1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OECD: çlodhje e lehtë ekonomike, problemet mbeten

Andreas Becker/ Auron Dodi7 Maj 2014

Pas dy vjetësh recesion ekonomia e Eurozonës do të shënojë këtë vit sërish rritje. Por në të gjithë botën, rritja ekonomike mbetet nën shpresat e OECD-së.

OECD Logo
Fotografi: Jean AyissiI/AFP/Getty Images

Me 3,4 përqind do të rritet prodhimi ekonomik në të gjithë botën këtë vit. Në këtë përfundim arrin organizata e vendeve të industrializuara OECD në vështrimin e saj. Deri para një viti, ekspertët e OECD-së kishin llogaritur një rritje me 3,6 përqind. Shkaku kryesor për korrigjimin e shifrave të rritjes është rritja më e vogël ekonomike në vendet në ekspansion ekonomik, në radhë të parë në Kinë.

Për Kinën, OECD-ja pret këtë vit një rritje prej 7,4 përqind. Nga pikëpamja ekonomike dhe ekologjike kjo është "padyshim më e qendrueshme" se kuotat dyshifrore të rritjes së përvitshme midis 2001 dhe 2010-ës, konstatohet në raport. Megjithatë, rreziqet që janë mbledhur në sistemin financiar të Kinës gjatë kohës së bumit ekonomik mund të vazhdojnë të rezultojnë si "sfida të mëdha".

Rritja ekonomike në vendet e tjera në ekspansion ekonomik gjithashtu nuk është e tillë sa t'i japë impulse rritjeje ekonomisë botërore. Për Brazilin, OECD-ja pret një rritje më të vogël ekonomike prej 1,8 përqind. Për Rusinë madje janë vetëm 0,5 përqind, jo së fundi "për shkak të pasigurisë më të madhe që prej krizës së Krimesë". Vetëm India, me një rritje prej 5,4 përqind, pritet të ketë këtë vit një rritje më të madhe ekonomike se në 2013, thuhet në prognozë.

Eurozona i ka dhënë fund recesionit

Relativisht e fuqishme është rritja ekonomike në SHBA, ekonomia e së cilës është për nga madhësia gati dyfishi i asaj të Kinës. Këtu ekonomia do të rritet këtë vit me 2,6 përqind, vitin e ardhshëm madje me 3,5 përqind. Për herë të parë që prej tri vjetësh, ekonomia në eurozonë do të rritet sërish lehtë, OECD-ja pret një rritje prej 1,2 përqind këtë vit dhe 1,7 përqind vitin e ardhshëm.

Greqia edhe më tej në minus

Italia, Spanja dhe Portugalia - të gjitha vende ku prodhimi ekonomik shënoi rënie vitin e kaluar, sipas OECD-së këtë vit do të shënojë një rritje të lehtë prej 1,1 përqind. Në Greqi nga ana tjetër, prodhimi ekonomik edhe këtë vit do të shënojë rënie. Megjithatë, me 0,3 përqind, minusi është relativisht i vogël, prej vitit 2015, sipas vlerësimeve ekonomia do të rritet sërish.

Për Gjermaninë, ekonominë më të madhe të eurozonës, OECD-ja pret një rritje të konjukturës nga 0,5 përqind vitin e kaluar, në 1,9 përqind këtë vit dhe 2,1 përqind vitin e ardhshëm. Në Francë rritja ekonomike do të jetë më e dobët, nga 0,9 përqind deri 1,5 përqind këtë vit. Në Britaninë e Madhe, që nuk është anëtare e eurozonës, ekonomia në bazë të prognozës do të rritet me 3,2 përqind.

Papunësia në Eurozonë do të mbetet e lartë edhe për disa vjet. Pritet një ulje e vogël nga 11,9 përqind aktualisht në 11,7 përqind këtë vit dhe 11,4 përqind vitin e ardhshëm. Me kuotën 5,3 përqind të papunë, ekonomia e Gjermanisë është më pak e prekur se vendet e tjera. OECD-ja pret që kuota për Gjermaninë deri në vitin 2015 të bierë nën pesë përqind.