090210 Dialog Muslimischer Karnevalsprinz
12 Shkurt 2010Gati çdo djalosh i Renanisë Veriore - Vestfalisë ëndërron që të bëhet një herë në jetë princ i karnevaleve. Në Bon kësaj radhe ka ndodhur një sensacion i vogël: princ i karnavaleve është këtë vit myslimani Amir I. Princi me prejardhje nga Irani angazhohet për bashkimin e njerëzve të ngjyrave dhe përkatësive të ndryshme fetare.
"Tri herë Amir, alaf!“ - më shumë integrim nuk mund të përfytyrosh. Të paktën kështu thuhet në Bon, ku për herë të parë në krye të karnevaleve është një princ me fe myslimane. Princi Amir I, në të vërtetë quhet Amir Shafaghi, është baba i tre djemve dhe drejtues i një firme komunikimi me 100 punonjës. Emri Amir në gjuhën perse do të thotë princ. Qysh fëmijë ai mrekullohej nga karnevalet, fytyrat e qeshura dhe kostumet.
"Dëshira që të relaksohesh, të harrosh seriozitetin e ditës dhe të vishesh me kostume karnavalesh. Që të mos e marrësh seriozisht as vetveten dhe të mos dukesh i brengosur. Është ky shpërblimi më i madh, që mund të kesh si princ i karnevaleve." - tregon Amiri.
Amir Shafaghi, lindur në vitin 1970 në Teheran, ka ardhur në Bon në moshën 10-vjeçare së bashku me prindërit. Takimi i tij i parë karmavalistët e veshur me kostumet e ushtarëve të gardës së qytetit, kostume që i takojnë vitit 1782, ishte shumë interesant. Por 11-vjeçari nuk donte të rrinte më një anë.
Disa vite më vonë u bë edhe vetë anëtar i shoqatës që për karnavale dilte në rrugë maskuar si ushtarët e gardës historike të qytetit. "Princi persian" thotë se për karnevalistët nuk luan ndonjë rël fakti që ai beson tek Allahu.
"Super. Ne jemi me origjinë nga pjesa më veriore e jugut dhe kjo shkon fare mirë. Njerëzit që vijnë nga jugu përshaten mirë me njerëzit e Renanisë." thotë Hans-Dieter Fuchs. "Mendoj se ai po e bën mirë këtë punë. Nuk është fare keq të ndjekim edhe rrugë të tjera, qoftë edhe me një princ emigrant, siç thuhet." - shton Petra Hammel.
Amiri e ka plotësuar ëndërrën e tij që të bëhet një herë princ i karnevaleve. Por atmosfera e karnevaleve nuk përputhet me rregulat e fesë islame. Kjo fe e ndalon alkoholin dhe puthjet në vendet publike. Për princin Amir I besimi tek Allahu dhe kënaqësitë gjatë karnevelave nuk janë në kundështim: "Secili i di kufijtë e puthjeve dhe të alkoholit. Konsumimi tepër i madh i alkoholit është i dëmshëm. Të gjitha duhet konsumuar me masë dhe çdo gjë është në rregull."
Një qëndrim të tillë me siguri që nuk kanë të gjithë myslimanët. Princi po jep një kontribut edhe për integrimin e të huajve. Por shumë debate ka shkaktuar vendimi i priftit që drejton katedralen e Bonit, që princit të mos i lejohet të mbajë fjalimin tradicional në kishë, për shkak të fesë së tij myslimane. Monsinjor Wilfried Schuhmacher, i cili nuk do të shprehet për mediat, e shpjegoi këtë me dallimet mes feve. Princi dhe shumë qytetarë nuk kanë mirëkuptim për këtë vendim të përfaqësuesit të kishës.
"Do të thosha, ky është një veprim tipik katolik. Besoj se përfaqësuesit e kishës protestante apo feve të tjera nuk do të vepronin kështu dhe kjo më ka zemëruar." - thotë njëri prej karnavalistëve.
Organizatorët e karnevaleve e trajtojnë këtë si çështje të përfunduar. Ndalimi i fjalimit në kishë nuk është më në rend të ditës. Vetë princi thotë: "Kurrë nuk kam qenë dhe nuk jam i zemëruar. Prandaj gjithmonë këtu në Renani gjërat kanë shkuar si duhet, çdo gjë është e mrekullueshme."
Monsinjor Schuhmacher ka deklaruar për media se është keqintepretuar. Këshilli i Myslimanëve në Bon u shpreh se ai ka respektuar vetëm rregullat e kishës katolike. Për mungesë tolerance nuk mund të bëhet fjalë, sepse pikërisht monsinjor Schuhmacheri është një nga ata që angazhohen pro ndërtimit të xhamisë në Bon.
Autor: Ulrike Hummel / Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani