1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i krizës nuk duket në horizont

Elert Ajazaj28 Nëntor 2012

Prej pesë vjetësh ekonomia botërore ndodhet në krizë dhe shpresat për një fund të shpejtë të kësaj gjendjeje nuk do të ketë, ndoshta duhet kohë, mendon OECD.

Logoja e OECD
Logoja e OECD

"Ngadalësim i papritur", "veçanërisht i plogët", "me vështirësi" fjalë, me të cilat e përshkruan perspektivën ekonomike për dy vitet e ardhshme Eckhard Wurzel, ekonomist i rangut të lartë i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim OECD. Ato nuk mund të jenë më negative se kaq. Pas pesë vjetësh krize dhe ulje-ngjitjesh të vazhdueshme në kurbën koniunkturore rritja ekonomike botërore po dobësohet sërish. Mirëpo, thotë Wurzel, kjo nuk është dukuri e re. Kjo ka të bëjë në njëfarë mase me recesionin e mëparshëm. "Kur keni recesion, i cili është i lidhur me krizë financiare, atëherë rimëkëmbja është më e ngadalshme." Së dyti, kohët e fundit ka pasur impulse shumë më të dobëta të rritjes ekonomike nga jashtë OECD-së, " se ç'kemi parë para një ose dy vjetësh dhe natyrisht edhe më parë."

Edhe vendet afër nivelit të zhvillimit të vendeve të industrializuara rriten më ngadalë

Paraqitja grafike e zhvillimeve ekonomike sipas studimit të OSBE-së

Kina, India, por edhe vende të tjera rriten më ngadalë dhe kriza e huave në Evropë bën efektin e vet për ta frenuar ekonominë botërore. Me gjithë masat e marra në vendet e eurozonës në këtë fakt deri tani nuk ka ndryshuar gjë. Madje Wurzel shkon deri atje sa ta cilësojë krizën e euros si "kërcënimin më të madh për koniunkturën botërore". Veçanërisht negativ është efekti i humbjes së besimit, i cili frenon investimet, por edhe konsumin. Sipas Wurzelit, eurozona do të mbetet deri vonë vitin e ardhshëm në ose pranë recesionit. Për 2013-n OECD-ja parashikon një rënie të fuqisë ekonomike me 0,1 për qind, pas një tkurrjeje sivjet ,e 0,4 për qind. Vetëm në 2014 do të ketë (sipas tij) sërish një rritje me 1,3 për qind. Tek zhvillimi negativ nuk ka mundur të ndryshojë gjë as zhvillimi pjesërisht pozitiv në tregjet financiare, sepse (thotë ekonomisti i OECD-së) ka dallime të mëdha në zonën e euros: "Disa vende kanë norma shumë të larta interesi dhe në këto vende ka një dinamikë shumë të pafavorshme te huave me pasoja te ekonomia reale".

Kriza arrin Gjermaninë

Angela Merkel -kancelarja e GjermanisëFotografi: dapd

Edhe në Gjermani, ku krahasuar me vendet e tjera të eurozonës industria dëshmohet si veçanërisht e fortë, kriza po lë tani gjurmë të qarta të efektit. Për vitin aktual OECD-ja pret një rritje prej 0,8 për qind. Në 2013-n rritja do të jetë vetëm 0,6 për qind dhe vetëm në 2014 do të ketë një plus më të qartë prej 1,9 për qind. Recesioni i parashikuar mund të prekë vitin e ardhshëm para së gjithash eksportuesit.