1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270410 Obama Unternehmergipfel

27 Prill 2010

Për dy ditë rresht në Uashington takohen 250 delegacione nga e mbarë bota në " Samitin Presidencial për Sipërmarrësit". Me samitin e ndërrmarrjeve para së gjithash synohet forcimi i marrëdhënieve ekonomike .

Presidenti Barack Obama flet para sipërmarrësve
Presidenti Barack Obama flet para sipërmarrësveFotografi: AP

Biznesmenia indiane, Shahnaz Husain e filloi karrierën e saj nga zeroja: ajo huazoi 5000 dollarë nga një bankë për të hapur një sallon në shtëpinë e saj, për shkak se i mungonin të hollat për të marrë me qira një dyqan:

"Unë fillova duke huazuar 5000 dollarë nga një bankë, hapa sallonin në shtëpi për shkak se ishte shumë e shtrenjtë të mirrja një dyqan."

Tani kur kanë kaluar 30 vjet që nga ajo kohë, Shahnaz Husain me 800 dyqanet e saj ka ngritur një perandori të bukurisë dhe shet produktet e saj kozmetike me përmbajtje bimore në mbarë botën. Shahnaz Husain vështronte me krenari fytyrat e biznesmenëve dhe biznesmeneve pjesëmarrse në debatin me titullin "Qasja në kapital".

Për dy ditë rresht në Uashington takohen sipërmarrës dhe njerëz nga fusha e biznesit nga bota myslimane, për të diskutuar mënyrat e forcimit të tregtisë dhe iniciativat sipërmarrëse në vendet e tyre. Pjesëmarrësit në takim vijnë nga Uganda dhe Maroku, Pakistani dhe Kazakistani, nga gjithsej 60 vende të ndryshme të botës. Ftesën për "Presidential Summit on Entrepreneurship" (Samitin Presidencial për Sipërmarrësit) e ka bërë personalisht presidenti amerikan Barack Obama: vitin e kaluar gjatë një fjalimi të tij në Kairo. Përkundër gjithë elementëve të ngjashëm, ky samit sipas presidentit Obama është i nevojshëm për shkak se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteti mysliman në mbarë botën shpesh takohen me mosbesim:

Pjesëmarrës në Samitin Presidencial për SipërmarrësitFotografi: AP


"Ne jemi pra këtu, sepse e dimë që gjatë viteve, pavarësisht të gjitha gjërave të përbashkëta që i kemi, Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti mysliman nëpër botë shumë shpesh kanë rënë viktimë e mosbesimit të ndërsjelltë."

Në debatet e ekspertëve dhe fjalimet, që po mbahen në samit duhet të gjenden rrugë të reja të bashkëpunimit. Dhe në këtë drejtim ka shumë punë për t'u bërë, tërheq vëmendjen presidenti amerikan. Edhe pse tregtia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendeve myslimane është rritur dukshëm, prapëseprapë vetëm shkalla e tregtisë më Meksikën është po aq e lartë. Si masa të menjëhershme për një bashkëpunim më të ngushtë Obama paralajmëroi disa programe shkëmbimi ndër të tjera edhe për profesor të shkencave natyrore. Përveç kësaj gra nga fusha teknologjike duhet të shkojnë për shkollim të mëtejshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti amerikan njoftoi po ashtu se për personat nga fusha e telekomunikacionit, shëndetësisë dhe infrastrukturës do të vihen në dispozicion rreth dy miliardë dollarë nga Fondi Global për Tekonologji dhe Inovacion.

Presidenti amerikan u lavdërua shumë për organizimin e këtij samiti. Ai mbajti kështu premtimin e dhënë në Kairo. Megjithatë vendimtare për erën e re të marrëdhënieve myslimano-amerikane do të jenë përparimet që ai do të bëjë në temat e mëdha: procesi paqësor në Lindjen e Mesme apo lufta në Irak dhe Afganistan.

Autor: Nikole Markwald/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi