1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Norvegjia i siguron Gjermanisë gaz

17 Gusht 2022

Gjermania dhe Norvegjia do të zgjerojnë bashkëpunimin në sektorin energjitik. Por kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Störe nuk shikon aktualisht mundësi për të transportuar më shumë gaz drejt Gjermanisë dhe Europës.

Norwegen Bundeskanzler Scholz in Oslo
Fotografi: Hakon Mosvold Larsen/IMAGO

Norvegjia e ka rritur prodhimin e gazit pas sulmit rus në Ukrainë gati me 10%, theksoi kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Störe pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Oslo. Aktualisht po "furnizojmë maksimalisht sa mundemi", thotë ai, dhe nuk e vendos qeveria, nëse prodhimi i gazit mund të zgjerohet. "Ne nuk mund të vendosim politikisht, se tani do të furnizojmë më shumë." Ky është vendim i sipërmarrjeve. Për një prodhim më të madh në Norvegji, duhet që të vihen në punë rezerva të tjera të gazit, thuhet. Me këtë pas Katarit bie shpresa e Gjermanisë se mund të zëvendësojë shumë shpejt gazin rus.

Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Kancelari gjerman, Olaf Scholz falënderoi Norvegjinë që "po shfrytëzon deri në limit" rezervat e gazit. Kjo është "shumë e rëndësishme, që të zvogëlojmë varësinë nga gazi rus." Rëndësi ka premtimi i Oslos, që të ruajë nivelin e lartë të prodhimit, sepse edhe në vitin 2023 do të ketë nevoja të mëdha për gaz. Jo vetëm ky dimër është një sfidë e madhe për Gjermaninë. Edhe në vitin e ardhshëm duhet që të mbushen depozitat e gazit. "Partneritetin tonë energjitik ne duam ta zgjerojmë dhe thellojmë", ka thënë kancelari Scholz.

Takim i Këshillit Ministerial të Veriut

Kancelari gjerman mori pjesë në Oslo në takimin e Këshillit Ministerial të Veriut, ku krahas Scholz dhe Störe morën pjesë kryeministret e Suedisë, Danimarkës, Finlandës dhe Islandës. Temat kryesore ishin furnizimi me energji dhe gjendja e sigurisë.

Si kurrë më parë Norvegjia ofron gaz për Europën dhe Gjermaninë. Furnizimet nga Norvegjia që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë rritur ndjeshëm. Në Gjermani pjesa e gazit norvegjez përbën tani 30% të furnizimit, duke e kaluar kështu Rusinë. Nga Rusia aktualisht përmes Nord Stream 1 vijnë rreth 20% të sasisë së premtuar. Kurse BE importon rreth 20% të gazit nga Norvegjia.

Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Pas sulmit rus kundër Ukrainës, ministria e Energjitikës në Oslo modifikoi licencat e nxjerrjes së gazit për fusha të gazit në mënyrë që të përftohej më shumë gaz. Por prodhimi dhe kapacitetet e gazsjellësve janë në përdorim maksimal. Për Norvegjinë tani bëhet fjalë që të shfrytëzojë burime të reja për të rritur më tej eksportet, tha Störe pas takimit me kancelarin gjerman. Ky vend do ta furnizojë Gjermaninë edhe më tej me gaz të lëngshëm. "Norvegjisë mund t'i besohet", tha Scholz. Vendet nordike dhe Gjermania do të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen në fushën energjitike.

Kryeministri norvegjez, Stören lëvdoi Gjermaninë. Gjermania "i hyri sfidës së madhe të përftojë energji të rigjenerueshme". Por largimi nga energjitë fosile nuk do të jetë i lehtë dhe pa turbulenca, tha Stören. Scholz viziton më tej Suedinë, ku do të bisedohet për zgjerimin verior të NATO-s.

 

 

la/kle/ehl (afp, rtr, dpa)