Një viktimë si pasojë e tensioneve në pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës
27 Korrik 2011Policia e Kosovës konfirmoi, se në anëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ndërroi jetë, si pasojë e plagëve të marra në një pritë në veri të Mitrovicës të martën (26.07.201) në mesditë.
Aksioni i policisë në veri të Kosovës në asnjë mënyre nuk duhet kuptuar si veprim i nxitur me qëllim provokues, por si një hap për rivendosjen e kontrollit në pikat kufitare të territorit të Kosovës, ka deklaruar kryemisntri i Kosovës Hashim Thaçi, në një konferencë për media të mbajtur mbrëmjen e së martës (26.07.2011), në Prishtinë. „Ne nuk do të bëjmë në asnjë rrethanë kompromis me askënd për sigurinë e vendit tonë, për të drejtat tona kushtetuese dhe ligjore. Vendimi ynë është legjitim dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombtare. Kosova me legjitimetin e saj të plotë punon për hapje të kufijve, por në asnjë mënyrë për ndryshimin e tyre. Vendimi i së hënës ka qenë jo i lehtë, por i drejtë dhe i domosdoshëm, ngaqë ne s´mund të jemi indiferent dhe të tolerojmë përjetësisht që sovraniteti ynë të cënohet dhe një pjesë e shtetit tonë të përdoret për kontrabandë. Partneritetin me miqtë ndërkombtar duhet ta ruajmë si sytë e ballit. Por, kushtetuta dhe sovraniteti i vendit janë të shenjta dhe shkojnë përtej çdo partneriteti dhe luajaliteti“, ka thënë kryeminsitri Thaçi. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës për mirëkuptim, qetësi dhe gjakftohtësi. Ndërsa, Beogradit i ka bërë thirrje që të evropianizojë qasjen në raport edhe me shtetin e Kosovës, sepse bashkëpunimi është në interes të të dyja shteteve.
Aksionet e Policisë së Kosovës i kanë mbështetur edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, nëpërmjet zëdhënësit Andy McGufy.
SHBA dhe BE apelojnë për çtensionim dhe dialog
SHBA i bënë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të punojnë për shmangien e tensionit të krijuar pasi policia e Kosovës mori nën kontroll dy pikëkalime kufitare në sfondin e mosmarrëveshjeve lidhur me shkëmbimet tregtare. „SHBA shpreh keqardhjen që aksioni i qeverisë së Kosovës natën e kaluar për të vënë nën kontroll doganat e kufirit në veri të Kosovës nuk ishte koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare”, tha zëdhënësi Departamentit të Shtetit. “Ne u bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë punën urgjentisht për çtensionimin e situatës aktuale,” tha zëdhënësi Heide Bronke Fulton. “Të gjitha palëve u bëjmë thirrje të heqin dorë nga dhuna,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton u bëri thirrje udhëheqësve të Serbisë dhe të Kosovës që të shmangin tensionet. Ashton ka biseduar me presidentin e Serbisë Boris Tadic dhe me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe u ka bërë thirrje atyre „që të punojnë për vendosjen menjëherë të qetësisë“ dhe për t'i zgjidhur problemet përmes dialogut.
Pas tensioneve të krijuara një natë më parë në dy pikatkufitare, NATO i ka përforucar patrullat paqeruajtëse në veri të Kosovës.
Autor: A.Beqiraj / V.Filaj-Ballvora (dpa, apf)
Redaktoi: M.Cika-Kelmendi