OKB dënon politikën e zgjerimit të ngulimeve izraelite në Bregun Perëndimor
20 Dhjetor 2012Izraeli po përballet me një kritikë jashtëzakonisht të ashpër në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për shkak të ndërtimit të ngulimeve të veta në territore palestineze. Me përjashtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të 14 anëtarët e tjerë i dënuan planet e Izraelit për ndërtime në Jeruzalem dhe paralajmëruan se ato rrezikojnë zgjidhjen me dy shtete. Pavarësisht nga mbështetja amerikane, Departamenti i Shtetit [SHBA] e akuzoi Izraelin për veprime provokuese. Disa vende bënë deklarata (me sa duket të bashkërenduara). Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Portugalia deklaruan se sjellja e Izraelit minon besimin te gatishmëria e këtij vendi për të gjetur një zgjidhje në rrugë bisedimesh me palestinezët. Rusia dhe Kina u shprehën ngjashëm në mënyrë kritike, po ashtu shtetet e paangazhuara, të cilat folën për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon i bëri thirrje Izraelit të mos e vazhdojë këtë [citim] „rrugë të rrezikshme“.
Netanjahu: Qeveria do të vazhdojë me zgjerimin e ngulimeve
Pak më parë Izraeli kishte dhënë dritën e gjelbër për 1.000 banesa të reja për kolonë hebrenj në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, i cili është territor palestinez i pushtuar. Përveç kësaj, komisioni lokal i planifikimit për Jeruzalemin miratoi ndërtimin e më shumë se 2.600 banesave në lagjen e re Givat Hamatos në Jeruzalemin Lindor. Izraeli u përgjigj në këtë mënyrë ndaj dhënies së afërmi të statusit të vendit vëzhgues Palestinës në Kombet e Bashkuara. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka thënë se qeveria e tij do të vazhdojë me zgjerimin e ngulimeve. Bashkësia ndërkombëtare nuk e ka pranuar aneksimin e Jeruzalemit Lindor prej Izraelit pas luftës së vitit 1967.