1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nobelisti i paqes e ka lënë fatin e tij politik në duart e gjeneralëve

2 Dhjetor 2009

Aventura në Afganistan mund të përfundojë me sukses vetëm nëse në të njëjtën kohë forcohen si përpjekjet ushtarake dhe ato civile.

Ushtarë amerikanë në Afganistan
Ushtarë amerikanë në AfganistanFotografi: AP

Në një fjalim në akademinë e njohur ushtarake West Point në shtetin federal amerikan Nju Jork presidenti amerikan Barack Obama u shpjegoi të mërkurën (02.12) amerikanëve, si cila do të jetë strategjia e operacionit ushtarak në Afganistan. Pikat kryesore: Bazat ushtarake amerikane, që përfshijnë ndërkohë afro 68.000 ushtarë, do të forcohen me 30.000 të tjerë. Përforcimi do të bëhet verën e ardhshme. Një vit më vonë në korrik 2011, do të nisë pastaj tërheqja – e thënë më mirë faza, kur siguria do të kalojë gradualisht në duart e forcave ushtarake dhe policore afgane. Se sa do të zgjasë kjo fazë dhe sa shpejt do të kryhet tërheqja e trupave, do të varet nga situata në vend, tha presidenti.

Kjo temë trajtohet sot edhe prej shtypit gjerman.

Fillimisht në 'Berliner Zeitung' lexojmë:

"Në parim qeveria gjermane e di shumë mirë se nuk është në gjendje që të mbajë në fuqi për një kohë të gjatë qëndrimin refuzues për shtimin e trupave në Afganistan. Kjo për faktin se është e qartë që aventura në Afganistan mund të përfundojë me sukses vetëm nëse në të njëjtën kohë forcohen përpjekjet ushtarake dhe civile. Për të mos prishur gjoja qetësinë e krishtlindjeve në vend, qeveria gjermane luan me faktorin kohë. Por në fund të dimrit problemi i vjetër do të dalë sërish në sipërfaqe dhe ajo do të sqarojë përse shtimi i trupave ushtarake është zgjidhja e vetme në Afganistan. Atëherë do të shtrohet pyetja me të drejtë: përse është humbur me muaj të tërë një kohë me kaq vlerë. Muaj me vlerë të paktën për njerëzit në Afganistan."

'Ostsee-Zeitung' e cila botohet në Rostok shkruan:

"Aleatët si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca nuk do ta evitojnë dot shtimin e trupave të tyre në Hindukush. Edhe pse Kancelarja Merkel ngurron ende, ajo nuk mund t'ia lejojë vetes që të mos e mbështesë presidentin amerikan. Prioritetet për luftën kundër talebanëve, El Kaidës dhe kriminelëve përcaktohen në Uashington. Kjo shkakton gjendje të pakëndshme. Kjo është e kuptueshme për shkak se deri tani shtimi i trupave nuk e ka përmirësuar gjendjen e sigurisë në Afganistan. Thirrjet për shtimin e angazhimit civil tani për tani janë shuar. Korrupsioni dhe droga sa vijnë e shtohen, në Kabul qeveris një president që s'ta mbush mendjen. Popullata ka shumë pak besim tek elita e vendit. Strategjia e presidentit amerikan Barack Obama është në rrezik, suksesi i paqartë, një dështim do të ishte fatal. Nobelisti i paqes e ka lënë fatin e tij politik në duart e gjeneralëve."

Autot: Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani