Nekrologji Johannes Heesters
25 Dhjetor 2011
Johannes Heesters ishte një aktor i rekordeve të shumta. Ai ka aktruar më shumë se 1600 herë, rolin e Grafit Danilo apo dhe në operën "Vejusha lozonjare" - ku ka luajtur rolin më të rëndësishëm. Me frak, shall prej mëndafshi dhe me shampanjë në dorë shihej shpesh në opinion. Një prej rekordeve të tij është edhe paraqitja për 90 vjet me radhë në skenë. Johannes Heesters ishte aktori më i vjetër në botë.
"Gjithmonë më thonë: Heesters a me të vërtetë keni nevojë të punoni kaq shumë? Ndërsa unë përgjigjem: po, pse jo? Deri sa mund të punoj ndjehem shëndosh." - thoshte shpesh aktori.
Karriera e suksesshme e Johannes Heestersit filloi në vitet 1930-të në Vjenë dhe në Berlin. Ai ka lindur në vitin 1903 në Amersfoort të Holandës, si fëmija e katërt në një familje tregtarësh. Në fillim ai donte të bëhej prift. Më pas mësoi zanatin e tregtarit, ndërsa në vitet 1920 doli për herë të parë në skenë në Amsterdam. Tealenti i tij si këngëtar u zbulua rastësisht, pasi në një koncert mungonte zëri i tenorit: "Kolegët thanë: ja këtu është Heestersi i cili tërë kohën pështillet në garderobë dhe na çmendi. Ai di të këndojë!"
Sukseset e tij më të mëdha Heesters i ka përjetuar në kohën e Gjermanisë naziste, me operetën Deutschland in Revue. Bashkëkombasit e tij holandezë nuk ia kanë faluar kurrë këtë rol. Megjithatë në vitin 2008 ai mbajti një koncert të madh në vendlindjen e tij në Amersfoort. Johannes Heesters nuk ka qenë kurrë anëtar i partisë nacionalsocialiste dhe pohonte se ishte njeri apolitik. Por ai i kishte rregulluar punët me regjimin nazist. Ndërsa një vizitë në kampin e përqendrimit në Dahau ka hedhur një hije të madhe mbi emrin dhe figurën e tij. Thuhet se ai ka dhënë koncerte edhe para trupave famëkeqe SS, por vetë Heesters i ka përgënjeshtruar këto pohime.
"Ka qenë një orkestër e të burgosurve në një shesh të madh dhe ata kanë luajtur. Mua më kanë vendosur diku anash. Ndërsa më vonë thonin se kam kënduar me orkestrën, që nuk është e vërtetë. Unë vetëm kam dëgjuar dhe asgjë më shumë. Betohem për nder të familjes!"
Ajo që është e pakonstestueshme është suksesi i Heestersit si aktor filmi. Deri në vitet 90-të ai ishte shumë i dashur tek femrat. "Personi që është në skenë duhet të jetë interesant dhe të ketë një personalitet." - thoshte Heesters.
Privatisht ai kurrë nuk ka qenë ndonjë person që ka thyer zemrat e femrave, sikurse në film. Lidhja bashkëshortore me gruan e parë ka zgjatur 53 vjet. Ndërsa në vitin 1992 ai u martua me aktoren Simone Rethel.
Heesters kishte deri në fund dëshirë të ishte në qendër të vëmendjes. Në skenën e tatrit si aktor rolesh të vogla, apo si këngëtar në sallat e koncerteve. "Për mua është me rëndësi vetëm ajo që përjetoj tani dhe viti i ardhshëm", thoshte ai.
Prej vitit 2009 ai nuk shihte më fare nga sytë. Gruaja e tij e dytë, Simone Rethel, e afronte pranë pianos dhe e ndihmonte me tekstet. Pak para se të mbushte 108 vjet, Heesters doli për herë të fundit në skenë në Mynih dhe këndoi këngë që i kishte kompozuar vetë.
Autor: Andrea Plattner/Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani