1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një mesazh solidariteti për popullin ukrainas nga Tirana

9 Prill 2022

Qytetarë të Tiranës me manifestimin e tyre donin t'i dërgonin një mesazh solidariteti popullit ukrainas.

Albanien Tirana | Solidarität mit der Ukraine
Fotografi: Ani Ruci/DW

Qindra qytetarë morën pjesë në një manifestim të madh në Tiranë të premten,(08.04) në sheshin "Skënderbe” organizuar nga komuniteti ukrainas në Tiranë në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas kundër agresionit rus.

Rinia e Tiranës, pjesëmarrëse në manifestim shpalosi flamurin kombëtar të Ukrainës, në përmasa shumë të mëdha. Manifestimi nisi në sheshin "Skënderbe" në formën e një marshimi të heshtur, vazhdoi përgjatë bulevardit ”Dëshmorët e Kombit”dhe u  ndal para ambasadës së Ukrainës në Tiranë, në rrugën ”Ukraina e lirë”, ku manifestuesit hodhën parulla kundër agresionit rus në Ukrainë.

Fotografi: Ani Ruci/DW

Mesazh përshëndetës nga Vitali Klitçko

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitçko përshëndeti manifestuesit përmes një video mesazhi të shfaqur në një ekran të madh. Ai falënderoi  shqiptarët dhe Shqipërinë për ndihmën dhe mbështetjen ndaj kauzës së Ukrainës. "Ne po shikojmë se kush janë miqtë e Ukrainës dhe nuk do t'i harrojmë kurrë. Ne duam ta ndalojmë këtë luftë të pakuptimtë”, theksoi ai në video mesazhin e tij përshëndetës.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov, përshëndeti manifestuesit  dhe falenderoi popullin shqiptar për solidaritetin e tij ndaj Ukrainës. Ai i bëri thirrje "edhe njëherë  botës së qytetëruar që të bëjë gjithçka që është e mundur për të transferuar në Ukrainë armët e nevojshme, për të vendosur sanksionet më të rënda të mundshme siç janë embargoja e energjisë, transportit dhe ajo ekonomike”.

Manifestuesve iu bashkuan edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, politikanë, organizata të shoqërisë civile. Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim para manifestuesve tha, se "që prej shkurtit, e gjithë bota ka parë atë çka ka bërë lufta e Vladimir Putinit, ku nisi pushtimin e paramenduar, të pajustifikuar, dhe brutal ndaj Ukrainës. Siç tha dhe presidenti Biden, Putini i kishte bërë keq llogaritë. Ai  u ndesh me një mur të fortë, u ndesh me popull ukrainas”, theksoi në fjalën e saj ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Yur KimFotografi: Ani Ruci/DW

Ky është kontributi i Tiranës, tha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Tirana i bashkohet qytetevetë mëdha të Europës ”për të realizuar atë që Presidenti Zelensky tha në fjalën  e tij në ꞔmimet Grammy: Na ndihmoni me gjithshka të mundeni vetëm me heshtjen mos na ndihmoni se heshtja nuk ndihmon asnjeri.” Tirana do të vazhdojë të dërgojë ndihma për popullin ukrainas.