1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Norvegjia fiton Eurovizionin - Shqipëria në vendin e 17-të

17 Maj 2009

23 vjeçari Alexander Rybak, fitoi për Norvegjinë në Festivalin evropian të këngës -Eurovizion. Ndërkohë që në vendin e dytë dhe të tretë janë renditur Islanda dhe Aizerbajxhani.

Alexander Rybak gjatë prezantimit në Moskë
Alexander Rybak gjatë prezantimit në MoskëFotografi: AP

And the winner is … Fitues është... Norvegjia. Me këngën "Fairytale" (Përralla) përfaqësuesi i Norvegjisë Alexander Rybak, fitoi të shtunën më 16 maj vendin e parë në Festivalin Evropian të këngës, Eurovizion, i cili këtë vit u mbajt në Moskë. Këngëtari dhe violinisti 23 vjeçar u bë fituesi i tretë nga Norvegjia, në historinë e festivalit evropian. Në këngën 'Përralla' bëhet fjalë për dashurinë e parë të këngëtarit, i cili ka shkruar teksin dhe ka kompozuar këngën vetë. "Unë e di, se shumë të tjerë e kanë zërin më të mirë se unë, por unë fitova sepse unë di si t'i tregoj ngjarjet", tha para daljes në skenë Alexanderi, prejardhja e të cilit është nga Bjellorusia.

Patricia Kaas u prit me duartrokitje frenetike


Përfaqësuesja e Islandës: YohannaFotografi: AP

Alexander Rybak, arriti të fitojë 387 pikë duke lënë pas me diferencë të madhe këngëtaren Yohanna nga Islanda, e cila me 218 pikë u rendit në vendin e dytë. Vendi i tretë i takoi duetit Aysel dhe Arash nga Azarbajxhani, të cilët siguruan 207 pikë. Një moment shumë interesant i festivalit ishte prezantimi i këngëtares franceze, Patricia Kaas. Vetëm prania e saj në skenë bëri që në publik të shpërthenin brohorimat dhe duartrokitjet. Ndërsa mbreti i muzikës Andrew Lloyd Webber ("Fantazmë në Opera") shoqëroi personalisht në piano britaniken, Jade Ewen.

Gjermanët arrijnë një rezultat pak më të mirë

Alex Swings dhe Dita Von Teese siguruan vendin e 20-të për GjermaninëFotografi: AP

Pjesëmarrësit gjermanë janë renditur shumë poshtë, në vendin e 20-të. Pjesa muzikore "Miss Kiss Kiss Bang" e dutetit Alex Swings-Oscar Sings u shoqërua në skenë nga diva e kërcimit erotik amerikan, Dita von Teese. Me këngën e prodhuar nga Alex Christensen Gjermania arriti të mbledhë më shumë pikë se festivalin e kaluar, në të cilën grupi '"No Angels" u rendit në vendin e fundit.

Përfaqësuesja e Shqipërisë, Kejsi Tola, me këngën e saj "Carry Me Into Your Dremas" fitoi 48 pikë dhe arriti në vendin e 17-të.


Fituesi proteston kundër dhunës policore

Policia ruse arreston disa nga pjesëmarrësit në paradëFotografi: AP

Para mbajtjes së finales, policia e Moskës ndërhyri me dhunë për të shpërndarë një demonstratë të homoseksualëve në Moskë. Ajo arrestoi rreth 40 aktivistë, të cilët donin të demonstronin për të drejtat e gey-ëve dhe lezbikeve. Fituesi i Çmimit të madh të finales, Alexander Rybak kritikoi pas fitores policinë. "Por ne këtu në sallë patëm paradën më të madhe të homoseksualëve", tha ai. Sipas të dhënave të organizatorit festivali është ndjekur nga 120 milionë shikuesë. Në garë ishin gjithsejt 42 vende.


Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama