1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një film për pasojat komplekse të gjakmarrjes

20 Shkurt 2011

"The Forgiveness of Blood" fokusohet në pasojat e gjakmarrjes mbi brezin e ri dhe tregon sfidat në luftën mes modernes dhe arkaikes

Tristan Halilaj, Joshua Marston dhe Sindi Laçej tek tapeti i kuq i Berlinales, të premten, 18 shkurt 2011, me rastin e premierës botërore në Berlinale PalastFotografi: picture-alliance/dpa

Niku, një 17 vjeçar nga veriu i Shqipërisë është në klasën e fundit të gjimnazit. Ai ka rënë në dashuri me një vajzë dhe ëndërron që me të mbaruar shkollën të hapë një kafene me internet. Edhe Rudina, e motra, e cila është 15 vjeçare, ëndërron të vazhdojë universitetin kur të përfundojë gjimnazin.

Niku (Tristan Halilaj) detyrohet të ngujohetFotografi: Berlinale

Por befas ndodh diçka që do t'ua ndryshojë jetën dy të rinjve. Familja bie në një grindje për tokën dhe dhe i ati i tyre Marku akuzohet për vrasje. Niku dhe Rudina bien në rrethin vicioz të gjakmarrjes.

Vajzat më të forta se djemtë

Ndërsa Niku, i cili sipas kanunit duhet të rri i ngujuar, bie në
depresion, Rudina, e cila merr në dorë biznesin e të atit, sa vjen e forcohet. Sindi Laçej, e cila luan Rudinën e njeh këtë situatë nga afër. Ajo jeton në Shkodër dhe ka pasur rastin të njohë shumë bashkëmoshatare të saj, që kanë fatin e protagonistes 15-vjeçare.

“Rrethanat i detyrojnë vajzat të bëhen më të forta se djemtë, sepse ato duhet të sigurojnë mbijetesën e familjes. Edhe Rudina rritet, dhe forcën që ka nga brenda e nxjerr jashtë”, u shpjegoi gazetarëve të huaj Sindi Laçej, në konferencën e shtypit me rastin e premierës botërore në Berlin. Prodhimi amerikano-shqiptar "Falja e gjakut" ishte filmi i fundit, që mbylli të premten (18.2.), garën për “Ariun e Artë” të Berlinales.

Rudina (Sindi Laçej) lë shkollën për të mbajtur familjenFotografi: Berlinale 2011



Lojë e natyrshme

Laçej doli para shtypit me një vetëkuptueshmëri dhe sovranitet, thua se gjithë jetën e kishte kaluar nëpër skena. Në fakt, si Laçej ashtu edhe Tristan Halilaj e shumë aktorë të tjerë të rinj që luajnë në film, nuk kishin dalë ndonjëherë para kamerave më parë. Muaj të tërë regjisori amerikan Joshua Marston dhe kineasti shqiptar Andamion Murataj kishin kaluar nëpër audicione në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, derisa kishin gjetur kombinimin e përshtatshëm të familjes.

“Unë e ndjeva që në momentin e audicionit se sa me përkushtim e kishte nisur punën Joshua. Në Shkodër kishte gjetur fëmijët, Nikun dhe Rudinën, Dritën e gjeti në Kosovë, kolegen Ilire (Vinca Çelaj) dhe pastaj erdhi në Maqedoni, ku gjeti babën dhe pastaj filloi procesi i krijimit të kimisë brenda një familje”, - rrëfen Refet Abazi, i cili luan rolin e babait.

Marston gjatë xhirimeve në ShkodërFotografi: Berlinale 2011

Si rrallë ndonjëherë më parë në filmat shqiptare dialogët tingëllojnë më se të natyrshëm. Kjo është jo vetëm meritë e lojës së aktorëve, por edhe hulumtimit të gjatë të Marston dhe Muratajt në familjet e Shqipërisë së veriut, ku arritën të mblidhnin me qindra anekdota, sidomos nga jeta e
të rinjve.

Karakter universal

Joshua Marston nuk donte të bënte një film për gjakmarrjen, por për konfliktin mes të resë dhe të vjetrës. “Për mua është një histori për konfliktet ndërmjet brezave, të resë dhe të vjetrën. Ka pasur shumë filma më parë për këtë temë, gjakmarrjen në Shqipëri, gjakmarrjen në Kalabri, apo në vende të tjera, por ato janë marrë me fenomenin vetë. Mua më interesonte konflikti ndërmjet tradicionales dhe arkaikes, sidomos në një shoqëri tranzicioni.”

Regjisori Joshua MarstonFotografi: Berlinale

Filmi i Marstonit kështu i tejkalon kufijtë e Shqipërise dhe merr karakter universal. Aty mund ta gjejnë veten shumë e shumë të rinj, që bëhen pre e tradicionalizmit, qofshin ata në Shqipëri nga gjakmarrja, në Sudan nga gjymtimi i organeve gjenitale, apo gjetkë. Në të gjitha këto raste ata bien në situata absurde, ku nga njëra anë ndjekin traditën arkaike të prindërve të tyre dhe në anën tjetër çatojnë nëpërmjet Facebook-ut me bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë. Se sa komplekse është lufta ndërmjet modernizmit dhe tradicionalizmit, kjo është ajo që ka dashur të tregojë regjisori amerikan. Kjo bëhet e qartë sidomos në fund të filmit, të cilin publikut shqiptar po ia lëmë ta zbulojë vetë.

Autore: Anila Shuka

Redaktoi: Eliana Xhani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë

Zbulo më shumë

Trego më shumë video