Novi Sad: Kryeqyteti kulturor kontrovers i Europës
17 Janar 2022Qyteti verior serb, Novi Sad mbrëmjen e 13 janarit në orën 20.22 ishte në festë: qindra balerinë, këngëtarë, akrobatë si edhe një orkestër tradicionale serbe hapën zyrtarisht festimet e kryeqytetit kulturor të Europës. Si vendi i parë jashtë BE, Novi Sad pranë në Danubit me 250.000 banorë është në 12 muajt e ardhshëm qendër kulturore e kontinentit, së bashku me Kaunas në Lituani dhe qytetin Alcet në Luksemburg. Nën moton "Për ura të reja" janë planifikuar 3000 ekspozita, koncerte, shfaqje baleti dhe aktivitete të tjera kulturore. Novi Sad thekson një aspekt: historinë e pasur multikulturore dhe multietnike.
Në këtë qytet prej shekujsh jetojnë së bashku serbë, kroatë, hungarezë, rumunë, hebrenj, gjermanë dhe shumë kombe të tjera. E si një trashëgimi për të ardhmen - zgjedhja si kryeqytet kulturor lë një infrastrukturë kulturore që synon të përmirësojë në plan afatgjatë jetën kulturore në vend. Gjithçka tingëllon bukur, por evenimentet e kryqytetit kulturor janë shoqëruar nga mosmarrëveshje. Bëhet fjalë për konflikte mes organizatorëve dhe skenës së lirë kulturore, shpenzime jo-transparente dhe një çështjen se sa impakt do të ketë vërtet viti 2022 si vit kulture.
Vlerësim jashtë, kritika brenda
"Ne nuk e përgatitëm këtë vit kulturor, që cirku në fund të largohet sërish nga qyteti ynë", thotë Nemanja Milenkovic, drejtor i Fondacionit "Novi Sadi - kryeqytet kulturor i Europës" për DW. Sipas Milenkovic, ky institucion është përpjekur që nga fillimi që vitin kulturor ta përdorë për forcimin në vijimësi të kapaciteteve kulturore. Novi Sad ka ndërkohë një shkollë të re baleti dhe muzike, si edhe një sallë të re koncertesh dhe deri në fund të vitit ka marrë disa milionë investime për kulturën. Edhe ky fondacion e ka marrë ndërkohë vlerësimin e parë për përgatitjen e vitit kulturor.
Në fund të vitit 2021, një nga agjencitë kryesuese europiane të marketingut kulturor, Berliner Causales GmbH e vlerësoi Novi Sadin me titullin "Trendi më i mirë europian në kulturë." Ky çmim vlerëson "stacionet e reja të kulturës", fabrika të vjetra bosh që përdoren për kulturë e ekspozita, si edhe festivalin "Kaleidoskop i kulturës" dhe programin hapës "Pritja". "Pritja' është një festë unikale artisitke e dy festave të Vitit të Ri që lidhen me natyrën multikulturore si identitet i Novi Sadit", shprehet Milenkovic. Vërtet Viti i Ri në Novi Sad festohet tradicionalisht tek qytetarët serbë-ortodoksë sipas kalendarit të Julianit më 14 janar, tek katolikët sipas kalendarit gregorian më 24 dhjetor. Kudo në qytet gjen mbishkrime në cirilik dhe latinisht.
Gjithçka spektakël?
Për Branka Curcic nga "Grupi për politikë konceptuale", një lëvizje qytetare lokale, "gjithçka është spektakël". Kulturologja që në vitin 2018 është angazhuar duke dërguar një letër tek juria e ekspertëve për të vlerësuar përgatitjet e Novi Sadit për vitin kuturor. Curcic ka paralajmëruar, se qenia kryeqytet kulturor i Europës për shumë vetë do të thotë edhe një festival tjetër më shumë. Të dy aktivitetet kryesore të vitit kulturor "Pritja" dhe "Kaleidoskop" janë ndërkohë festivale, thotë ajo. Kësaj i shtohet, që të dy anëtarët drejtues të fondacionit janë vetë ish- ose organizatorë aktualë të festivalit muzikor ndërkombëtar "Exit", që zhvillohet prej 20 vjetësh për vit në Petrovaradin. "Këto festivale janë nga njëra anë nxitës të proceseve kreative të vërteta, dhe në të njëjtën kohë ato nuk vlerësojnë sa duhet nevojat e vërteta dhe potencialet e të gjithë neve që jetojnë në këtë qytet", është e mendimit Curcic.
Një nga debatet më të mëdha lidhej me transformimin e të ashtuquajturës "lagjja kineze" e Novi Sadit në një lagje kreative, gjë që u kthye në simbol të konfliktit mes fondacionit dhe skenës së lirë. Në territorin e një ish-fabrike ishte ngritur vite më parë një skenë alternative me klube, atelje, studio muzikore, manufaktura. Ato u mbyllën, pasi u shpall, se Novi Sad do të jetë kryeqyteti kulturor pa e informuar skenën. "Ndërkohë u fol për gjithçka të mundshme, por vetëm gojarisht", thotë piktori Boris Lukic nga Novi Sadi, që kishte në këtë lagje ateljenë e tij. Kurse drejtori i kryeqytetit kulturor, Milenkovic thotë se "ne e kemi dhënë fjalën dhe do ta mbajmë". "Të gjithë ata që kanë qenë në lagjen kineze dhe kanë paguar rregullisht detyrimet mund të kthehen në lagjen e re." Deri në atë kohë, kjo lagje do të përdoret për akvitivete në kuadër të vitit kulturor.
Mosbesim i thellë
Një pasojë e dëbimit të skenës së lirë kulturore e artistike nga lagjja kineze është mosbesimi i thellë, i krijuar mes fondacionit dhe shumë artistëve në Novi Sad. "Nuk pres ndonjë gjë të mirë", thotë Branka Curcic. Ajo që shpresonim, demokratizimi i produksionit kulturor dhe artistik nuk u bë që në fazën përgatitore, sipas saj. "Tani do të shohim, se si shumica e projekteve, që me gjasë do t'i shërbejnë infrastrukturës kulturore, do të kthehen në sfond festivalesh." Lidhur me këtë drejtori i fondacionit, Milenkovic, thotë se "nëse mosbesimi është kritika më e madhe që bëhet për punën time, ky është vërtet komplimenti më i madh që mund të më bëhet". Sipas tij "kjo do të thotë, se nuk ka kritika më për vizionin artisitik, apo që diçka nuk u ndërtua, apo nuk u bë. Ajo që dyshohet, është vetëm, nëse ajo që kemi arritur do të mbijetojë."
Përgjigjet për këtë ndoshta do të jepen kur të ketë marrë fund "party" si kryeqytet kulturor. Ndërkohë ky vit kulturor filloi në një ambient të çuditshmem. Ceremonia festive e hapjes u zhvillua para një ndërtese qeveritare në Novi Sad. Menjëherë në krah ngrihet në një ndërtesë të partisë ekstremistë të djathtë serbe, SRD një portret i madh i Vojislav Sheshejlit, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte për pjesëmarrje në dëbimet etnike. DW pyeti, se pse organizatorët nuk e mënjanuan këtë simbolikë që ngre pikëpyetje, po nuk mori asnjë përgjigje.