Obama u tregon palestinezëve perspektivën e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara
24 Shtator 2010Presidenti amerikan Barak Obama u ka hapur palestinezëve perspektivën e një antarësimi të shpejtë në Kombet e Bashkuara. Nëse bisedimet e paqes me Izralin përfundojnë me sukses, atëherë një shtet palestinez mund të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 2011, tha Obama në fjalimin e mbajtur të enjten para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
"Brenda një viti mund të arrihet marrëveshje paqësore midis Izraelit dhe palestinezëve, çka do të na sillte një shtet të ri, anëtar të Kombeve të Bashkuara, një shtet të pavarur palestinez, i cili jeton në paqe me Izralin."
Presidenti amerikan i bën thirrje vendeve arabe, që të angazhohen më shumë për procesin e paqes. "Nëse nuk do të arrihet marrëveshje, atëherë palestinezët nuk do të arrijnë kurrë të mësojnë çfarë krenarie dhe dinjiteti sjell me vete një shtet i veti".
Bisedimet direkte për marrëveshjen e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve filluan sërish në fillim të muajit shtator në Uashington. Në to u vendos objektivi që brenda këtij viti të arrihet një marrëveshje. Konflikti për ndërtimin e ngulimeve izraelite në territoret palestineze rrezikon që bisedimet të dështojnë.
Në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork u zhvilluan debatet e përgjithshme vjetore të Asamblesë së Përgjithshme. Takimi i kryetarëve të shteteve dhe të qeverive u hap me fjalimet e presidentit amerikan Barack Obama dhe të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun. Edhe presidenti iranian Mahmud Ahmadinedshad, ishte në radhën e folësve.
Westerwelle vë në pah ambiciet gjermane për anëtarësi në Këshillin e Sigurimit
Gjermania përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, i cili pritet ta mbajë fjalimin ditën e shtunë. Ai kërkon që Gjermania të bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit. Aty Gjermania do të luftonte në mënyrë të veçantë për çarmatimin nuklear.
Në muajin tetor Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara merr vendimin për anëtarët e rinj. Gjermania ka qenë nga viti 2002 deri 2003, anëtar i përkohshëm. Për t'u zgjedhur për dy vjet në Këshillin e Sigurimit, Gjermanisë i duhen dy të tretat e votave të 192 anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Ndryshe nga anëtarët e përhershëm të Kombeve të Bashkuara, SHBA, Rusi, Kinë, Britani e Madhe dhe Francë, dhjetë anëtarët e përkohshëm nuk kanë të drejtën e vetos.
Në konfliktin atomik me Iranin pesë fuqitë me të drejtë vetoje dhe Gjermania kërkojnë "zgjidhje të shpejtë nëpërmjet bisedimeve, siç thuhet në deklaratën e ministrave të jashtëm të grupit 5+1. Konkretisht ata u deklaruan të gatshëm për të diskutuar ndryshimet në një marrëveshje për pasurimin e uranit iranian në vende të tjera. Irani nuk lëshon pe. Ministri i Jashtëm Manushehr Motaki kërkoi që Iranit t`i njihet e drejta për përdorimin civil të energjisë atomike.
Autor: Agjensitë/ Aida Cama
Redaktoi: Elert Ajazaj