1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk duhet të mbyllet me Kroacinë

Christoph Hasselbach2 Korrik 2014

Një vit më parë, BE u plotësua me anëtarin e tij të fundit, Kroacinë. Megjithatë dëshirë për të festuar, nuk ka askush, as në Kroaci as në pjesën tjetër të BE. Por zgjimi nuk bën aq keq, mendon Christoph Hasselbach.

Fotografi: Georges Gobet/AFP/Getty Images

Eufori për Europën nuk ka pasur në Kroaci as para hyrjes në BE, e për më tepër tani ka edhe më pak një vit më pas. Arsyet janë të qarta. Një bum ekonomik, punësimi dhe investimesh jo vetëm nuk ka ndodhur që prej anëtarësimit, por vendi është pjesërisht edhe më keq se më parë. Papunësia sot është në nivelin e vendeve problematike si Greqia dhe Spanja, recesioni zgjat prej pesë vjetësh dhe qeveria nuk po e vë dot nën kontroll deficitin buxhetor.

Ndryshe nga pas pranimit të Polonisë dhe Sllovenisë në vitin 2004 investimet e huaja pas pranimit të Kroacisë kanë rënë ndjeshëm. Korrupsioni, burokracia dhe një treg i ngurtë i punës janë pengesa të mëdha për firmat. Anëtarësimi në BE nuk është ilaç çudibërës, me të cilin me një të goditur përmirësohet gjithçka. Përveç kësaj lirimi nga detyrimet doganore në tregtinë me pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë si Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk ekziston më. Nga ana tjetër importet nga vendet e tjera të BE përbëjnë një konkurrencë të fortë për produktet kroate.

Fotografi: DW/P. Henriksen

Moment i papërshtatshëm

Kjo nuk do të thotë se Kroacia sot, po të ishte jashtë BE, do t'i kishte punët më mirë. Përsa i përket perceptimit në të dyja palët, Kroacia ka pasur fatin e keq, që të bëhej anëtare jo në momentin e duhur. Në valën e madhe të pranimeve në vitin 2004, me zgjerimin me dhjetë vende të reja mbizotëronte ende një frymë gëzimi në Lindje dhe Perëndim. Dukej se Europa e kishte kapërcyer përfundimisht ndarjen e saj dhjetëravjeçare. Prandaj askush nuk shikonte me vëmendje, nëse anëtaret e rinj i plotësonin me të vërtetë kushtet politike dhe ekonomike të anëtarësimit.

Kjo pavëmendje u pagua më së voni me pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007. Akoma sot disa qeveri në Perëndim i akuzojnë këto vende për korrupsion dhe defiçite në drejtësi. Aq më i vështirë qe pastaj provimi për Kroacinë. Kësaj iu shtua edhe kriza financiare dhe e borxheve. Vende si Greqia, Portugalia, apo Irlanda duheshin shpëtuar nga falimentimi. Që kur BE ndodhej në prag të greminës, në vendet e pasura dhe të qëndrueshme të veriut nuk kanë më dëshirë t'ia lidhin këmbët vetes me raste të tjera problematike.

Pa perspektivë pranimi nuk ka stabilitet

Kështu që gjendja ka ndryshuar rrënjësisht. Pas Kroacisë nuk vjen më një herë për njëherë asgjë, thanë shumë pas dyerve të mbyllura. Dhe këtë e ndjejnë njerëzit në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. Por kush vajton ditët e shkuara në anën kroate, kapet pas një imazhi të rremë. Globalizimi do ta impononte gjithsesi procesin e dhimbëshëm të përshtatjes.

Por kush do të mbyllë tani qepenat dhe të mos pranojë vende të tjera, e thjeshton gjënë shumë. Për arsye ekonomike BE nuk i dëshiron vendet si Serbia, Shqipëria, apo Maqedonia. Parë vetëm në aspektin ekonomik, ato do të ishin më shumë barrë sesa fitim. Por politikisht BE është i interesuar për paqëtimin e përhershëm dhe stabilizimin e ish-Jugosllavisë. Pikërisht problemi Serbi-Kosovë nuk do të zgjidhet pa një perspektivë anëtarësimi. Procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë, por njerëzit në këto vende duhet të kenë një shpresë konkrete, që përpjekjet e tyre nuk bëhen më kot.

Ballkani duhet të vlerësohet ndryshe nga Turqia dhe Ukraina

Mund të diskutohet, për kufijtë përfundimtarë gjeografikë të Bashkimit Evropian. Mund të diskutohet, nëse Turqia bën pjesë në të, përsa i takon kulturës. BE zhvillon me të prej vitesh negociata për pranim, pa dëshirë dhe pa ndershmëri, edhe pse një shumicë e qartë në Evropë është kundër dhe Turqia prej vitesh largohet nga vlerat evropiane. Mund të diskutohet, nëse Ukraina, apo Gjeorgjia dikur do të mund të jenë anëtarë, apo nëse çmimi i një armiqësie të përhershme me Rusinë do të ishte shumë i madh.

I gjithë Ballkani duhet të ketë patjetër një perspektivë të qartë në BE. Ky territor ka për BE një pozitë shumë centrale, saqë të pranohet që një fuçi e përhershme baruti të lihet vetëm. Sigurisht që ky qëllim nuk mund të arrihet kundër njerëzve. Zhgjimi në të dyja anët madje mund të ndihmojë. Në vendet e reja anëtare perspektiva evropiane shihet tani më me realizëm se para dhjetë vjetësh, por edhe vendeve të vjetra anëtare pak më shumë realizëm nuk do t'i bënte dëm. Këtu lavjerrësi ka lëvizuar nga entusaizmi i verbër për pranim në refuzim kategorik të anëtarëve të rinj, para se të ndalojë e të qëndrojë në mes, siç shpresojmë.