1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OJQ-të në Maqedoni: Politikanët kanë marrë eksluzivitetin në proceset eurointegruese

11 Shtator 2009

Anashkalimi i masës së gjerë të qytetarëve nga transparenca e proceseve integruese të vendit ka rezultuar me mosinformimin e tyre se çfarë do të thotë që vendi të jetë anëtar e BE-së.

Flamujt e Maqedonisë dhe të BE-së para ndërtesës së qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Shkup.Fotografi: Petr Stojanovski

Qendra maqedonase për arsim evropian, Instituti Shoqëria e Hapur dhe Forumi rinor arsimor kanë filluar me organizimin e debateve publike me moton “Veprimi për Evropën” që ka për qëllim informimin e qytetarëve për përfitimet e bashkimit të Maqedonisë në familjen evropiane. Një pjesë e qytetarëve janë të vetëdijshëm për përfitimet që do të sillte anëtarsimi në BE, por ka disa që nuk disponojnë as informata elementare se çfarë do të thotë të jesh pjesë e familjes së madhe evropiane.

"Pjesa e parë e debatit do të ketë karakter informativ, më pas do të prezantohen dokumentarë të shkurtër, do të zhvillohen edhe debate, ku qytetarët mund të bëjnë pyetje dhe të mësojnë disa gjëra rreth BE-së," shpjegon Kire Sekullovski nga Forumi rinor arsimor.

Politikanët kanë marë të drejtën ekskluzive për të folur për proceset integruese, ne nga OJQ-të vlersojmë, se edhe qytetarët duhet të inkuadrohen në këtë proces me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, thotë Andrea Stojkovski nga Qendra maqedonase për arsim evropian.

"Për shkak të mungesës së debatit, mungesës së informacionit njerëzit kanë nevojë që t'u ofrohet mundësia për të debatuar mbi çështjet në lidhje me procesin e pranimit në BE," thotë Stojkovski.

Lejla Jakup është mbështetëse e fortë e veprimit të OJQ-ve, zëri i tyre duhet të dëgjohet thotë ajo.

“I tërë procesi i antarësimit të vendit në BE nuk ka qenë aq transparent, në rrjedhat e tij kanë dominuar politikanët, ndërsa populli ka qenë i anashkaluar,” thotë Lejla Jakup. “Për të patur sukses është e patjetërsueshme që t'i inkuadrosh edhe OJQ-të, meqë një ndihmë të jashtëzakonshme këtij kontributi i japin edhe OJQ-të, sepse ato meren me aktivitete të ndryshme siç janë ato të kulturës, artit, por ka edhe OJQ, që meren me politikë,” vlerëson Valbona Zunçe.

“Roli i OJQ-ve për mua është shumë domethënës në pasqyrimin e rëndësisë se çfarë do të thotë, që një vend të jetë anëtar i BE-së,” mendon Amir Duraku, student.

Mersel Bilalli, analist politik, thotë se OJQ-të janë një bërthamë e rëndësishme në segmentin e zbërthimit dhe dinamikës së proceseve eurointegruese.

“Strukturat politike për dallim nga OJQ-të, që janë objektive, priren të fshehin rrethanat, të lakojnë realitetet ndoshta të maskojnë dhe të plasojnë diçka tjetër. Gjithë procesi duhet të jetë një kulturë, një vetëdije e masave të gjëra, vetëm në këtë formë mund të kontrollojmë të gjitha devijimet e mundshme, që mund të bëjnë strukturat përfaqësuese politike,” vlerëson Mersel Bilalli.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Elert Ajazaj