1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220611 Interview Genscher Kroatien Slowenien

25 Qershor 2011

Më 25 qershor 1991, Kroacia dhe Sllovenia shpallën pavarësitë. Ministri i Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, asokohe ministër i Jashtëm i Gjermanisë, luajti një rol qendror në procesin e njohjes së tyre.

Hans-Dietrich GenscherFotografi: DW

Në vitin 1991 u vunë re shenjat e para të shembjes së Jugosllavisë: Shumica e njerëzve në Slloveni dhe Kroaci u shprehën nëpërmjet referendumeve pro pavarësisë së republikave. Dëshira e tyre për pavarësi u përforcua edhe nga tendencat nacionaliste të ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Milosheviç. Më 25 qershor 1991, Kroacia dhe Sllovenia shpallën pavarësitë. Sulmet e mëpasshme të Ushtrisë Popullore Jugosllave ndaj qyteteve kroate e shtynë Bashkësinë Evropiane që të vepronte. Hans-Dietrich-Genscher ekskluzivisht për ngjarjet e vitit 1991:

DW: Zoti Genscher, disa qytete ose fshatra në Kroaci kanë nga një rrugë ose shesh me emrin tuaj. Mes banorëve të ishullit Brac madje ka plasur edhe një grindje për bustin tuaj, se a duhet të jetë prej mermeri apo bronzi. A ju bën krenar një vëmendje kaq e madhe?

Genscher: Këtu unë padyshim që shoh mirënjohje ndaj qëndrimit të atëhershëm të gjermanëve. Sepse vendimet që duheshin marrë asokohe nuk ishin aspak të lehta.


DW: Cilat ishin marrëdhëniet e atëhershme mes Gjermanisë dhe Jugosllavisë?

Genscher: Unë isha i mendimit se duhej bërë gjithçka për ruajtjen e Jugosllavisë. Si gjermanë, ne kishim marrëdhënie shumë të ngushta me Jugosllavinë. Kjo kishte të bënte në radhë të parë me faktin që shumë jugosllavë, sidomos sllovenë dhe kroatë, punonin asokohe në Gjermani. Por nga ana tjetër, Jugosllavia ishte zonë pushimi për gjermanët. Kjo do të thotë se mbas Luftës së Dytë Botërore dhe mbas ngjarjeve të tmerrshme të asaj kohe ne ishim afruar shumë me njëri-tjetrin. Prej kësaj ishte ndërtuar një raport shumë miqësor. Përveç kësaj, politika e jashtme gjermane shikonte te Jugosllavia një faktor pavarësie. Pjesëmarrja e një shteti evropian në lëvizjen antikolonialiste të shteteve pa bllok ishte me rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo e bënte të qartë se ajo nuk ishte një lëvizje anti-evropiane, por një lëvizje anti-kolonialiste. Kështu që në politikën tonë Jugosllavia kishte një pozitë të veçantë dhe për këtë shkak në kuadër të Bashkësisë Evropiane ne angazhoheshim për një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me Jugosllavinë.

DW: A mendoni se një ndërkombëtarizim më i hershëm i konfliktit, për shembull njohja e Kroacisë dhe Sllovenisë, do ta kishte penguar futjen e Ushtrisë Popullore Jugosllave në Dubrovnik dhe Vukovar?

Genscher: Unë besoj se ka shumë mundësi që një qëndrim më i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare t'i pengonte, ose të paktën t'i bllokonte, zhvillimet që na u desh t'i përjetojmë më vonë. Brenda bashkësisë ndërkombëtare ne kemi folur atëherë shpesh për këto çështje. U ngrit komisioni Badinter-Herzog, i cili kishte për detyrë që të përcaktonte parakushtet për njohjen e shteteve të pavarura. Kjo tregonte se çështja e njohjes nuk ishte diçka që e kishin në mendje vetëm gjermanët, por edhe Bashkësia Evropiane ku diskutohej seriozisht e vendoseshin rregulla, se si duheshin njohur këto pavarësi. Gjatë gjysmëvitit të dytë 1991-it u pa që Millosheviçi bënte biseda zvarritëse me këdo që donte, por që në fund dilte se ai nuk dëshironte atë Jugosllavi që përkonte me idenë e themelimit të federatës.


DW: Megjithëse ishte një vendim njëzëri, nuk ishin të gjithë entuziastë për njohjen e Kroacisë dhe Sllovenisë, disa anëtarë do të kishin preferuar të pritej edhe pak kohë.

Genscher: Po, kemi të bëjmë me një bashkësi, ku njëri e përshëndet një vendim më shumë se tjetri, por çka është me rëndësi, është fakti, që ky vendim u mor njëzëri dhe që nuk ishte një hap unilateral.


DW: Komisioni Badinter-Herzog konstatoi se edhe Maqedonia i përmbushte kushtet për njohje. Përse nuk u njoh edhe Maqedonia në të njëjtën kohë si Kroacia dhe Sllovenia?

Genscher: Në seancën e 17 dhjetorit 1991 nuk pati asnjë vend që sugjeronte njohjen e Maqedonisë. As ne nuk e bëmë.


DW: Pra, thjesht nuk ishte temë?

Genscher: Ndoshta është më mirë të themi, se ende nuk ishte temë.

DW: Sot, 20 vjet më vonë, Sllovenia është tashmë anëtare e BE-së, Kroacia do të bëhet mbas dy vjetësh. Atëherë u tha se njohja ishte një paradhënie mirëbesimi ndaj këtyre vendeve. A ju kanë zhgënjyer tashmë Kroacia dhe Sllovenia apo mendoni se kanë merituar besimin tuaj?

Genscher: Ato e kanë merituar besimin tim. Nuk ishte rrugë e lehtë për këto vende dhe ato e kanë përshkuar atë me vendosmëri të madhe.

DW: Një vend tjetër është duke trokitur në portat e BE-së: Serbia. Me dërgimin e Mladiçit në Hagë u hoq një pengesë e madhe nga rruga. A mendoni se Serbia e meriton të jetë vendi i ardhshëm që hyn në BE?


Genscher: Serbia sigurisht që me këtë e ka shmangur një pengesë të rëndësishme. Dhe unë, si atëherë, ashtu edhe sot, nuk kam pasur kurrë dyshim, që nëse ajo i plotëson të gjitha kushtet, ka të drejtë të bëhet anëtare e BE-së. Unë e kam thënë gjithnjë se e ardhmja e popujve të Jugosllavisë është në BE. Ata një ditë prej ditësh, sa më herët, aq më mirë, do të gjenden së bashku sërish si anëtarë të barabartë dhe të barasvlershëm të BE-së.

Autor: Zoran Arbutina/Mimoza Kelmendi