1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB: Çdo 10 minuta vritet një grua në familje!

25 Nëntor 2025

Në "Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave", Kombet e Bashkuara publikuan shifra tronditëse: Më shumë se 80.000 gra ishin viktima të femicidit vitin e kaluar.

Simbol Stop - kundër dhunës ndaj grave
Përafërsisht çdo dhjetë minuta, një grua ose vajzë bie viktimë e dhunës vdekjeprurëse brenda një marrëdhënieje ose familjes, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara. Fotografi: Rüdiger Rebmann/Zoonar/picture alliance

Përafërsisht çdo dhjetë minuta, një grua ose vajzë bie viktimë e dhunës vdekjeprurëse brenda një marrëdhënieje ose familjes, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara. Vitin e kaluar, rreth 83.000 gra në mbarë botën u vranë qëllimisht - dhe në rreth 60 përqind të këtyre rasteve, autori i krimit ishte një anëtar i familjes ose partner, njoftoi OKB me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave. Në të kundërt, vetëm 11 përqind e vrasjeve kundër burrave u kryen nga partnerë intimë ose anëtarë të familjes.

Vrasjet e grave shpesh janë pjesë e një "dhune në vazhdimësi", tha Sarah Hendriks, Drejtoreshë e Politikave në UN Women. Ajo fillon me kontrollin, kërcënimet dhe ngacmimet, përfshirë ato në internet. Çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetë e sigurt në të gjitha aspektet e jetës së saj. Shtetet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar këto vrasje dhe për t'i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.

Vitin e kaluar, rreth 83.000 gra në mbarë botën u vranë me qëlliim - dhe në rreth 60 përqind të këtyre rasteve, autori i krimit ishte një anëtar i familjes ose partnerFotografi: mufkinnphotos/aal.photo/IMAGO

Dallime mes vendeve të ndryshme

Shifrat bazohen në të dhëna nga 117 vende. Sipas statistikave të OKB-së, femicidet - rastet e dhunës vdekjeprurëse në të cilat gratë vriten për shkak të gjinisë së tyre - janë veçanërisht të shpeshta në vendet afrikane. Amerika e Jugut dhe e Veriut vijnë pas tyre. Ndërsa ende mjaft femicide ndodhin në shumë vende aziatike dhe evropiane, numri i tyre është relativisht më i ulët në krahasim me popullsinë.

Një studim i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbuloi se më shumë se 30 përqind e të gjitha grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë në një moment të jetës së tyre. OBSH vlerëson se ka 840 milionë viktima. Megjithatë, shkalla e vërtetë e problemit është ndoshta edhe më e madhe, pasi shumë viktima kanë shumë frikë të flasin hapur, thuhet në studim.

Edhe në Gjermani ka mjaft viktima të dhunës familjare: 308 gra dhe vajza humbën jetën vitin e kaluar si pasojë e krimeve të dhunshme, sipas shifrave nga Ministria Federale e Brendshme. Në 191 raste, autori i krimit ishte partner, ish-partner ose anëtar i familjes.

Për më shumë se tre dekada, 25 nëntori në mbarë botën kujtohet si "Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave". Në këtë ditë aksioni të njohur edhe si "Dita Portokalli" ndërtesat ndriçohen në ngjyrë portokalli, zhvillohen  mitingje e evenimente të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën e përhapur ndaj grave dhe vajzave.

 

 

 

la/ag

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW