1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një i ri gjerman lobon kundër luftës në Siri

Anja Küppers McKinnon/Elona Elezi29 Gusht 2012

Kur Philip von der Wippel, nxënësi 16-vjeçar gjerman, që shkollohet në Britani, takoi Ibrahimin, shok i shkolle me origjinë nga Siria, askush s'mendoi se miqësia e tyre do t´i çonte në Downing Street Nr. 10.

Philip Von Der Wippel në Londër
Philip Von Der Wippel (djathtas) në LondërFotografi: DW

Me flokët e tij të verdhë e të prerë me kujdes, buzëqeshje të ngrohtë dhe një shtrëngim entuziast dore Philip Von Der Wippel është mjaft i pjekur për moshën, që ka. Nga Mynihu në Gjermani Philip po kalon dy ditë në kryeqytetin britanik. "Dje në mbrëmje anëtari i Parlamentit David Morris i prezantoi Dhomës së Përfaqësuesve peticionin tonë me 1 mijë firma, për t´u kërkuar mbështetje për njerëzit, që po vuajnë në Siri", i thotë ai DW. 

Njëmijë firmat e peticionit u mblodhën nga Philip dhe miqtë e tij për t´i kërkuar qeverisë britanike mbështetjen për njerëzit në Siri dhe ndihmën për të dëbuar presidentin sirian Assad. David Morris është anëtari i Parlamentit, i cili përfaqëson zonën në veri të Anglisë, ku Philip kaloi tre muaj të shkollës së tij të shkëmbimit. Morris i prezantoi peticionin Dhomës së Përfaqësuesve dhe një ditë më vonë 16-vjeçari shkoi bashkë me të, për të prezantuar një kopje të peticionit në Rrugën Downing Nr. 10.

Bisedë fatlume

Ajo, që po ndodh aktualisht në Siri, është shumë larg nga Shkolla e Mesme e Heysham-it në Lancashire, ku Philip jetoi gjatë programit. Qëllimi i tij ishte të mësonte rreth një kulture të re dhe të përmirësonte gjuhën angleze. Ai nuk ia kishte idenë se një bisedë fatlume në Starbucks me mikun e tij të ri Ibrahim me origjinë nga Siria, do ta çonte atë drejt portës së njeriut më të pushtetshëm në Mbretërinë e Bashkuar. "E mbaj mend shumë mirë atë ditë. Ne thjesht po flisnim për situatën në Siri, rreth të cilës unë isha në dijeni dhe ai ishte i tmerruar rreth situatës së bombardimeve dhe i shqetësuar rreth kushërinjve, që ishin plagosur dhe më pas më dha idenë e shpejtë se donte të bënte diçka… dhe në thamë, çfarë mund të bëjmë si studentë?´ Dhe kjo ishte forca jonë, sepse jemi kaq të rinj dhe mund të prekim zemrat e brezave të rinj", thotë Philip.

Philipp, Ibrahim dhe katër studentë të tjerë nisën fushatën: "Së bashku ne mundemi, për Sirinë." Ata ndanë histori personale, si për shembull atë të një djali sirian 13-vjeçar, i cili ishe torturuar e më pas ishte vrarë." Ai ishte një nga djemtë e parë të rinj, i cili u burgos, torturua e më pas u vra. Dhe kjo është ajo, çka ne treguam, nuk ishin të rriturit, që nisën revoltat. Ishte një grup të rinjsh, të cilët nisën kryengritjet, rreth 6 nxënës, që shkruajtën një fjali në mur dhe kjo ndryshoi të gjithë vendin dhe kjo është ajo, që duam të tregojmë, që një hap i vogël mund të ketë impakt të madh", tha ai për DW.

Plani i veprimit

Djemtë krijuan një plan veprimi – ata bënë prezantime në shkollën e tyre dhe në tjera shkolla në zonë, organizuan marshime, shpërndanë lajmin në Facebook dhe Twitter… dhe ata ishin të mrekulluar nga reagimet. "Ishte kaq e pabesueshme dhe kaq e papritur, kur ne pamë nxënës të rinj, që ishin të motivuar për këtë çështje…dhe shumë prej tyre qanë, kur panë këto filma dhe prezantime."

Ajo, që e kaloi fushatën nga niveli lokal në nivel kombëtar, ishte takimi i Philip me kryebashkiakun e Lancaster. Nga ana e tij kryetari i Bashkisë e prezantoi Philip me anëtarin e Parlamentit David Morris, duke e drejtuar udhëtimin e paharrueshëm në Westminister dhe Rrugën Nr. 10. "Gjithmonë kam menduar, se nëse ushtroni presion në njëfarë mënyre, kjo do të ketë një efekt, duhet të ketë një efekt, në këtë mënyrë kanë ndryshuar ngjarjet botërore. Ne jemi një hallkë e vogël në zinxhirin njerëzor dhe nëse kjo hallkë kalon nga njëra zonë në tjetrën, atëherë ndërtohet një urë. Dhe kjo është diçka shumë e mirë, apo jo?" tha David Morris për DW. 

Rruga Downing Nr. 10

Pas një vizite në rezidencën e ambasadorit gjerman, djemtë mbërritën në Rugën Downing të lumtur për takimin me vetë kryeministrin David Kameron. "Mendojmë se sapo u largua me automjetin e tij," thonë të mërzitur djemtë. Por përveç zhgënjimit nga fakti, që nuk u takuan me kryeministrin, ata bënë disa fotografi dhe trokitën në derë.

Një zyrtar i Rrugës Downing i përshëndet me përzemërsi dhe merr në duar peticionin, me premtimin se ai do t´i dorëzohet zyrës së kryeministrit. I gjithë procesi zgjat vetëm 15 sekonda, por Ibrahimi është i mahnitur nga eksperienca. "Është mahnitëse, shokuese. Kam ndjesinëm se nuk është e vërtetë," thotë ai.

Familja e Ibrahimit u transferua nga Siria për në Mbretërinë e Bashkuar 15 vite më parë, por ata kanë ende familjarë dhe miq atje. Kur në titujt kryesorë të lajmeve publikohet dhuna në Siri, Ibrahimi ishte i vendosur për t´i bërë njerëzit, kryesisht të rinjtë, që të kuptojnë se çfarë po ndodh vërtet atje. Në përgjigjje të peticionit të tyre dhe letravem që ka marrë në mbështetje të fushatës: „Së bashku ne mundemi, për Sirinë," kryeministri David Kameron tha, se ndan të njëjta shqetësime me nxënësit dhe Britania po rrit presionet e saj ndaj presidentit sirian Assad.