1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OECD Migrationsausblick

13 Korrik 2010

Organizata për bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin (OECD) prezantoi ditën e hënë, më 12 korrik raportin e saj për migracionin të vitit 2010. Raporti nuk përmban vetëm shifra por edhe mesazhe.

Vendet evropiane duhet të ushtrojnë një politikë afatgjatë migracioni.
Vendet evropiane duhet të ushtrojnë një politikë afatgjatë migracioni.Fotografi: AP

Shifrat janë më të ulëta. Për vite me radhë numri i migrantëve të ligjshëm ka qenë në nivel dyshifror, kurse vitin e kaluar ra në gjashtë përqind. Kjo ka të bëjë kryesisht me gjendjen e keqe ekonomike të Evropës, thotë Komisari i BE-së për çështjet e punës, Laszlo Andor. „Migrantët preken në mënyrë të veçantë nga kriza ekonomike, sepse ata punojnë të përqëndruar në sektorë të caktuar të ekonomisë. Për shembull në ndërtim, një sektor që ka vuajtur shumë në vende me migracion të lartë, si Spanja për shembull. Por edhe në industri, si për shembull në ndërtimin e automjeteve dhe shitjen e tyre, ku ka patur rënie të dukshme.“

Komisarja e BE-së, Cecilia Malmström.Fotografi: picture alliance/dpa

Në shumë vende evropiane qëndresa kundër ardhjeve të migrantëve është e madhe. Prandaj shumë vetë i presin me dëshirë shifrat në ulje. Por Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria paralajmëron evropianët nga rreziqet e këtij qëndrimi dhe kërkon ndryshim pikëpamjesh. „Procesi i plakjes sjell me vete pasoja shumë të mëdha. Sigurisht që mund të bëhet gjithçka për të rritur produktivitetin. Megjithatë nuk duhen harruar edhe kohët e vështira."

Migrantët përbëjnë një grup në rritje të popullsisë evropiane, në Austri ose në Çeki për shembull ata përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se në praktikë punëmarrësit gëzojnë të njëjtat të drejta, padit Komisarja e BE-së, Cecilia Malmström. „Ne e dimë, se për shembull në bujqësi ekziston një nevojë e madhe për punëtorë sezonalë, por ne dimë po ashtu se njerëzit që punojnë në këtë sektor janë të pambrojtur dhe shpesh shfrytëzohen pa masë. Prandaj ne duhet të sigurojmë statusin e tyre juridik, për të penguar shfrytëzimin e tyre dhe për t'u dhënë shëndetin dhe sigurinë.“

Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria paralajmëron evropianët për rreziqet e plakjes.Fotografi: DW

Malmström do të bëjë së shpejti propozime për ndryshimet ligjore në përmirësimin e statusit juridik dhe kushteve të jetës të migrantëeve. Dhe këtë nuk e bën për arsye moraliste. „Politika e organizuar mirë e migracionit legal, politika afatgjatë do të luajë një rol të rëndësishëm për të përmbushur boshllëkun demografik."

Mesazhi që jep OECD-ja dhe Komisioni është i qartë: Evropa do të mund ta ruajë mirëqënien e saj vetëm me forcat e punës që vijnë nga jashtë saj. Tek qytetarët evropianë duhet bërë shumë punë bindëse që të kuptohet kjo. Aktualisht në Bashkimin Evropian asnjë temë nuk është kaq e nxehtë sa tema e migracionit.

Autor: Christoph Hasselbach/ Aida Cama

Redaktoi: Eliana Xhani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë