1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermano-iraniani dënohet me vdekje në Teheran

Notker Oberhäuser
22 Shkurt 2023

Një gjykatë revolucionare në Teheran e konsideron 67-vjeçarin gjermano-iranian Sharmahd përgjegjës për një sulm terrorist. Gjermania dënon ashpër këtë vendim.

Djamshid Sharmahd në gjykatë
Djamshid Sharmahd në gjykatëFotografi: Koosha Falahi/Mizan/dpa/picture alliance

Një shtetas gjermano-iranian është dënuar me vdekje në Iran. Një gjykatë revolucionare në Teheran e ka shpallur përgjegjës gjermano-iranianin Djamshid Sharmahd, ndër të tjera, edhe për një sulm terrorist, njoftoi portali i drejtësisë Misan. Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë, bëhet e ditur.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e përshkroi vendimin si "absolutisht të papranueshëm". "Jo vetëm që dënimi me vdekje është mizor, çnjerëzor dhe degradues, por Djamshid Sharmahd asnjëherë nuk ka pasur as mundësinë më të vogël për një gjykim të drejtë”, tha Baerbock në një deklaratë në Berlin. Në të njëjtën kohë, ministrja njoftoi se shqiptimi i dënimit me vdekje "do të ketë si pasojë një reagim të qartë të Berlinit”.

Annalena Baerbock e quan "absolutisht të papranueshëm" denimin me vdekjeFotografi: Thomas Koehler/photothek/picture alliance

Ministria e Jashtme është angazhuar për lirimin e të arrestuarit, "që nga arrestimi i tij, i cili ndodhi në rrethana shumë të dyshimta", thuhet në deklaratë. "Këto përpjekje intensive të Gjermanisë u shpërfillën nga Irani dhe neve na u mohua vazhdimisht qasja konsullore dhe pjesëmarrja në seancat e gjykimit."

Arrestimi në Dubai në vitin 2020

Autoritetet iraniane e fajësuan Sharmahd për planifikimin e disa sulmeve terroriste. Gjykata e akuzoi edhe për bashkëpunim me shërbime sekrete të huaja. Akuzat nuk mund të verifikohen. Sipas opinionit ligjor islam në Iran, 67-vjeçari akuzohej për "korrupsion në tokë”.

Sharmahd është arrestuar nga inteligjenca iraniane në Dubai në verën e vitit 2020 dhe më pas u dërgua në Iran. Që atëherë ai ka qenë i burgosur në Teheran. Sharmahd më parë ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vite me radhë. Familja e tij dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë mohuar më parë akuzat kundër tij. Sharmahd ishte i përfshirë në grupin opozitar në mërgim "Tondar" në SHBA, i cili angazhohet për kthimin e monarkisë.

Gjyqësori i Iranit e konsideron organizatën përgjegjëse për një sulm në një xhami në qytetin Shiras në vitin 2008, ku u vranë disa njerëz. Për këtë vepër janë ekzekutuar tashmë tre persona. Si inxhinier dhe ekspert i IT, Sharmahd mori pjesë edhe në një program radiofonik të drejtuar nga grupi në mërgim.

Djamshid Sharmahd në gjykatë në TeheranFotografi: Koosha Falahi/Mizan/dpa/picture alliance

Në faqen e internetit të këtij grupi, e cila është fshirë pas arrestimit të tij, thuhej në vitin 2019, se në këtë emision në radio transmetohen përmbajtje mbi politikën dhe historinë, por edhe udhëzime se si të rezistosh. "Tondar” denonconte përndjekjen e anëtarëve të saj nga Republika Islamike.

Merz kërkon dëbimin e ambasadorit iranian

Irani i trajton shtetasit që kanë dyshtetësi ligjërisht si iranianë. Amnesty International e përshkroi më parë gjyqin si një farsë. Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz kritikoi ashpër dënimin me vdekje. Kjo është një fyerje, shkroi Merz në Twitter. "Ai nuk kishte një avokat të cilit i besonte, ndërsa ambasada gjermane nuk kishte qasje konsullore në këtë proces”. Merz kërkoi që marrëdhëniet diplomatike me Iranin të ulen në të ngarkuar me punë. Në këtë rast ambasadorët do të dëboheshin apo të tërhiqeshin.

Friedrich Merz, kryetar i CDUFotografi: Axel Heimken/dpa/picture alliance

Në fillim të janarit, Merz njoftoi se do të merrte përsipër patronazhin politik për Sharmahd. "Me marrjen në patronazh dua të jap një shembull për të gjithë burrat dhe gratë që po luftojnë për një jetë të lirë dhe të vetëvendosur në Iran”, thuhet në llogarinë e Merz në Twitter. "Bota vetëm po shikon se çfarë po ndodh në Iran”.

Disa shtetas evropianë po mbahen aktualisht në Iran, shumë prej të cilëve janë gjithashtu me kombësi iraniane. Kritikët akuzojnë Iranin për mbajtjen e shtetasve të huaj si pengje politike. Teherani i mohon akuzat dhe zakonisht i justifikon arrestimet me akuza për spiunazh.

 

 

bc/nob/uh (dpa, afp, rtr)