1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Norma e lartë e interesit të kredive - shqetësuese në Shqipëri

14 Shtator 2011

Ulja e varfërisë, si një nga qëllimet në nivel global të Kombeve të Bashkuara për Mijëvjeçarin e Ri, përbën një angazhim madhor edhe për Shqipërinë. Por normat e larta të interesit të kredive lë shumë për të dëshiruar

Dr. Zef Preçi, Drejtori i Institutit të Studimeve Ekonomike në Tiranë
Dr. Zef Preçi, Drejtori i Institutit të Studimeve Ekonomike në TiranëFotografi: DW

Përqindja e interesit për kreditë në tregun ndërbankar të Shqipërisë nuk varet vetëm nga situata ekonomike dhe financiare në vend. Dr. Zef Preçi, ekspert në fushën e shkencave ekonomike dhe Drejtor i Instituti të Studimeve Ekonomike shpjegon për DW. 

“Në tregun ndërbankar të Shqipërisë norma e interesit për kreditë është 5,25%. Kjo përqindje varet dhe ndryshon sipas dinamikes së Euroborit, intrumentit që përcakton shpërndarjen e kredive në vend".

Në bazë të vendimit të sapomarrë të Bankës së Shqipërisë, norma e interesit prej 5,25% nuk do të ulet.

Zinxhiri shkak - pasojë, ndërveprimi mes normës së interesit bankar dhe uljes së varfërisë

Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë në TiranëFotografi: DW

Ky vendim vjen ndërkohë njëherazi me thirrjen e kësaj Banke për zgjerimin e kërkesës së brendshme, konsumatore nga bizneset dhe qytetarët, që në kushtet e Shqipërisë konsiderohet si instrumenti që mban gjallë ekonominë dhe rritjen ekonomike të vendit. Ndodh kështu ngaqës hapja e bizneseve të reja apo zgjerimi i atyre egzistuese përmes marrjes së kredive hap vende të reja pune, zbut papunësisë, rrit të ardhurat dhe për pasojë ul nivelin e varfërisë. Sipas ekspertit Zef Preçi, vendimi për të mos ulur normën e interesit nuk shkon në favor të këtij procesi.

“Zgjerim i kërkesës së brendshme do të thotë që Bankat të japin më shumë kredi dhe në këtë mënyrë të krijohen kushtet për uljen e varfërisë. Zgjerimi i kredimarrjes varet nga ulja e normës së interesit. Nëse normat e interesit nuk ulen nuk mund të pritet që të ketë zgjerim të kredimarrjes”. thekson ai.

Pamundësinë për të zhvilluar iniciativën private, hapur biznese të reja dhe forcuar ato egzistuese permes marrjes se kredive me interes të ulët e tregon edhe rritja e depozitave të qytetarëve në Shqipëri. Sipas ekspertit Zef Preçi qytetarët i vendosin paratë në banka, sepse nuk kanë mundësi investuese, nuk kanë mundësi t'i shndërrojnë ato në kapital.

Pakësimi i kursimeve monetare, pra i depozitave, në Banka do të presupozonte rritjen, zgjerimin e investimeve. Zgjerim i investimeve do të thotë më shumë punësim, më shumë kontribute në taksa, jetesë më e mirë për qytetarët, do të thotë zhvillim i ekonomisë në tërësi”, vë në dukje Preçi.

 

Kursi i këmbimit - të euros me monedhen vendase

Foto simbolike - EuroFotografi: picture alliance/dpa

Një element tjetër që lidhet me kërkesën për kredi është kursi i këmbimit. Një kurs i ulët këmbimi nxit aktivitetin prodhues dhe që këtej eksportet.

Në ekonominë e Shqipërisë importet janë rreth 5 herë më të mëdha se eksportet. Kursi aktual i këmbimit 1 euro = 14 lekë nuk e favorizon kërkesën e brendëshme, por thellon pasojat e ndikimit në ekonominë shqiptare të rritjes së çmimeve në fushën e energjitikës, të karburanteve, të mallrave ushqimore në ekonomitë perëndimore”, shpjegon eksperti.

Rritja e kredive të këqia

Mosulja e përqindjes së interesit bankar për kreditë sjell edhe një tjetër pasojë negative: rritjen e të ashtuquajturave ” kredi të këqia”, që quhen ato kredi që kredimarrësit nuk arrijnë t'ia shlyejnë Bankës.

"Mbajtja lart e normës së interesit bankar rrit vështirësitë e kredimarrësve për të shlyer kreditë. Në kushtet e mosuljes së përqindjes së interesit bankar po shihet një tendencë për rritje të numrit të “kredive të këqia ose problematike”, kredive për të cilat Bankat nuk kanë shpresë se do t' u kthehen paratë”, thotë Zef Preçi.

Banka shtetërore e ShqipërisëFotografi: Mimoza Dhima

Këtë situatë Bankat e zgjidhin duke marrë pasuritë e patundshme që kredimarrësi i ka dhënë atyre si kolateral ose garanci financiare kur ka marrë kredinë.

Në gjithë këtë proces tkurret iniciativa private e qytetarëve dhe mundësitë e tyre për të hapur apo mbajtur bizneset ekzistuese. Gjithë kjo rëndon në rritjen ekonomike të vendit, pa të cilën nuk bëhet dot fjalë për ulje të varfërisë. Ekpertët e ekonomisë i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë që të rishikojë vendimin e saj të fundit për të mos ulur përqindjen e interesit bankar për kreditë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Mimoza Kelmendi