1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një ndërhyrje e Kombeve të Bashkuara në Irak është e rrezikshme, por ndoshta kjo mundësi duhet shqyrtuar me kujdes

Rajner Zolliq13 Prill 2004

Shqetësim i opinionit ndërkombëtar lidhur me ngjarjet e fundit në Irak.Qysh tani shumë nga komentuesit amerikanë flasin për një Vietnam të dytë


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan shprehet shumë i shqetësuar për atentatet e fundit në Irak, grabitjet dhe shkëmbimet e zjarrit. Tanimë shtrohet pyetja: A mundet që Kombet e Bashkuara të ndikojnë disi për qetësimin e gjendjes? Paraardhësi i Anannit, Butros Butros Gali është shprehur pro kësaj. Në një intervistë për Dojçe Vellen ai kërkon luajtjen e një roli më të rëndësishëm të OKB-së në Irak. Deri më tani Kombet e Bashkuara hezitojnë, pavarësisht se Kofi Anan ka dërguar në Irak këshilltarin e tij special Lakdar Brahimin. Shtimi i rrëmbimeve të të huajve në Irak por tregon se ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara aty, pikërisht në këtë situatë do të ishte shumë e rrezikshme. Megjithatë kjo mundësi do peshuar mirë.

Kaosi dhe vrasjet kanë zotëruar lajmet që vinin nga Iraku gjatë ditëve të fundit. Shkëmbime zjarri, djegie e cisternave furnizuese, grabitjet e të huajve - vetëm në qytetin e Falluxhës janë vrarë prej 1 prillit më shumë se 600 vetë. Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë, se nuk ka rëndësi nëse po ndërmjetësohet, po ndiqen taktika, apo po ndërhyhet më dorë të hekurt- një gjë është e qartë, amerikanëve dhe aleatëve të tyre po i shket situata nga duart.
Këtë e di edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush. Çdo ushtar i vrarë, çdo ditë kaosi në Irak do të duhet të ngjallë tek presidenti amerikan tundimin për ta shpërndarë sa më shumë përgjegjësinë për rindërtimin dhe paqen në Irak. Qysh tani shumë nga komentuesit amerikanë flasin për një Vietnam të dytë. Por pikërisht këtë nuk mund t'ja lejojë vetes presidenti amerikan. Para së gjithash ai nuk do të humbasë rastin e rizgjedhjes për një mandat të dytë në postin e presidentit.
Kështu si zgjidhje e afërt mbetet intervenimi i Kombeve të Bashkuara. Por OKB-ja heziton, dhe kjo nga arsye të kuptueshmë. Jo shumë larg por në gushtin e kaluar u vranë 22 vetë në një atentat me bombë në shtabin kryesor të OKB-së në Bagdad. Pas kësaj OKB- u tërhoq gati tërësisht nga Iraku.
Kësaj gjendjeje po i shtohen tani edhe sulmet e rrëmbimet e fundit ndaj të huajve në Irak. Në këto sulme dhe rrëmbime tanimë nuk llogariten vetëm të huajt nga vendet e koalicionit që bëri luftën, por ndër tanë janë kinezë, rusë dhe gjermanë. OKB-ja duhet të nxjerë përfundimin se një ndërhyrje e saj në Irak është shumë e rrezikshme për të gjithë të huajt, madje edhe për vetë qytetarët nga vendet, të cilat e refuzuan hapur luftën.

Faktikisht rreziqet janë reale: Me intervenimin në Irak, Kombet e bashkuara do t'i hynin një aventure me rreziqe të paparashikuara. Trupat e helmetave blu të armatosura më pak, nuk do të sillnin ndonjë siguri shumë të madhe, por do të ishin vetë në rrezik. Por edhe një mandat ushtarak i qartë, madje me mbështetjen e Natos nuk do t'i minimizonte mjatueshëm rreziqet. Më qartë: Edhe nën mandatin e OKB-së duhet të përgatiteshim për të parë rrëmbime dhe vrasje të tjera.

Edhe po qe se vetë Pentagoni do të dërgontë trupa të tjera- pa llogaritur këtu se mundësitë e ushtrisë amerikane dhe aleatëve të tyrë po zvogëlohen- besimi i popullit tek ata ka rënë.
Por cila do të ishte alternativa? Rifitimi i besimit? Kjo do të ishte vetëm për Kombet e Bashkuara më e mundur, megjithë rreziqet që paraqet situata. Pritja dhe buzëqeshja e ligë ndaj atyre që duhet të kishin në dorë situatën, nuk sjell ndonjë rezultat. Ajo që po ndodh tani në Irak përforcon tezën, se para një viti aty u zhvillua një luftë e dyshimtë, me argumentim të dyshimtë dhe pa i peshuar mirë pasojat e mundshme. Ndërkohë tanimë bëhet fjalë për diçka tjetër: Të gjitha përpjekjet duhet të synojnë që irakëve pas vitesh sundimi brutal dhe sanksionesh ndërkombëtare t'u jepet mundësia e një jete në paqe, mirëqenie të thjeshtë, dinjitet dhe sovranitet kombëtar. Dhe kjo nuk është thjesht nga mëshira solidarizimi me irakianët, por mundësimi i një gjëje të tillë është interesin ndërkombëtar. Duhet të pendohet që një situatë gjithnjë e më kaotike në Irak, ju jep kurajë terroristëve në Irak dhe jashtë tij që të ndërrmarrin aktivitete të tjera dhe të gjejnë gjithnjë e më shumë simpatizantë. Dhe po qe se amerikanët dështojnë, atëherë irakianët do të duhet për se paku të kenë mbështetjen ndërkombëtare.