1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Numri i dezertorëve rusë të luftës rritet

24 Maj 2023

Sipas të dhënave britanike, po rritet gjithnjë e më shumë numri i rusëve që mohojnë shërbimin ushtarak në Rusi. Në Gjermani janë shtruar shumë kërkesa për azil nga të rinj rusë, por vetëm pak prej tyre janë njohur.

Ushtarë rusë Ukrainë
Ushtarë rusë UkrainëFotografi: Konstantin Mihalchevskiy/SNA/IMAGO

Sipas të dhënave të shërbimeve sekrete britanike numri i dezertorëve rusë është rritur ndjeshëm këtë vit. Nga janari deri në maj gjykatat ushtarake ruse kanë trajtuar 1.053 raste të dezertimit nga shërbimi ushtarak, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në Londër duke u bazuar në të dhënat e gazetarëve investigativë rusë. Kjo shifër është më e lartë se i gjithë viti 2022.

Moska dëshiron të dërgojë dezertorët sërish në luftë

Në dosjet e gjykimit bëhet  e qartë, se shumica e dezertorëve jaë dënuar me kusht, për t'u dërguar sërish në luftë. "Ushtria ruse që nga fillimi i luftimeve në Ukrainë ka vështirësi të zbatojë disiplinën dhë radhët e saj, por këto vështirësi, që nga mobilizimi me detyrim i rezervistëve në dhjetor 2022 ka shumë gjasa të jenë përkeqësuar", thuhet në vlerësimin e shërbimeve sekrete britanike. Sipas tyre përpjekjet ruse për përmirësimin e disiplinës përqëndrohen në dënimet e dezertimeve dhe nxitjen e patosit patriotik, në vend që të merren me arsyet e vërteta të dezertimit të ushtarëve.

Rekrutë rusë dërgohen në UkrainëFotografi: Yelena Afonina/TASS/dpa/picture alliance

Njihen pak kërkesa për azil nga Gjermania

Në Gjermani pak dezertorë rusë dhe mohues të luftës kanë marrë përgjigje pozitive të azilit. Nga rreth 2500 kërkesa për azil, vetëm 55 janë pranuar, thuhet në një raportim të Rrjetit Redaksional "Redaktionsnetzwerk Deutschland", që citon nga një përgjigje e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të Majtën. Sipas përgjigjes, 2485 qytetarë rusë në moshë të re kanë kërkuar azil në Gjermani. në 814 raste është marrë vendimi për azilin. 55 përgjigje kanë qenë pozitive, pra njohje e azilit. Shumë aplikime për azil kanë përfunduar sepse janë pjesë e "vendimit të procedurës së Dublinit". Procedura e Dublinit vihet në veprim para trajtimit të kërkesës për azil dhe shikon, se kush shtet është përgjegjës për trajtimin e parë të kërkesës së azilit.

Dezertorët rusë dhe mohesit e luftës mund të kërkojnë azil në Gjermani. Jan Korte, drejtues ekzekutiv i grupit parlamentar të së Majtës në Bundestag kritikon qeverinë gjermane për numrin e vogël të pranimit të kërkesave për azil. "Nëse më shumë se 100.000 burra në moshë të rekrutimit largohen nga Rusia dhe mohojnë luftën e Putinit, por vetëm 55 prej tyre gjejnë mbështetje në Gjermani, këtu diçka shkon keq."

la/zdf