1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një plan paqeje që Izraeli duhet ta pranojë

Peter Philipp26 Korrik 2007

Plani i paqes i Lidhjes Arabe është e vetmja ofertë e mundshme. që pranohet edhe prej shumicës së bashkësisë ndërkombëtare.

MPJ i Egjiptit Ahmed Aboul Gheit, majtas, dhe MPJ i Jordanisë Abdul-Ilah Khatib, djathats, i paraqesin MPJ të Izraelit Tzipi Livni planin e paqesFotografi: AP

Shtetet arabe janë të gatshme ta njohin Izraelin në rast se ky së pari tërhiqet prej territoreve të pushtuara në vitin 1967 dhe së dyti u lejon refugjatëve palestinezë të rikthehen edhe në territorin e sotëm të Izraelit. Në këtë mënyrë do të krijohej baza për një shtet palestinez, për të cilin Izraeli duhej të jepte miratimin e tij. Kjo është me pak fjalë përmbajtja e planit të paqes të Lidhjes Arabe.

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amre Moussa, e hedh poshtë idenë se me këtë plan organizata e tij e ka ndryshuar qëndrimin kundrejt Izraelit. Por fakt më se i dukshëm është, që Lidhjen e vendeve arabe e ndajnë sot botë të tëra prej qëndrimit që kishte ndjekur prej mëse 40 vjetësh. Në takimin e saj të Kartumit të mbledhur dy muaj pas luftës gjashtë-ditore të Izraelit Lidhja Arabe vendosi që nuk do ta njihte kurrë ekzistencën e këtij vendi, nuk do të hynte në bisedime me të dhe nuk do të lidhte kurrë paqe. Tani 40 vjet më pas Lidhja Arabe prezanton një plan paqeje dhe MPJ të Egjiptit dhe të Jordanisë përpiqen përmes bisedimeve të drejtpërderjeta në Jeruzalem, që ta bindin Izraelin ta pranojë këtë plan.

Në vitin 1979, kur Egjipti vendosi paqe me Izraelin ai u përjashtua prej Lidhjes Arabe. Sot Lidhja Arabe po shfrytëzon lidhjet e mira të Egjiptit dhe të Jordanisë me Izraelin, për ta bindur Jeruzalemin të pranojë ofertën e paqes. Vendet arabe janë të gatshme të lidhin paqe me Izraelin vetëm në rast se ky tërhiqet prej territoreve të pushtuara gjatë luftës gjashtëditore. Sipas këndvështrimit të Lidhjes Arabe dhe shumicës së bashkësisë ndërkombëtare kjo ofertë është e vetmja e mundshme.

Izraeli e ka të vështirë t'i pranojë propozime të tilla. Por jo sepse nuk e do paqen, por se ka kohë që e ka humbur besimin se vetëm dorëzimi i territoreve të pushtuara mund të sillte paqen. Kësaj i shtohet edhe bindja e gabuar e shumicës së popullsisë së Izaraelit se territoret e pushtuara i takojnë vërtet Izraelit dhe prej tyre nuk mund të hiqet dot dorë, madje as kur është fjala për paqen.

Izraelitët e dinë mirë edhe vetë se paqja nuk mund të funksiojë ndryshe, nisur edhe prej faktit, se shteti palestinez ka nevojë për një hapsirë territoriale të përshtatshme që të mund të mbijetojë. Krijimi në të ardhmen i një shteti të tillë ka kohë që pranohet edhe prej Izraelit. Për një gjë të tillë fliste vetë Ariel Sharoni, kurse pasardhësi i tij, Ehud Olmert po flet për dorëzimin e territoreve të pushtuara.

Kjo është një e mirë por jo e mjaftueshme. MPJ të Egjiptit dhe të Jordanisë kërkuan që Izraeli të nxitojë, sepse oferta e Lidhjes Arabe nuk mund të ekzistojë përgjithmonë. Kjo të kujton pak kohët e shkuara dhe moton, po nuk deshe, unë do të përdor dhunën. Por reagimi i qeverisë izraelite lë edhe më tepër për të dëshiruar. Fjala është për kontakte me Sirinë dhe Arabinë Saudite, por në këtë mes harrohet se plani i Lidhjes Arabe nuk i pranon hapa të tillë individualë, ngaqë favorizon një rregull gjithëpërfshirës me botën arabe.

Megjithë vështirësitë që me siguri do të dalin gjatë realizimit konkret të këtij plani, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është që Izraeli ta pranojë atë.