1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

281111 OECD Wirtschaftsausblick

29 Nëntor 2011

Lajmi nuk është i papritur: parashikimet ekonomike janë bërë të zymta. Por për recesion deri tani nuk ishte folur kaq qartë. OECD paralajmëron ndaj pasoja negative të krizës së borxheve dhe kërkon ndërhyrje nga ECB.

Logo e OECD-së
OECD paralajmëron për rrezikun e recesionit në Eurozonë

OECD jep alarmin: prognoza aktuale për zhvillimin ekonomik e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, sheh në krizën e euros rrezikun kryesor për zhvillimin e ekonomisë globale. Kështu thuhet në raportin e prezantuar të hënën (28.11.2011) në Paris. Dhe më tej: "Nëse nuk adresohen shqetësimet e tregjeve, kërcënojnë prishje masive të strukturave ekonomike dhe një ngushticë e re në kreditim."

Problemet bëhen më të mprehta pasi kohët e fundit janë në shënjestër edhe vende, financat e të cilëve deri tani konsideroheshin të qendrueshme, tha kryekonomisti i OECD-së Pier Carlo Padoan.

Kryekonomisti i OECD-së Pier Carlo Padoan.Fotografi: OECD / nc / nd

Më shumë fuqi për EFSF dhe ECB

"Perspektiva përmirësohet vetëm nëse do të veprohet shpejt dhe me vendosmëri", tha kryeekonomisti i OECD-së Pier Carlo Padoan në një konferencë për shtyp në Paris. Për të reduktuar rrezikun e kalimit të krizës në vende të tjera të Eurozonës, "Fondi evropian i shpëtimit (EFSF) duhet të shtohet ndjeshën dhe të përfshihet në procesin e shpëtimit dhe Banka Qendrore Evropiane." Kjo duhet të shoqërohet nga reforma të cilat i kundërvihen, sjelljes "së papërgjegjshme", tha më tej Padoan, duke nënkuptuar krijimin e borxheve pa kufi.

Rrezik nga SHBA

Një tjetër faktor rreziku për ekonominë botërore sipas OECD-së është situata në SHBA. Nëse Uashingtoni nuk do të gjejë një rrugë për zbutjen e masave të kursimeve, të cilat sipas ligjit hyjnë në fuqi në vitin 2013, ekonomia amerikane mund të hyjë në një recesion, i cili nuk mund të zgjidhet me mjete politike. SHBA kanë nevojë për një planifikim bindës financiar në periudhë afatmesme. Vetëm në një rast të tillë OECD beson se ekonomia më e madhe në botë mund të shënojë rritje vitin e ardhshëm, deri në 2 për qind.

Rritja ekonomike sipas parashikimeve të OECD-së

Recesion në Eurozonë

Po kaq të zymtë e vlerëson OECD dhe perspektivën ekonomike për Eurozonën. Në tremujorin aktual dhe atë të ardhshëm, performanca ekonomike e 17 vendeve pritet të tkurret. Vetëm duke filluar nga tremujori i dytë i vitit të ardhshëm priten sërish shifra rritjeje. Për gjithë vitin 2012 ekspertët e OECD-së parashikojnë një rritje prej 0,2 për qind në Eurozonë. Në shtetet e përfshira nga kriza situata do të mbetet megjithatë e zymtë. Për Italinë parashikohet një rënie e Produktit të Brendshëm Bruto (BIP) me 0,5 për qind. Portugalia pritet të ketë madje një minus prej 3,2 për qind. Vlerësimi për Greqinë është minus 3 për qind.

Ekonomia gjermane në gjendje të mirë

Sipas parashikimeve të OECD-së Gjermania nuk kërcënohet nga rënie e vazhdueshme. Pas një faze dobësimi që pritet të zgjasë deri në pranverë, do të ketë sërish rritje nga mesi i vitit të ardhshëm. "Në vitin 2012 rritja do të jetë më e lartë se në vendet e tjera të Eurozonës", thuhet në raport. Për vitin që po mbaron parashikohet një rritje prej 3 për qind. Edhe zhvillimet pozitive në tregun gjerman të punës do të vazhdojnë: në vitin 2013 në Gjermani do të ketë vetëm 2,7 milionë të papunë, ose 200.000 më pak se këtë vit.

Por megjithë lajmet e mira nga Gjermania, në përgjithësi parashikimet e OECD-së për ekonominë mbeten alarmuese.

Autor: Henrik Böhme / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama