrra për të sjellur në shtëpi medaljet më të rëndësishme të botës në peshën e rëndë u bë realitet në vitin 2008.
Pengesat politike
"Politika: Mirë! Sporti: shumë mirë. Si një Klitschko i vërtetë". Këtë porosi me të cilën vëllezërit Klitschko bëjnë reklamë për një gazetë bulevardeske në Gjermani, e zbukuron realitetin. Sepse, ndryshe nga sporti Vitali Klitschko aktualisht nuk ka pasur ndonjë sukses të madh në politikë. Interesin e tij për politikë sportisti Vitali e demonstroi qysh në vitin 2004, kur ai iu bashkangjit të ashtuquajturit "Revolucioni i Portokalltë" dhe u vendos në anën e kandidatit presidencial pro-perëndimor Viktor Jushçenko. Më vonë ai u bë këshilltar i Jushçenkos. Në vitin 2006 Klitschko u përpoq që në krye të një aleance partiake të futet në parlament, por nuk ia arriti qëllimit.
Vitali Klitschko u përpoq dy herë, por pa sukses të bëhet kryetari i bashkisë në kryeqytetin ukrainas. Megjithatë ai nuk është dekurajuar nga dështimet e tij. Boksieri ia arriti të krijojë një grupim të tij në Këshillin e Qytetit Kiev.
Në vitin 2010 partinë pothuajse të panjohur të tij "Vendi i ri" ai e riemërtoi në "UDAR". Që atëherë popullariteti i tij është trefishuar në vend. Me moton e thjeshtë: "është koha për UDAR (të goditur)" Klitschko angazhohet për veten dhe partinë e tij e cila në spektrin plitik është pozicionuar te "qendra e djathtë". Sidomos ukrainasit e rinj nëpër qytete dëshirojnë që votën e tyre t'ia japin Klitschkos, parashikojnë analistët. Në anketat e fundit, partia e Klitschkos rezulton me rreth 15 për qind të votave dhe kështu pak pas koalicionit opozitar "Batkiwschtschina" (Atdheu) zë ish-kryeministres së burgosur Julia Timoshenko. Partia e Rajoneve në pushtet prin me rreth 23 për qind.