Nxënësit Ndihmojnë Jetë
11 Prill 2012
Në maqedonisht 19-vjeçarja merret vesh në gjuhën e përditshme. Tani 19-vjeçarja Lena Groh-Trautmann dëshiron të mësojë edhe romanes, gjuhën e romëve. Prej gushtit 2011 ajo punon si vullnetare për shoqatën Nxënësit Ndihmojnë Jetë në kryeqytetin maqedonas Shkup. Atje maturantja gjermane mbështet fëmijë romë në lagjen Shutka. Lena u mëson atyre gjermanisht dhe anglisht, dhe ajo kontribuon edhe në ndërtimin e këndeve të lojrave për fëmijë më të vegjël. "Shumë fëmijë, me të cilët punojmë, janë nga shtresa shumë të varfra. T'u dhurosh atyre kohë dhe vëmendje është shumë e rëndësishme."
Çdo vit nxënësit mbledhin rreth 1,6 milionë euro
Lena tregoi për përvojën e saj të deritanishme në Berlin në të ashtuquajturin "Takim përzgjedhës" të organizatës "Schüler helfen Leben". Për këtë ajo erdhi enkas nga Shkupi. Rreth 250 nxënës nga gjithë Gjermania vendosën në Berlin se për cilën kauzë të mirë do të punojnë sivjet në të ashtuquajturën "Ditë sociale", sepse krahas angazhimeve jashtë vendit, në Ballkan, "Schüler helfen leben" organizon çdo vit këtë nismë mbarëkombëtare. Atë ditë (sivjet më 14 qershor) nxënësit lirohen nga mësimi dhe punojnë në sektorë të ndryshëm. Pagën e dhurojnë për projekte ndihme, për të ndihmuar bashkëmoshatarë në nevojë. Nëpërmjet kësaj mblidhen çdo vit rreth 1,6 milionë euro. Këto projekte përzgjidhen demokratikisht në bazë, shpjegon Felix Lorenzen, punonjës tek Schüler Helfen Leben në Berlin: "Te Schüler Helfen Leben parimi është që nxënësit dhe nxënëset të cilët shkojnë për të punuar në Ditën sociale, vendosin vërtet më pas se çfarë ndodh me paratë e tyre."
Të mbështeten gjatë riintegrimit në shoqëri shkelës ligji në moshë të re
Pesë projekte për të rinj dhe fëmijë në Ballkanin Perëndimor u propozuan në "Takimin përzgjedhës" për 2012-n. Shumica e të rinjve vendosën për një projekt në Serbi. Synimi: Të mbështeten gjatë riintegrimit në shoqëri shkelës ligji në moshë të re. Ky angazhim vlerësohet edhe në Bruksel: Më 31 mars Parlamenti Evropian i akordoi shoqatës çmimin qytetar për angazhim shoqëror të shquar. Organizata është themeluar në 1992 gjatë luftërave civile në ish-Jugosllavi.
Autor: Ursula Rütten / Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti