1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një Somali në krah të Izraelit?

15 Qershor 2007

Shkallëzimi i dhunës në radhët e palesitnezëve është një ndër temat më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman.

Rripi i Gazës
Rripi i GazësFotografi: AP

"Nürnberger Nachrichten" shkruan: "Sërish udhëheqësit e përçarë palestinezë, presdienti Abaz i lëvizjes Fatah dhe kryeministri Hanija e Hamasit, bëjnë thirrje për armëpushim, sërish ata duan të bien dakord me ndërmjetësimin e egjiptianëve. Por ç´vlerë ka një ujdi e mëtejshme midis këtyre dy politikanëve që nuk zgjat as sa të hapësh e të mbyllësh sytë, siç u bë e qartë së fundi që edhe vet trupat sulmuese të Hamasit i injorojnë urdhërat e hipokritit më të madh të tyre. Ata pandehin se e kanë arritur objektivin, sikur t´ia vlente përpjekja për ndarjen e mini-shtetit "të tyre" prej Jordanit Perëndimor dhe për një konfrontim të parashikueshëm me Izraelin."

Në komentin e "Kieler Nachrichten" lexojmë: "Thirrja për një trupë ndërkombëtare të paqes është jo vetëm e nxituar, por e papërgjegjshme. A beson ndokush seriozisht, se helmetat e kaltra do të arrijnë, atë që ushtria izraelite nuk e ia ka arritur gjatë dhjetëvjeçarëve të pushtimit: të çlirojë Rripin e Gazës? Një fund i luftimeve mes Hamasit radikal-islamik dhe Fatahut as që duket në horizont, ndërkohë që nuk përjashtohet shkallëzimi në Jordanin Perëndimor. Pra mos vallë helmetat e kaltra të hedhura midis dy fronteve duhet të imponojnë paqen? Kjo do të ishte një komandë drejt vdekjes. Edhe sikur OKB-ja të ishte në gjendje që brenda një kohe të shkurtër të krijonte trupën, ajo do të mbërrinte shumë vonë."

Gazeta "Landshuter Zeitung/Straubinger Tagblatt" tërheq vëmendjen: "Në të vërtetë lufta mes vëllezërve në Palestinë duhej të priste prej ShBA. Por një gjë e tillë do të ishte kundërproduktive, sepse administrata e Bushit e ka humbur imazhin dhe influnencën e vet në Lindjen e Mesme. Amerika do të bënte mirë, që të mos përzihej në konflikt, madje as nën përgjegjësinë e OKB-së. Helmetat e kaltra gjithësesi nuk do të arrinin gjë tani. Ato nuk janë njësi luftarake, por mund të jetë me efekt, vetëm nëse ia dalin që të garantojnë armëpushimin. Pra është në dorë të palestinezëve që të kujdesen për t´i dhënë fund luftimeve."

Në gazetën e Bonit "General Anzeiger" konsiderohet si absurde kërkesa për trupë paqësore në Lindjen e Mesme: "Një Somali në krah të Izraelit? Me kë duhet të negociojë qeveria në Jeruzalem për pavarësinë dhe për të gjitha çështjet e tjera? Po bashkësia ndërkombëtare? Paaftësia e kësaj të fundit po arrin kulmin tani me absurditetin e propozimeve për kufizimin e luftës civile. Politikanë me emër kërkojnë një trupë ndërkombëtare. Por kush duhet të bëjë thirrje për të, Hamasi apo Fatahu? Apo Liga Arabe? Apo Izraeli? Çfarë duhet të bëjë kjo trupë? A duhet t´u japë fund ajo luftimeve nga ana e majtë apo e djathtë e rrugës? Kush mund ta mbrojë këtë trupë prej plumbave të luftëtarëve? Kjo është një situatë fantazmë dhe një diskutim fantazmë."

Së fundi edhe një citat nga komenti i "Main Echo", gazeta e Aschafenburgut, që komenton në të njëjtën linjë duke nxjerrë në pah rrezikun nga terrorizmi: "Edhe sikur bashkësia ndërkombëtare, OKB-ja, apo edhe Liga Arabe t´ia dalin që me nxitim të krijojnë një trupë ndërkombëtare dhe ta dërgojnë atë në Rripin e Gazës, a nuk do të ishte kjo e vonuar shumë për ta penguar shndërrimin në "Hamastan". Kjo tashmë ka ndodhur, paçka se ende kanë mbetur disa vatra rezistence. Një ndërhyrje e Izraelit, gjë që gjithnjë e më shumë por në heshtje po preferohet edhe nga bota e jashtme, jo vetëm që do të shkaktonte përgjakje me humbje të mëdha nga të dyja palët, por ajo ndonëse do ta dobësonte Hamasin, nga ana tjetër mund të nxiste përhajen e rrufeshme të metastazës së kanserit që ka pllakosur Rripin e Gazës, El Kaidës."