1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

WHO Pandemie

12 Qershor 2009

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli të enjten për gripin e derrave shkallën më të lartë të paralajmërimit të pandemisë, shkallën 6. Në të gjithë botën me këtë virus janë infektuar deri tani 27 mijë vetë.

Kontroll kundër gripit të derrave në Taipei.
Pas shpalljes së pandemisë nga OBSH, të gjitha shtetet duhet t'i përshtatin sistemet e tyre shëndetësore për luftimin intensiv të gripit.Fotografi: AP

Me një pandemi, sipas përkufizimit të OBSH-së, kemi të bëjmë kur virusi i një sëmundjeje përhapet në mënyrë globale, pa kufizime rajonale - dhe në mënyrë "të pavarur", nëpërmjet përcjelljes nga njeriu në njeri. Ky parakusht, sipas rregulllave të OBSH-së quhet i plotësuar, kur kemi të bëjmë me një përhapje virusi në të paktën dy nga gjashtë rajonet e botës të përcaktuara prej OBSH, (Amerika, Afrika, Evropa, Azia Juglindore, Paqësori Perëndimor dhe Mesdheu Lindor). Vërtet që 27 737 rastet e infektimit, të lajmëruara te OBSH-ja nga 73 vende, vazhdojnë të jenë në 87 përqind të tyre në kontinentin amerikan. Dhe 141 rastet e vdekjes janë të gjitha në Amerikë- prej tyre 106 në Meksikë.

Megjithatë, javët e fundit numri i të sëmurëve në Australi (rajoni i Paqësorit Perëndimor) u shtua me vrull, duke arritur ndërkohë 1 224- me një përqëndrim rreth qytetit Melburne, në provincën Viktoria. Për shkak të këtij zhvillimi, që të martën drejtori i përgjithshëm për sigurinë e shëndetit në OBSH, Keiji Fukuda deklaroi se organizata e shëndetësisë është "shumë pranë shpalljes së një pandemie". Njëkohësisht, Fukuda tërhoqi vëmendjen edhe në rezervat, që vazhdojnë të ekzistojnë për marrjen e një vendimi përkatës nga ekspertët e OBSH-së, si dhe nga shumë qeveri dhe sipërmarrje ekonomike, megjithë zhvillimet aktuale. Ekziston droja, se shpallja e pandemisë mund të bëjë, që disa qeveri të marrin masa në gjendje paniku, të cilat nuk kanë efekt ose që mund të kenë pasoja negative për ekonominë. Si shembull, Fukuda përmendi kufizimet në udhëtim, ose ndalimin e importit të mishit të derrit dhe kufizime të tjera tregtare. Por, këto rezerva nuk patën sukses të enjten, në mbledhjen e emergjencës të OBSH-së.

Kemi të bëjmë me një përhapje virusi në të paktën dy nga gjashtë rajonet e përcaktuara prej OBSH.Fotografi: WHO

Pas shpalljes së pandemisë nga OBSH, të gjitha shtetet duhet t'i përshtatin sistemet e tyre shëndetësore për luftimin intensiv të gripit. Veç kësaj, duhet të prodhohen me intensitet vaksina dhe të depozitohen. Vendimi për masa të tjera mbetet edhe më tej te qeveritë e vendeve anëtare të OBSH. Rajoni i Evropës, është pas Paqësorit Perëndimor rajoni më i prekur, me 1327 raste infektimesh. Prej tyre 666, pra më shumë se gjysma janë regjistruar në Britaninë e Madhe, të pasuara nga Spanja (331), Gjermania (78) dhe Franca (71). Nga rajoni i Paqësorit Perëndmor, veç Australisë, Japonia ka njoftuar 485 raste infektimi, Kina ka njoftuar 142 raste dhe Koreja e Veriut 42. Në Hong Kong, që është pjesë e Kinës, prej ditës së premte do të mbyllen për dy javë shkollat fillore, pasi në një shkollë 12 nxënës u sëmurën me virusin AH1N1.

Autor : Andreas Zumach / Auron Dodi

Redaktoi : Aida Cama