1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama prezanton projektbuxhetin 2013

14 Shkurt 2012

Fushata zgjedhore presidenciale në SHBA ka të bëjë sivjet pothuajse vetëm me temën e financave. Prandaj, republikanët opozitarë e kanë pritur me interesim të madh buxhetin shtetëror 2013.

Fotografi: AP

Është në një blu që ndriçon dhe mbi të shkëlqen e shkruar me gërma të bardha: "Budget 2013". Në projektbuxhetin e tij për vitin që vjen, që fillon në tetor, presidenti amerikan Barack Obama merr në shënjestër të pasurit e vendit. Akuzën e republikanëve, se ai kërkon të nisë një luftë klasash, ai e hedh poshtë me vendosmëri. "Nuk është fjala për luftë klasash, po për arsye të shëndoshë, kur të pasurit paguajnë më shumë taksa sesa njerëzit me të ardhura më të ulëta."

Shkurtime të rënda në sektorin social dhe atë shëndetësor

Në projektbuxhetin e tij presidenti amerikan kërkon prej milionerëve një normë tatimi prej të paktën 30 për qind. Përveç kësaj, planifikohet që të mbarojnë përfundimisht lehtësimet fiskale për personat me të ardhura më të larta.

Megjithatë, projekti parashikon edhe shkurtime të rënda në sektorin social dhe atë shëndetësor. "Janë shkurtime të vështira, të cila normalisht nuk do t'i bëja, nëse nuk do të ishin absolutisht të nevojshme."

Në foto, presidenti ObamaFotografi: Reuters

Presidenti do të kursejë edhe në ushtri dhe në programin amerikan të fluturimeve hapësinore NASA. Për shembull, NASA heq dorë nga dy misione për në Mars, të planifikuara me Agjencinë Evropiane të Fluturimeve Hapësinore.

Mirëpo, në përgjithësi presidenti mbetet prapa premtimeve të veta për të kursyer. Pasi me investime me vlerë në miliarda ai kërkon të rigjallërojë ekonominë amerikane. Para do të derdhen para së gjithash në projekte infrastrukture, në shtysat për krijimin e vendeve të reja të punës dhe në novacion e arsim. Obama i përligj detyrat e tij me njohurinë: Nuk mund të kursejmë në atë që na ndihmon për rritjen ekonomike."

Republikanët: Planbuxheti - vetëm një fjalim fushate zgjedhore

Projektbuxheti i Obamës për 2013-n ka në total një vëllim prej 3,8 bilionë dollarësh (për të parën herë deficiti është nën një bilion).

Mirëpo, kjo nuk u mjafton kurrsesi republikanëve. Senatori republikan John Barrasso kritikon programin e investimeve të Obamës. "Ky buxhet jo vetëm që lind pa jetë, ai bën borxhe që në lindje!"

Pamje simbolikeFotografi: Fotolia/gknec

Planbuxheti nuk është më shumë sesa një fjalim fushate zgjedhore (krejtësisht pa koncept për problemin e huave të SHBA-së), kritikojnë republikanët njëzëri.

Republikanët dhe demokratët e dëshmuan vitin që shkoi, se nuk mund të merren vesh në gati asnjë çështje (për shembull për buxhetin përfundimtar për vitin në vazhdim). Buxheti i Obamës për 2013-n u jep të dyja palëve municion shtesë për një fushatë zgjedhore presidenciale shpërthyese dhe të ashpër.

Autorë: Julia Hummelsiep / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti