1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OECD sulmon oazet fiskale

Nicolas Martin / Eliana Xhani18 Korrik 2013

Vendet kryesore industriale duan të marrin më shumë të ardhura tatimore nga koncernet e mëdha. Ky synim do të konkretizohet tani me një plan veprimi.

Fotografi: DW-TV

Apple, Starbucks apo Volkswagen - koncernet e mëdha shumëkombëshe i zhvendosin fitimet dhe i fshijnë gjurmët, sa herë që kjo u sjell avantazhe fiskale. E gjitha bëhet në mënyrë krejt të ligjshme nën përkufizimin "shmangie e taksave".

Në 19 korrik Organizata për Bashkëpunim Ekonomim dhe Zhvillim (OECD), do të paraqesë një plan kundër trukeve fiskale të koncerneve të fuqishëm. Atë duhet ta vënë pastaj në zbatim 20 vendet më të rëndësishme të industrializuara dhe në ekspansion industrial (G20). Një projekt i parë i planit të veprimit i është praqitur medieve gjermane. Mesazhi qendror: koncernet duhet të paguajnë tatime aty ku ndodh krijimi i vlerës. Kështu bëhet e vështirë të zhvendosen fitimet.

Sa transparente duhet të jenë të dhënat e firmave?

Nëse plani i OECD-së zbatohet me konsekuencë, koncernet duhet të bëjnë publike të gjitha llojet e kostove në të gjitha vendet e OECD-së dhe këtu bëjnë pjesë, shpenzimet për liçensa, interesa, taksa administrative, rroga e me radhë. "Ky do të ishte një mekanizën shumë i rreptë, më i rreptë se gjithçka që ka ekzistuar deri tani", thotë eksperti për çështje fiskale, Michael Bormann. Zvogëlimi i qëllimshëm i shifrave të xhiros, duke zhvendosur fitimet nga vende me taksa të larta në vende me taksa të ulëta, do të vështirësohej kështu ndjeshëm.

Michael Bormann : mekanizmi më i rreptë deri taniFotografi: bdp

Për Markus Meinzer nga Rrjeti për Drejtësi Fiskale, efekti i një plani të tillë varet edhe nga fakti nëse të dhënat janë të hapura për të gjithë apo mund t'i shohin vetëm autoritetet tatimore: "Vetëm nëse të dhënat janë publike edhe konsumatori mund të marrë vendime mbi këtë bazë". Veç kësaj me rëndësi vendimtare është që të gjitha të dhënat e sipërmarrjeve t'i nënshtrohen me konsekuencë transparencës. "Vetëm kështu mund të nxirren konkluzione të qarta për sjelljen e koncernit", thotë Meinzer.

Kaq shumë transparencë Bormann e vlerëson juridikisht të vështirë në Gjermani. Për shkak të sekretit fiskal, detyrimi për bërjen publike të të dhënave nuk mund të shtrihet tek të gjithë qytetarët. Por edhe të detyrohen vetëm koncernet e mëdha për transparencë, nuk shkon pasi nuk ndiqet një sistematikë e qartë juridike. "Të vësh si kufi një volum të caktuar xhiroje është shumë arbitrare."

Rast i veçantë: firmat e internetit

Nërkohë që p.sh. tek Starbucks, shitja e kafesë lidhet me një prekje fizike mes klientit, mallit dhe parasë, vështirësi në vendet e OECD-së shkakton para së gjithash tatimi i koncerneve të internetit si Google apo Apple. Sipas Bormann pikërisht për shërbimet e bazuara në internet, është shumë më e lehtë të zhvendosin fitime. "Firmat e internetit nuk kanë një zinxhir të dëshmueshëm krijimi vlere", thotë edhe Meinzer. Për këtë arsye ai është për një taksim që bëhet atje ku klienti blen një produkt në internet. "Klikimet mund të ishin këtu një bazë e mirë për të llogaritur përafërsisht se ku duhet të tatohen fitimet." Pyetje të tilla do të marrin përgjigje pas këtij projekti të parë të OECD-së në një ligj të ri deri në 2014.

Markus Meinzer: të gjitha të dhënat e firmave duhet të jenë transparente në mënyrë konsekuenteFotografi: M. Meinzer

Kështu vendet me taksa të ulëta nuk do të kenë më mundësi t'u bëjnë konkurrencë vendeve të tjera me modelet e tyre fiskale. Për këtë arsye duhet të përfshihen edhe vende jashtë OECD-së, thuhet në portalin e lajmeve sueddeutsche.de . "Sipas këndvështrimit të fiskut gjerman, i cili synon të rrisë të ardhurat fiskale, është logjike të jesh kundër të gjitha shteteve që kërkojnë tatime më të ulëta", thotë Bormann. Ai e konsideron megjithatë kuptimplotë një konkurrencë fiskale, nëse bazohet në transaksione reale. "Përse një vend të mos bëhet tërheqës duke iu ofruar firmave të vendosura atje, avantazhe fiskale?"

Vendimi jo përpara shtatorit

OECD do të jetë e suksesshme kundër shmangies së tatimit vetëm nëse për koncernet krijohen instanca kontrolli me spektër të gjerë kompetencash, mendon Meinzer. Nëse do të vendosen vetëm masa mbi baza vullnetare, qeverive do të vazhdojnë t'u ikin nga duar të ardhura fiskale në shuma miliardëshe. Projekti zyrtar i prezantuar në 19 korrik, do të diskutohet nga shtetet e G-20 deri në samitin në Shën Peterburg. Vetëm pas kësaj koncernet e mëdha shumëkombëshe do të mësojnë se cilat truke fiskale nuk do të funksionojnë më.

G20 duhet ta çojë pëpara planveprimin - foto nga samiti i MeksikësFotografi: picture-alliance/dpa