Një histori plot kthesa
7 Dhjetor 2010
“Etërit mund të jenë të këqij, por fëmijët mund të emancipohen”, thotë Profesor Ulf Brunnbauer kur flet për historinë e institucionit që ai drejton. Instituti Jug Lindje, ose në gjermanisht: Sued Ost Institut (SOI), sot gjendet në një ish-ndërtesë të zyrës fiskale në Regensburg, por ai u themelua në Mynih, në vitin 1930, pikërisht kur Republikës së Vajmarit po i vinte fundi dhe në Gjermani po depërtonte nazizmi.
“Etër të këqij” i quan Brunnbauer themeluesit e institucionit, sepse shkenca e tyre kishte qëllime politike. “Objekti i hulumtimit ishin pakicat gjermane në Evropën Lindore dhe Juglindore dhe synimi ishte ruajtja e tyre nga ndikimet e vendasve: për shembull gjermanët e Çekosllovakisë nga çekizimi”, thotë Brunnbauer.
Në shërbim të nazizmit
Të këqij ishin etërit edhe për shkak të lidhjeve të tyre me nazizmin: Karl Alexander von Mueller, profesor kreut nazist Herrman Goehring, dhe më vonë vetë anëtar i Partisë Punëtore Nacional-Socialiste (NSDAP) e Fritz Valjavec, një gjermano-hungarez me pasaportë jugosllave, i cili mori në dorë frenat e institutit që nga viti 1935 e deri sa vdiq në vitin 1960.
Por Valjaveci, themeluesi i revistës “Hulumtimet e Jug Lindjes”, që vazhdon të publikohet deri më sot, ka mbetur një figurë e diskutueshme: “Nga njëra anë, ai e ktheu orientimin e Institutit nga Evropa Juglindore dhe historia e saj, por nga ana tjetër shkenca e tij kishte karakter luftarak dhe i shërbente politikës ekspansioniste të nazizmit”, sqaron Brunnbauer.
Mbas fillimit të Luftës së Dytë Botërore Instituti u vendos tërësisht në varësi të organeve të sigurimit të Rajhut të Tretë. “Njohuritë e mbledhura në të përdoreshin nga Wehrmachti dhe Gestapo për të depërtuar më mirë në zonat e Ballkanit”, thotë Brunnbauer. Një manual për Jugosllavinë dhe Greqinë ishte njëri nga rezultatet e asaj kohe. Ende i pandriçuar përfundimisht është roli i Fritz Valjavecit, gjatë luftës si ish-anëtar i forcave speciale naziste në kufirin rumuno-hungarez. Kur pas luftës filluan hetimet për këtë çështje, Vajaveci pësoi infarkt në zemër, thuhet në Wikipedia.
Megjithëse Instituti vetë vite më parë i ka kushtuar kësaj etape një simpozium të tërë me referate kundërthënëse, historiani nga Lajpcigu Stefan Troebst mendon se figura e Valjavecit ka mbetur ende e pasqaruar plotësisht. „Ndër të tjerash nuk është shumë e qartë se si Valjaveci, me gjithë të kaluarën e tij naziste, arriti t'i bindte organet e pasluftës për të rihapur Institutin në Mynih dhe për t'u vënë vetë në krye të tij”, thotë Troebst.
E ardhme elitare?
Sot Instituti i Evropës Juglindore – që për shkaqe financiare në vitin 2007 u transferua në Regensburg - është një nga adresat kryesore jashtëuniversitarë të bibliografisë shkencore mbi dhe nga Ballkani. Këtë reputacion e ka arritur falë drejtuesve të tij të mëvonshëm, Mathias Bernath dhe Edgar Hoesch, të dy ballkanologë shumë të njohur në hapësirën gjermanofone. Njëri nga botimet e rëndësishme të këtij instituti ishin kujtimet e Eqrem Bej Vlorës në vitin 1969, vë në dukje Troebst. Për lidhje të vazhdueshme me hapësirën shqipfolëse kujdeset aktualisht drejtori ekzekutiv i Institutit Konrad Clewing, njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe njëri nga gjashtë shkencëtarët e institutit. Krahas publikimeve të periodikëve, instituti organizon edhe një sërë simpoziumesh e aktivitetesh për Ballkanin, e kohët e fundit edhe për Kosovën.
Duke filluar që nga viti i ardhshëm Instituti Jug Lindje do të shkrihet zyrtarisht në të ashtuquajturën Qendër Shkencore për Evropën Lindore dhe Juglindore: WIOS. Profesor Ulf Brunnbauer këtë ndryshim e shikon si një shans. “Ne nuk na kanë zënë ende depresionet e pleqërisë“, thotë ai dhe kumton se WIOS do të kandidojë për t'u anëtarësuar në Bashkësinë Shkencore Leibnitz, njëra nga organizatat elitare të shkencës në Gjermani.. Në se ky kandidim do të ketë sukses, atëherë Instituti Jug Lindje sërish do të hapë një kapitull të ri në historinë e studimeve të Evropës Juglindore.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama