Nuk duket monedhë udhëheqëse në horizont
20 Shkurt 2011
Sipas ish-shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Michel Camdessus, sistemi monetar botëror ka nevojë për një reformë rrënjësore. "Në tregjet valutore ndodhin vazhdimisht luhatje të padëshirueshme", thotë në një intervistë për të përjavshmen "Die Zeit" Camdessus, i cili këshillon sot kreun e shtetit francez dhe kryetarin e G-20-ës Nicholas Sarkozy. Sipas tij shpesh kursi i monedhave "nuk ka lidhje me të dhënat ekonomike fondamentale". Për këtë arsye është kuptimplotë futja e një fiksimi të ri, të palëvizshëm për monedhat.
Një fiksim të tillë ka pasur njëherë, por ka kaluar shumë kohë. Në verë 1944 SHBA-ja pati ftuar në një konferencë ndërkombëtare në Bretton Woods në shtetin federal amerikan New Hampshire për të përcaktuar një rend të ri për ekonominë e çrregulluar botërore. Atje u themeluan Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. E para duhet të merrej me rindërtimin në Evropë dhe në vendet në zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të stabilizonte vende, monedhat e të cilave gjendeshin nën trysninë e problemeve ekonomike të brendshme.
Një çengel i fiksuar...
Por rezultati më i rëndësishëm i Bretton Woods-it ishte, që shtetet u morën vesh për dollarin amerikan si monedhë udhëheqëse dhe që kjo monedhë do të sigurohej me ar. Duke qenë se SHBA-ja zotëronte dy të tretat e rezervave botërore të arit, dollari ofrohej vetiu si monedhë udhëheqëse. Kësisoj pas fundit të luftës SHBA-ja mori jo vetëm rolin udhëheqës politik dhe ushtarak në botë, po edhe atë ekonomik e financiar. Ja që atëherë bota ishte ende në rregull: Kishte kurse këmbimi fikse, norma interesash të ulëta, dhe dollari njihej kudo si monedhë udhëheqëse dhe transkasionesh.
...humbet ngadalë qëndrueshmërinë
Fatkeqësisht presidenti i 36-të i SHBA-së, Lyndon B. Johnson, pati idenë që të ndihmonte fuqinë pushtuese franceze në vështirësi në Vietnam. Luftërat janë të shtrenjta dhe shpejt obligacionet amerikane në dollarë nuk mbuloheshin më me ar. Kurse e këmbimit fikse ndaj dollarit u lëkundën. Më 15 gusht 1971 presidenti i atëhershëm Richard Nixon pa një pa dy hoqi detyrimin për t'i këmbyer dollarët amerikanë me ar.
Pasoja shkatërrimtare
Që atëherë sistemi ynë monetar ndërkombëtar është i shkëputur prej realitetit material. Ekonomia botërore nuk ka më një njësi vlere të njohur nga të gjithë. Krijimi i parasë mbështetet në kredidhënien e bankave private dhe nuk lidhet më me realitetin material. Digjitalizimi i parasë nëpërmjet teknikës kompjuterike bën gjithashtu të mundur kalimin e shumave të parave në formë të dhënash elektronike. Kësisoj janë shtuar jashtëzakonisht transaksionet spekuluese të valutave. Sot vetëm rreth pesë për qind e transaksioneve të valutave përputhen me shkëmbimin real të mallrave dhe shërbimeve, 95 për qind janë spekuluese.
Nuk duket çengel në horizont
Por pikërisht kjo është dilema: Pika qendrore e referimit mungon dhe në mungesë të alternativës dollari mbetet monedhë udhëheqëse. Sipas mendimit të kreut të shtetit dhe të partisë kineze Hu Xhintao një sistem monetar ndërkombëtar i kontrolluar prej dollarit nuk ka të ardhme. Dominimi i monedhës amerikane është "produkt i së kaluarës", deklaroi Hu në një intervistë me "Washington Post" dhe "Wall Street Jornal" pak para samitit me presidentin Barack Obama në janar. Por as Huja nuk e di se ç'duhet të zërë vendin e dollarit.
Autor: Rolf Wenkel / Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti