1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk do të bëjë më Deutsche Bank biznese me Trumpin?

13 Janar 2021

Duket se banka gjermane Deutsche Bank do t’i ndërpresë marrëdhëniet e biznesit me presidentin amerikan Trump, sipas Reuters, duke iu referuar New York Times.

USA Generalstaatsanwaltschaft lädt die Deutsche Bank wegen Geschäften der Trump Organization vor
Fotografi: Photoshot/picture alliance

Gazeta shkruan se banka më e madhe gjermane nuk dëshiron që të zhvillojë më në të ardhmen biznese me Trumpin dhe firmat e tij. Gazeta New York Times i referohet një të ashtuquajturi "i brendshëm”. Sipas njoftimeve, Trump i ka borxh bankës 340 milionë dollarë, të cilat duhet të paguhen vitet e ardhshme. Deutsche Welle-s iu tha nga ana e bankës se nuk dëshiron që ta komentojë këtë njoftim. Në parim Banka nuk flet publikisht për marrëdhëniet me klientë të veçantë.

Trump është klient i Deutsche Bank për më shumë se dy dekada. Në fillim të viteve 1990, sipas të dhënave nga brenda, Trump ka marrë më shumë se dy miliardë dollarë kredi. Ky klient prominent ka bërë që për Deutsche Bank të shkruhen artikuj negativë. Demokratët e Kongresit amerikan i kanë kërkuar bankës herë pas here që të japë informacione për bizneset me presidentin republikan, por banka nuk ka pranuar duke iu referuar gjendjes së ligjeve.

Po ashtu banka Deutsche Bank i ka dhënë kredi Trumpit, në kohën kur banka të tjera nuk kanë pranuar. Sipërmarrja familjare e Trumpit, organizata e Trumpit dhe Shtëpia e Bardhë, nuk u përgjigjën fillimisht, shkruan Reuters. Bizneset familjare drejtohen aktualisht nga dy djemtë e Trumpit.

PGA of America nuk do të zhvillojë takimin e saj në qendrat e golfit të Donald TrumpFotografi: Alex Brandon/AP/picture alliance

Shefja amerikane e Deutsche Bank, Christiana Riley, dënoi javën e kaluar në një shkrim të postuar në Linkedin, sulmin mbi Kapitol, ku humbën jetën disa vetë në rrethana të ndryshme.

Reuters pati shkruar që vitin e kaluar se Deutsche Bank është duke parë mundësitë që t'i japë fund marrëdhënieve të biznesit me Trumpin pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Organizatës së Trumpit i takojnë disa hotele dhe klube golfi.

Rënie në sheshet e golfit

Edhe sipërmarrje të tjera janë duke i kthyer ndërkohë krahët Presidentit, pas sulmeve mbi Kapitol dhe rolit që Trump luajti gjatë tyre. Shoqata amerikane e lojërave të golfit, PGA of America bëri të ditur se nuk do ta zhvillojë takimin vjetor "PGA Championship” 2022, në fushat e golfit të Trumpit në Nju Xhersi. Kjo garë është një nga të ashtuquajturat Majors në lojërat e golfit dhe pritej të ishte më e madhja, ndër shumë sheshet e golfit të Trumpit. Presidenti i shoqatës së golfit, Jim Richerson, tha se "emri” i shoqatës së golfit do të dëmtohej, nëse lojërat do të zhvilloheshin në sheshin e golfit të Trumpit.

Sipas njoftimeve të gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeinen Zeitung” dhe gazetës amerikane "Wall Street Journal” edhe specialistët e blerjeve online Shopify, sipërmarrja Fintech, Stripe dhe tregtari i pasurive të patundshme, JLL, janë tërhequr nga bizneset që kanë me Trumpin. Nëpërmjet Shopify u shitën artikujt e Trumpit si përshembull kapelet e kuqe Base Caps, nëpërmjet Stripe u kryen aksionet e mbledhjes së donacioneve, JLL u mor me shitjen e hoteleve të Trumpit në Uashington.

Fotografi: John Nacion/NurPhoto/picture alliance

"Presidenti që po largohet nxiti dhunën”

Direkt pas sulmit mbi Kapitol, shoqata e sipërmarrësve amerikanë National Association of Manufactures u nda me fjalë të ashpra nga Trump. Në deklaratë u tha: "Presidenti që nuk u zgjodh sërish nxiti dhunën në përpjekje për të qëndruar në pushtet, dhe çdo politikan që e mbron shkel premtimin e dhënë për respektimin e kushtetutës”. Në këtë shoqatë marrin pjesë koncerne si Pfizer dhe Exxon. Shoqata ombrellë e sindikatave AFL- CIO, investitori miliarder Nelson Peltz dhe shefi i firmës së akulloreve Ben & Jerry kërkuan ndërkohë largimin e menjëhershëm të Trumpit.

Disa koncerne i ndërprenë donacionet për aleatët e Trumpit në Partinë Republikane. Rrjeti i hoteleve Marriott, kompania e sigurimit shëndetësor Blue Cross Blue Shield dhe koncerni financiar American Express i ndërprenë të gjitha donacionet për deputetët republikanë, që votuan javën e kaluar gjatë takimit në Kongres kundër konfirmimit të Joe Bidenit si fitues i zgjedhjeve.

Edhe platformat e mëdha të internetit si twitter dhe facebook nuk duan ta kenë më Trump si klient. Mbas bllokimit të llogarisë së tij, aksionet e twitterit humbën dhjetë përqind të vlerës në bursë.

Me sa duket Deutsche Bank nuk pret që Trump do t'i shlyejë kreditë. Në "Nju Jork Times” thuhet, se "Banka ka arritur në përfundimin se pavarësisht nga zbutja e borxhit, nuk ka mundësi që të shkëputet nga Trump para fillimit të pagesës së kredive. Dy kredi me nga mbi 330 milionë dollarë bëhen të kthyeshme në vitin 2023 dhe 2024. Për të marrë ato, Trump ka hyrë vetë personalisht garant.

reuters/dpa/dw