1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një kolonë e fuqishme ruse kërcënon Kievin

1 Mars 2022

Ukraina akuzon Rusinë për krime lufte dhe i trembet një ofensive masive ruse në qytetet ukrainase. Para Kievit qëndron një kolonë 60 kilometra e gjatë.

Satelitenbild Maxar I Ukraine Konflikt I Konvoi im Südosten von Iwankiw
Pamje satelitore sipas firmës Maxar - konvoi në jugperëndim të Ivankiv KUJDES: Deutsche Welle nuk mund ta verifikojë pamjen në mënyrë të pavarurFotografi: Maxar /AP/picture alliance

Pamjet satelitore tregojnë një kolonë me automjete ushtarake ruse rreth 60 km të gjatë. Kolona "shtrihet nga rrethinat e aeroportit Antonov, - rreth 25 km nga qendra e Kievit - në jug deri në rrethinat e Prybirskut", bëri të ditur firma amerikane për pamjet satelitore, Maxar. Pamjet e kolonës tregojnë dhjetëra kamionë ushtarakë që janë renditur njëri pas tjetrit. Disa kamionë qëndrojnë shumë larg njëri-tjetrit, bëri të ditur Maxar. Të tjerë janë grupuar. Kjo firmë publikoi edhe pamje ku shihen zhvendosje të helikopterëve luftarakë dhe automjeteve në Bjellorusi, më pak se 30 km nga kufiri ukrainas.

Sipas të dhënave të ushtrisë ukrainase, që nga fillimi i ofensivës ruse, forcat ushtarake ukrainase kanë mundur të zmbrapsin disa sulme ruse drejtuar Kievit. Luftime të ashpra ka pasur rreth aeroportit Antonov në periferi të kryeqytetit. Sipas të dhënave ushtarake perëndimore, rezistenca e ukrainasve e ka ngadalësuar sulmin ushtarak rus.

Pamje satelitore nga IvankivFotografi: Maxar Technologies/AP/picture alliance

AFP e cila i referohet qarqeve diplomatike dhe atyre ushtarake, njofton se natën e së martës, Moska përgatit një ofensivë të re. Të hënën kolona kryesore ruse ka lëvizur "rreth 5 kilometra" në drejtim të Kievit dhe gjendet sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës "rreth 25 km" larg Kievit. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka njoftuar të martën në Facebook, se trupat ruse në 24 orët e kaluara janë riformatuar dhe kanë mbledhur më shumë armë artilerie dhe automjete të blinduara "sidomos për të rrethuar Kievin dhe qytete të tjera të mëdha e për t'i vendosur nën kontroll."

Fotografi: Genya Savilov/AFP/Getty Images

Akuza të rënda në Këshillin e Sigurimit

Ukraina e ka akuzuar Rusinë në Këshillin e Sigurimit për krime lufte. Ambasadori ukrainas, Serhij Kyslyzja në një seancë urgjente bëri fjalë për sulme ruse në kopshte, spitale dhe jetimore. "Këto janë akte të një shteti që është i vendosur të vrasë civilët. Nuk ka asnjë debat. Këto janë krime lufte." Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për krime lufte. Një vend i tillë nuk mund të jetë anëtar i Këshillit të Sigurimit, tha Zelensky dhe kërkoi zonë ndalimi fluturimi për avionët rusë mbi vendin e tij.

Ndërkohë presidenti amerikan, Joe Biden kërkoi miratimin në kongres të një pakete ndihme prej 6,4 miliardë dollarësh për Ukrainën. Tek kjo paketë bëhet fjalë për ndihma humanitare, ekoomike dhe ushtarake për vetëmbrojtje. Organizata e OKB-së për Refugjatët, UNHCR ka bërë të ditur, se në ditët e fundit rreth 660.000 vetë kanë kërkuar strehë në vendet fqinje.

la/ag