Petraeus Porträt
24 Qershor 2010Ai konsiderohet një "superstar" në ushtri dhe "gjenerali më me influencë i kohës së tij". Këdo të pyesësh në SHBA. Të gjithë flasin vetëm fjalë të mira për David Petraeus. 57 vjeçari përshkruhet si një njeri i hapur, i menduar, me vetëbesim, por jo arrogant, në të njëjtën kohë një luftëtar mjaft i dekoruar dhe një njeri me kulturë.
Presidenti George Bush i dha atij në vitin 2007 detyrën e Komandantit të trupave amerikane në Irak, duke e përshkruar kështu:
"Jam tepër i impresionuar nga cilësitë e tij për të drejtuar trupat."
Bush dërgoi një njohës të mirë të Irakut. Në vitin 2003 Petraeus ishte komandant në frontin e luftës, kur trupat amerikane marshuan në Irak për të rrëzuar Sadam Huseinin. Më vonë ai mori përsipër detyrën e trajnimit të trupave irakiane. Kur Petreaus u largua nga Iraku, la pas një gjendje dukshëm më të qetë dhe kjo u konsiderua meritë e tij, pasi Petraeus e vuri në zbatim me sukses strategjinë amerikane.
Në vështrim të parë Petraeus mund të nënvlerësohej kollaj. Me një trup jo shumë të gjatë, vetëm 1.75 m dhe jo kushedi sa muskuloz. Megjithatë gjenerali me katër yje gjithmonë ka bërë pjesë tek më të mirët: Në Akademinë "West Point", kur si djalë i ri ai u fut në ushtri në një kohë, kur në kulmin e luftës në Vietnam asaj po i largoheshin rekrutët. David Petraeus është fanatik i stërvitjes dhe tregon me qejf pompat vetëm me një krah. Për veten ai thotë se është tepër rezistent ndaj stresit.
Kjo i nevojitet gjeneralit për punën e re në Afganistan. Siç tha vetë Petraeus gjatë një seance dëgjimore në kongresin amerikan:
"Asgjë nuk është e lehtë në Afganistan. Mendoj se do të bëhet njëherë keq, para se të bëhet më mirë."
Si shef i deritanishëm i komandos qendrore ai e njeh shumë mirë gjendjen në vend. Senatori republikan me influencë, Lindsey Graham, e përshkruan kështu zgjedhjen e Petraeus: "Ai është shpresa jonë e fundit. Po qe se gjendja nuk ndryshon as nën komandën e tij, atëherë askush tjetër nuk mund të ketë sukses."
Shpresat te Petraeus për suksesin në Afganistan, ashtu si në Irak, janë të mëdha.
Por ajo, që ka funksionuar në një vend, mund të ndodhë të dështojë në një vend tjetër. David Petraeus po merr një detyrë me rrezikshmëri të lartë. Por Obama duket se nuk ka pasur nevojë për shumë kohë që të bindë gjeneralin. Petraeus ka qenë me sa duket i gatshëm për një sfidë të re..
Autor: Sabine Müller/Lindita Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica