1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nxënës nga Kosova njihen me Gjermaninë

8 Maj 2010

15 nxënës nga tre komuna të Kosovës qëndruan në prill për një vizitë njëjavore në Gjermani. Ekskursion mësimor u realizua në Ansberg dhe Dortmund dhe ishte projekt i mësuesit Kemajl Çollaku dhe këshillit të prindërve.

Nxënës nga Kosova njihen me Gjermaninë.
Nxënës nga Kosova njihen me Gjermaninë.Fotografi: DW

Ekskursioni kishte qëllim të dyfishtë: njohjen me realitetin, me jetën, me institucionet, me shkollat dhe ishte një ekskursion kthyes sepse vjeshtën e kaluar disa qytete në Kosovë kanë qenë mikpritës të një grupi nxënësish nga Gjermania po të të njëjtit mësues.

"Përveç asaj që keni pa monumente, qytete dhe vende të mira ju jeni njohur edhe me familje, me shokë, me shoqe, me bashkëatdhetarë tuaj, me bashkëmoshaarë tuaj dhe me sa kam dëgjuar unë ju jeni lidhur shumë ngushtë me njëri-tjetrin dhe ata do t' ju vizitojnë juve në Kosovë..."

Janë këto fjalët me të cilat arsimtari me mësim plotësues në shkollën shqipe në qytetin Arnsberg, Kemajl Çollaku ndahet nga grupi i nxënësve kosovarë të cilët për një javë qëndruan mysafirë në shtëpitë e bashkëmoshatarëve të tyre në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë.

Ana tjetër e komunikimit ndërkulturor

15 nxënësit nga Kosova po shoqëroheshin në këtë ekskursion nga dy mësues dhe nga zoti Nuhi Gashi, zyrtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Sipas Gashit është fjala për një këmbim normal mes nxënësve që përveç njohjes së identitetit shumë me vlerë ka edhe anën tjetër të komunikimit ndërkulturor. Ndërkaq, e veçanta e gjithë projektit ishte fakti që ekskursioni kishte një kriter që përfshinte vetëm fëmijë të cilët kanë humbur njërin ose të dy prindërit në luftë: "Ne e trajtuam këtë si një favor për t'ju ofruar këtyre fëmijëve njohjen me një botë tjetër, me realitetin tjetër, me komunitetin e shqiptarëve në diasporë dhe t' ju sjellin atyre më tepër atdhe, më tepër dashuri për atdheun, më tepër vlera identiteti dhe njëkohësisht të lidhen më tej në të gjitha planet".

Programi i vizitës kishte karakter mësimor

Zyrtari Gashi sqaron se programi ishte organizuar prej mësuesit Çollaku dhe shkollave mikpritëse në Gjermani dhe ishte harmonizuar brenda konceptit mësimor të ministrisë së arsimit. Dhe siç duket ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi që do të thellohet edhe më shumë. Gashi: "Sinqerisht unë jam mrekulluar me gjithë atë dashuri dhe ngrohtësi që jemi pritur me këta fëmijë dhe dita e sotme ishte një ditë kur unë u ndjeva mjaft i dobët në kuptimin emocional pas ndarjes me lotë, por njëkohësisht edhe shumë premtimeve për vazhdimin e lidhjes, bashkëpunimit të mëtejshëm, vizitava të ndërsjellta. Mund të them se u pritën më mirë se në shtëpitë e tyre, ishte një emocion i jashtëzakonshëm... Pjesa ndoshta më e njdeshme që ne nuk e kemi parë ka qenë pjesa e pritjes nëpër familje, ngrohtësia familjare, dashuria e një mori vlerash që janë të një interesi të dyanshëm. Unë jam i bindur dhe i kam parë me sytë e mij që fëmijët kanë qenë shumë të lumtur."

Kryetari i Bashkisë së Arnsbergut pret nxënësit nga Kosova.Fotografi: DW

Dhe lumturia për të cilën flet Nuhi Gashi vërehet lehtë në sytë e Erblinës, Artës, Ilirianës e Taulantit.

Erblina Çollaku: "Përshtypjet kanë qenë të mrekullueshme, vizita ka qenë e paparamendueshme për ne, ka qenë shumë e mirë dhe ne kemi kujtime të mrekullueshme që nuk do të shlyhen gjer në vdekje".

Arta Rakoci: "Në Gjermani kemi kaluar shumë mirë dhe nuk kam fjalë për të përshkruar pritjen, na kanë pritur shumë mirë edhe kemi vizituar shumë vende dhe kemi zënë shumë shokë e shoqe."

Ilirjana Sylejmani: "Kanë qenë shumë të sjellshëm me ne dhe nuk e kam pritur që kemi me kaluar kaq mirë dhe nuk mund të veçoj asnjë moment sepse gjithçka ishte e veçantë për ne."

Taulant Sahiti: "Në Gjermani unë e kalova shumë mirë, ishte shumë bukur kemi vizituar disa vende, parkun e Dortdmundit, kopshtin zoologjik."

Familjet hapën dyert dhe zemrat

Ndërkaq arsimtari Izet Krivanjeva me lotë në sy falendëron edhe një herë me të mbërritur në aroportin e Prishtinës të gjitha ato familje që hapen dyert dhe zemrat e tyre për këta fëmijë: "Patëm një vizitë të paharruar, një zemërgjerësi shumë të madhe e treguan ata prindër, ata familjarë që na pritën në familjet e tyre. Ata i harruan ndoshta fëmijët e tyre gjatë kësaj jave duke treguar aq shumë kujdes për këta fëmijë të dëshmorëve. Unë i falendëroj nga zemra, ata kanë një zemër shumë të madhe, shumë bujare. Unë jam shumë i kënaqur, shumë i lumtur që i kthej këta fëmijë në gjirin familjar edhe pse atje krjuan një gji tjetër familjar, një ngrohtësi të papërshkrueshme familjare që ofruan ata njerëz të vullnetit të mirë."

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW