1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Porträt Eichinger

26 Janar 2011

Bota kinematografike mban zi për producentin më të njohur gjerman, Bernd Eichinger. Ai ndërroi papritur jetë në moshën 61-vjeçare, në Los Angeles.

Producenti gjerman Bernd Eichinger.
Producenti gjerman Bernd Eichinger.Fotografi: picture-alliance/dpa

Bernd Eichinger ishte një producent me mish e shpirt, dhe shpesh cilësohej si i vetmi producent gjerman filmash, i cili luante në kampionatin e Hollivudit. Kjo është e vërtetë pasi askush në Gjermani nuk ka prodhuar në mënyrë të vazhdueshme si ai filma me buxhet të madh. Karriera e tij si producent është e pasur me suksese kinemaje. Kjo filloi me suksesin e filmit "Wir Kinder vom Bahnhof Zoo" (1981) dhe vazhdoi me vepra si "Historia e pafund", "Emri i trëndafilit" dhe "Shtëpia e shpirtrave"

Filmi "Parfumi": Producenti Bernd Eichinger regjisori Tom Tykwer dhe aktori Dustin Hoffman.Fotografi: dpa

Më i njohur se shumë regjisorë

Vitet e fundit këtyre iu shtuan filma si "Parfumi", "Nënshtetasi i perandorisë", "Pjesëza elementare" apo "Kompleksi Baader Meinhof". Pjesa më e madhe e tyre rezultuan si suksese në sallat e kinemasë. Eichinger zuri kështu një vend të konsoliduar në historinë e kinemasë gjermane të pasluftës. Asnjë producent tjetër nuk ishte aq i suksesshëm. Emri Eichinger është me siguri i dëgjuar edhe për ata që njohin vetëm regjisorë dhe aktorë.

Që prej mesit të viteve '70, Eichinger i lindur në vitin 1949 në Neuburg buzë Danubit, u angazhua në funksione të ndryshme të biznesit kinematografik. Si procudent i pavarur, si bashkëpronar drejtues në firma të mëdha producente, si ekspert për blerje dhe huazim filmash. Eichinger ndihej në shtëpi në Hollivud njëlloj si në Gjermani. Ai arrinte të angazhonte vazhdimisht në filmat e prodhuar prej tij, yje ndërkombëtarë të kinematografisë si Sean Connery apo Dustin Hoffman.

Mbështetës edhe i filmave të vegjël

Në qendër të diskutimeve, kur diskutohej një prej filmave të tij, ishte shpesh emri Eichinger dhe jo emri i regjisorit përkatës. Nuk duhet harruar edhe se Eichinger ndihmoi në realizimin e shumë filmave më pak të njohur, në vitet '70 për shembull punime të Edgar Reitz dhe Alexander Kluge. Ai kishte filluar karrierën si student i shkollës së lartë profesionale të kinematografisë në Mynih, si regjisor. Në vitin 1996 ai e provon edhe një herë veten si regjisor dhe jo pa rezultat (filmi "Vajza Rosemarie")

Që Bernd Eichinger në skenën gjermane të filmit dhe veçanërisht në shtypin e shkruar nuk ishte shumë i preferuar, ka të bëjë me mënyrën e bërjes së shumë prej filmave të tij. Vënia në skenë e veprave letrare në filmat e tij thuajse pa përjashtim shfaqte një nivel sipërfaqësor, të përshtatshëm për masat. Romane me volum prej qindra faqesh në filmat e tij përmblidheshin në versione të shkurtra të tipit "Reader´s Digest". Yje të mëdhenj të kinematografisë para kulisave shumëngjyrëshe, ushtri të tëra figurantësh dhe truke të përpunuar teknike - këto ishin tiparet dalluese të filmave të Eichingerit.

Bernd Eichinger i përgjigjej klishesë së një producenti filmash. Për këtë disa e donin, por të tjerë shihnin tek ai më shumë një producent të suksesshëm në planin komercial por me pak influencë. Megjithatë, ai është unik në kinematografinë gjermane. Bernd Eichinger mori një rol të rëndësishëm në spektrin e skenës gjermane të kinemasë: dhe tani aty një vend ka mbetur bosh.

Autor: Jochen Kürten / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW